KRYQËZATA E KATËRT DHE COPËTIMI I BIZANTIT

Nga Xhafer Sadiku

Armiqësia midis Perëndimit katolik dhe Lindjes ortodokse u ashpërsua në fillim të shek. 13, madje disa herë kryqtarët bënë luftë me të krishterët e Lindjes. Kështu, në fillim të tetorit 1202, kryqëzata u nis nga Venecia, me 72 anije lufte e 140 anije transporti, Më 10 nëntor ato zbarkuan në portin e Zarës, e më 24 nëntor e pushtoi në emër të venecianëve.
Papa e kishte dërguar kryqëzatën në Kostandinopojë për të nënshtruar Kishën ortodokse. Ai i kishte frymëzuar kryqtarët, duke u thënë se “ortodoksët kishin bërë faj të rëndë kundër Zotit e Kishës”.
Në krye të kryqëzatës u vunë Tibaldi i Kampanjës dhe Balduini i Flandrës. Dozhi i Venedikut, Dandolo, i këshilloi kryetarët të shkonin nga Kostandinopoli dhe t’i jepnin ndihmë mbretit Isak Engjëllit, të cilin e kishte rrëzuar nga froni i vëllai, Aleksi, pasi i kishte nxjerrë sytë. I biri i mbretit kishte arritur të shpëtonte nga burgjet e të hidhej në Venedik, ku i ishte lutur Dandolos, t’i vinte në ndihmë të atit.
Më 1203, të 20.000 luftëtarët e kryqëzatës, të ndihmuar me anijet luftarake të Venedikut, mundën bizantinët dhe hynë në qytetin e Kostandinopolit. Me hyrjen e tyre në qytet, Aleksi i tretë iku fshehurazi (17 korrik 1203). Kryqtarët hipën përsëri në fron Isakun, e, meqë ishte i verbër, i vunë për ta ndihmuar, të birin e tij, Aleksin e katërt. Po, në të hyrë të vitit 1204, Aleksin e katërt e shfronësoi Aleksi Duka Mursufli. Këtë herë kryqtarët e morën Kostandinopolin për veten e tyre.
Më 25 prill 1204, ata e plaçkitën qytetin, duke i vënë zjarrin. Më 9 maj 1204, kryqtarët zgjodhën për perandor të Bizantit Balduinin, kontin e Flandrës. Mbretëria bizantine u copëtua ndërmjet komandantëve të kryqëzatës. Një pjesë e Toskërisë ra nën sundimin e Geoffroy de Villehardouin, një nga shkrimtarët e parë francezë.
Kryqëzata e katërt kundër Konstadinopolit solli ndryshime të ndjeshme në Bizant. Kryqtarët krijuan Perandorinë Latine që zgjati 60 vjet. Gjatë kësaj periudhe, “ata zhvatën kishat ortodokse duke i transportuar në perëndim sasira të mëdha të pasurive, të relikteve të shenjta e të pikturave më të çmuara”. Krahas tyre‚ Republika e Venecias dhe e Gjenovës, urdhrat kalorësiakë, si ai i Rodit, i Maltës e të tjerë, pushtuan ishuj, toka e kështjella, prona të vjetra të Perandorisë Bizantine. Ata i mbanin kështu në gjendje lufte të përhershme.

Perandoria Bizantine u nda ndërmjet venecianëve e kalorësve francezë e lombardë që futën në Lindje sistemin feudal. Ata ngritën në Greqi gjashtë shtete të rinj: markezati i Studenicës, në territorin e Termopileve; baronia e Salonës, në Lokride; dukatin e Athinës; triarkinë e Eubesë; principatën e Akaisë, në Peloponez, e cila, qysh atëherë filloi të quhej More dhe dukatin e Arkipelagut.
Venecia i mbrojti gjatë zotërimet e saj, si kundër perandorisë bizantine, të rindërtuar nga dinastia Paleologu, ashtu edhe kundër osmanëve më vonë. Një pjesë të territoreve të Shqipërisë kryqëzatat ia njohën Venedikut. Midis tyre bënin pjesë edhe provinca e Durrësit dhe principata e Arbërisë.
Sundimtari i Arbërisë, Dhimitri, për t’i bërë ballë rrezikut të Venedikut, u afrua me Inocentin e tretë, duke i premtuar se do të bëhej katolik. Ai ishte martuar me bijën e Stefan Nemanjës, zhupani i madh i Rashës, e cila ishte mbesë e Manuel Komnenit, perandorit të Bizantit.

Kryqëzata nuk i dëboi pushtuesit serbë nga tokat shqiptare. Latinëve u interesonin vetëm qytetet bregdetare dhe ngushticat e Bosforit.
Në 1318 Shqipëria, përveç krahinës së Durrësit, gjendej e gjitha nën sundimin e serbëve. Shqipëria mbeti edhe paskëtaj e pushtuar nga sllavët, deri në 1389 kur u dëbuan nga osmanët.
Ofensiva osmane në Ballkan dhe fitorja e tyre në betejën e Kosovës, shqetësoi mbretin e Hungarisë, Sigismondo, i cili u kërkoi ndihmë dy papëve, atij të Avinjonit, Benedeto i trembëdhjetë dhe atij të Romës, Bonifacio i nëntë.

Ideja e kryqëzatës gjeti një mbështetës autoritar siç ishte Duka i Burgonjës Filipi i dytë, i cili mblodhi shuma të mëdha parash dhe ngarkoi në krye të ekspeditës djalin e tij, Xhovani, kont i Neveris. Ushtria e mbushur me kalorës francezë, gjermanë, anglezë dhe italianë, u nis në 20 prill 1396 nga Dizhoni, për të zbarkuar në Budva. Në fund të korrikut i’u bashkuan edhe mbreti i Hungarisë me trupat e vojvodës së Vllahisë, që ishte vasali i tij.
Një flotë e siguruar nga Urdhëri i Rodosit, Venediku dhe Gjenova, depërtoi në Detin e Zi, e u ankorua në grykëderdhjen e Danubit.
Ushtria e kryqëzatës mund të kishte rreth njëqind mijë luftëtarë. Më 26 shtator 1396, afër Nikopolisit, ushtria e kryqtarëve pësoi humbje të madhe nga ushtria osmane. Ishte një masakër e vërtetë dhe e përgjakshme.

Sipas Franco Kardinit, shpenzimet e kryqëzatës u përballuan nga Duka i Burgonjës, djali i të cilit ishte dhe arkitekti kryesor i humbjes, dhe nga Sigismondo i Hungarisë. Ky i fundit u tregua frikacak dhe u trajtua si i tillë nga kalorësit francezë. Shuma që mbeti e pambuluar u sigurua nga disa bankierë gjenovezë që kishin interesa në Azinë e Vogël.

Për të liruar robërit e shumtë që u kapën nga osmanët, u zhvilluan bisedime nga Gjenova dhe Venecia, të cilët ishin në marrëdhënie të fshehta me Sulltanin, si dhe nga tregtari i Lukezes, Dino Rapondi, i cili mbante kontakte me gjykatën osmane. Deri në fund të vitit 1397 robërit ishin kthyer në shtëpitë e tyre. (Marrë me shkurtime nga libri “Midis Perandorive dhe Religjioneve|.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne