Kryeministri Hoti takohet në Paris me presidentin Macron

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i shoqëruar nga delegacioni qeveritar është pritur sot nga presidenti i Francës Emmanuel Macron në Pallatin Elysee në Paris.

Nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës (ZKK) përmes një komunikate citohet Hoti të ketë thënë se “marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera. Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë”.

Në këtë takim është biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me fokus në perspektivën euro-integruese, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Sipas njoftimit, kryeministri Hoti e siguroi presidentin francez se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese.

“Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, njofton ZKK, e cila shton se kryeministri Hoti ka theksuar se “Kosova është e përkushtuar për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.

Macron dhe Hoti u pajtuan që të dy vendet të bashkëpunojnë për shkëmbimin e të dhënave midis ministrive të Brendshme nga të dyja vendet sa i përket rendit dhe ligjit, të punohet për promovimin e shkëmbimit ekonomik në mes Francës dhe Kosovës, si dhe të punohet së bashku për promovimin e frankofonisë në Kosovë.

Vizita në Paris e kryeministrit Avdullah Hoti u zhvillua vetëm tre ditë para mbajtjes së një samiti virtual në Paris, me ndërmjetësimin e presidentit Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, ku temë qendrore është dialogu Kosovë-Serbi.

Nga ana tjetër, me 12 korrik në Bruksel pritet të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi, me takime ku pritet të marrin pjesë përfaqësues nga të dyja vendet./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne