Kryeparlamentari turk, Şentop, merr pjesë në konferencën e IBU-t në Shkup

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop, ka bërë të ditur se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një kohë të afërt ka planifikuar të zhvillojë një vizitë në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Şentop qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në konferencën me temë “Vizioni global i paqes në fillimin e mijëvjeçarin e ri”, të organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU). Ai po ashtu mori pjesë në iftarin që u shtrua nën kujdesin e ambasadës së Turqisë në Shkup, në bashkëpunim me IBU dhe Lidhjen e Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSITEB), si dhe me kontributin e Bashkisë Haliliye nga Turqia.

Në një deklaratë për gazetarët, kryeparlamentari Şentop bëri të ditur se kjo vizitë ishte planifikuar për më parë, por është shtyrë për shkak të zgjedhjeve lokale në Turqi dhe atyre presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

“Përveç kësaj, mendoj për një vizitë tjetër më të gjerë në një kohë më të gjatë, sepse kam pasur ftesën e kryetarit të parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Kjo ftesë është në fuqi. Sipas kësaj, do të bëjmë një planifikim të veçantë”, tha Şentop.

Në kuadër të vizitës së tij në vend, Şentop takoi edhe presidentin e sapozgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

“E përgëzova dhe i përcolla përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Në një kohë të afërt shpresojmë se presidenti ynë do të planifikojë një vizitë”, u shpreh ai.

Duke folur rreth konferencës “Vizioni global i paqes në fillimin e mijëvjeçarit të ri”, Şentop tha se në konferencë ata i referohen ecurisë së përgjithshme të botës, pozicionit të Turqisë dhe temave në lidhje me të ardhmen.

Më tej, Şentop po ashtu bëri të ditur se më 28-30 qershor në IBU do të organizohet Kongresi i pestë ndërkombëtar i shkencave shoqërore.

“Nëse nuk kam ndonjë detyrim, planifikoj të vij edhe në atë kongres. Atëherë do të kem mundësi për takime më të gjera dhe të adresohem këtu”, tha Şentop.

Nga ana tjetër, në konferencën ku u adresua kryeparlamentari Şentop, të pranishëm ishin edhe ambsadorja turke në Shkup, Tülin Erkal Kara, deputetë, politikanë, diplomatë, akademikë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, si dhe shumë të ftuar të tjerë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne