Kundërpërgjigja “islamike” e Ramës për Evropën dhe loja e rrezikshme me shaminë dhe me fenë!

Nga Kreshnik Osmani

Mëngjesin e ditës së premte (sot) apo të xhumasë (siç i thotë Rama të premtes për nevoja elektorale të Rilindjes, për t’u dukur sa më shumë si Erdogani i Shqipërisë) sepse ashtu e kanë mësuar kadrinjtë që e rrethojnë, kryeministri i Shqipërisë është shfaqur në një video të publikuar nga një portal mik i qeverisë, duke treguar përralla me kopësht zoologjik, me luanë, me sulltanë, me Brunei, me majmunë, me mish, me lakra dhe me karrota. Pra ishte duke folur për historinë e një luani të cilin e kishin kthyer nga mishngrënës në vegjetarian. Rama është shfaqur shumë i emocionuar dhe i relaksuar në një lokal nw kryeqytet (sipas gjasave) i rrethuar nga një zonjë me shami e cila kujdeset t’i buzëqeshë jo pa siklet shefit të qeverisë.

Jo rastësisht, vetëm tre ditë pasi është falur në mënyrë madhështore Fiter Bajrami në “Sheshin Skënderbej”, kryeministri i Niçes dhe i Gjushit është kujdesur të bëjë gati “karrotën” e radhës për “kopshtin zoologjik” të kadrinjve, por ka rezervuar edhe një mesazh të fortë për Evropën, Merkelin dhe Gjermaninë.

Nëpërmjet kësaj dalje Rama ka përcjellë disa mesazhe shumë të rëndësishme tek të cilat duhet të ndalemi urgjentisht, për nga rëndësia dhe rreziku që përfaqësojnë.

Pas skandalit të përgjimeve të “Bild” dhe zbardhjes së lidhjeve të zyrtarëve të lartë të shtetit, mbreti lakuriq i Surrelit ka mbetur i zhveshur përballë shqiptarëve dhe opinionit ndërkombëtar dhe ka vrapuar të mbulojë turpin e tij me “shaminë” e muslimanes dhe të xhamisë. Zonja e mbuluar në krahë të tij, nuk do ta ketë patur shumë të lehtë që të dhuronte buzeqeshje e sajdi për shefin lakuriq të plazheve nudo të Francës, por edhe atë duhet patur kujdes që të mos e paragjykojmë, për sa kohë nuk i dimë rrethanat e plota, se si është gjëndur një grua me shami në krahë të kryeministrit të Shqipërisë në një kafe, të rrethuar nga zyrtarë të tjerë të PS-së dhe nga kamerat e gazetarëve të oborrit. Rama ka shpejtuar të vjedhë dhe të çojë në xhirollogarinë e tij politike “faljen e Fiter Bajramit” pas këtij degjenerimi që i bëri “Bild” i Gjermanisë sepse ka patur nevojë urgjente për të rikuperuar pikë politike. Mbreti lakuriq i Surrelit kujdeset vazhdimisht që të pozojë me hoxhallarë e me imamë, siç dilte Tahiri i drogës përpara se t’ia hiqnin imunitetin dhe bënte fushatë me goca xhamie me shami.

Kujdeset që të shtrojë iftare dhe të mbajë fjalime me hadith, xhihad e kuran, sepse kështu e kanë mësuar kadrinjtë rreth tij. Ai është kujdesur në Natën e Kadrit në të cilën audienca dhe përqëndrimi emocional i muslimanëve dhe jo vetëm mbërrin në maksimum, që të bëjë të njëjtin publicitet. Një televizion mik i qeverië ka treguar se si një zonjë tjetër me shami punon në kryeministri dhe shkon e falet edhe në xhami pa asnjë problem.

Të jemi të sinqertë, edhe këto zonjat me shami kanë nevoja dhe nuk është se e kanë shumë bezdi jetën e bukur. Edhe ato e duan një rrogë të mirë. Duan ta prekin xhenetin në këtë botë përpara botës së vërtetë që të prekin me dorë premtimin se Zoti do t’ua japë atyre këtë botë dhe botën tjetër nëse tregohen të devotshme. Por nuk ka asnjë dyshim se devotshmëria nuk është ekskluzivisht me vendosjen e një shamie në kokë. Devotshmëria është “sport” i rëndë shumë që lidhet më së pari me shpirtin dhe hollet e pastra të tij. Kanë dëshirë të kenë edhe ato zonjat me shami, një shtëpi të bukur. Kanë nevoja si të gjitha femrat e tjera të vishen edhe ato Channel, Armani dhe Louis Vutton. Po sigurisht që nuk u mbetet hatri që ta kenë edhe një ML Benz Foristradë, apo ndonjë Range Rover Sport, apo ndonjë Vogue të mirë. Nuk u mbetet hatri sigurisht që ta kapin ndonjë lek.

Ato janë gra (femra) si gjithe të tjerat, për nga struktura, mendimi, fizionomia dhe nevojat që kanë. Ato kanë fejsbuk, twitter, instagram, e bëjnë jetën të bukur, shkojnë për pushime, pozojnë, lyhen, zbukurohen, kombinohen, bien në dashuri online, fejohen, martohen, ndahen, martohen prapë e kështu me radhë. Pra, jane ne thelb si gjithe te tjeret. Shamia nuk të bën të gjithmonë të ndryshme nga ato që dalin në plazh me bikini, sepse ti kurrë nuk e merr vesh dhe nuk mund të jesh i sigurtë se çfarë fshihet poshtë asaj shamie, siç mund ta dish dhe mund të jesh i sigurtë për atë çfarë fshihet poshtë bikinisë. Nderi i femrës nuk është vetëm tek shamia që mbahet në kokë, por tek morali dhe sa i vlefshëm je ti për njerëzinë. I Dërguari i Zotit (Paqja e Tij qoftë mbi të) nuk ka thënë kurrë: “Më e mira ndër ju është ajo që mban shami në kokë”, por ka thënë: “Më i miri ndër njerëzit është ai që u shërben njerëzve më shumë”, që do të thotë në një farë mënyre, “më të mirët ndër njerëzit janë ata që nuk ia bëjnë njerëzimit me hile”, e aq më pak popullit të tyre dhe gjakut të vet.

Deri këtu nuk është se ka ndonjë problem. Problemi qëndron se zonjat e nderuara me shami duhet të jenë të kujdesshme, që të mos falsifikojnë mesazhin hyjnor duke pozuar në krahë firaunësh e diktatorësh që shtypin popujt e tyre, masakrojnë, varfërojnë, burgosin e poshtërojnë popujt e tyre sepse kjo bie në kundërshtim flagrant me mesazhin hyjnor dhe me atë shami që mbajnë në kokë.

Mesazhi tjetër shumë i rrezikshëm, që tregon se firauni Surrelit është i gatshëm t’i verë flakën Shqipërisë për pushtetin e tij, është se Rama po mban premtimin e tij. Pas degjenerimit që i bëri Bildi i Gjermanisë, Rama po kujdeset që t’i thotë Evropës, meqë nuk ma hapni derën dhe doni të më rrëzoni nga pushteti, unë po shkoj në Azi dhe po bëhem me “islamikët” ashtu siç iu kisha paralajmëruar më parë, për “rrezikun islamik” që po vinte nga Lindja për në “Evropë”. Kjo është vërtetë një lojë shumë e ndyrë pjesë e të cilës nuk duhet të bëhet asnjë zonjë me shami dhe asnjë pelivan tjetër, tregëtar feje, që shitet tek lakuriqi i Surrelit për përfitime të ulëta të kësaj bote të fëlliqur që mbaron shpejt. Rama po luan me muslimanët dhe ashtu siç luan me të gjithë njerëzit e tij më të afërt. Ai është njeriu më i pabesë që mund të ketë njohur ndonjëherë historia politike e Shqipërisë dhe kujdesni vajza dhe zonja me shami kresë. Zakoni më i dashur i Ramës është t’i përdorë njerëzit dhe më pas t’i shesë. Ai është si gjarpri që pasi e kaloi breshka në anën tjetër të lumit e pickoi dhe ia nguli helmin e tij. Kur breshka e pyeti, përse o gjarpër ma bërë këtë. Ai i tha: “Ma bëj hallall moj breshkë, por më është bërë ves”.

Rama nuk ka asnjë të drejtë të përdorë identitetin fetar të një pjese të madhe të shqiptarëve për llogari të agjendave të tij të errëta politike dhe kriminale dhe Komuniteti Musliman Shqiptar duhet urgjentisht të distancohet nga ky sharlatan dhe çdo sharlatan tjetër politik që përpiqet të bëjë tregëti me fenë dhe simbolet e saj.

Shqiptarët janë krenarë që janë evropianë, vendas dhe autoktonë. Janë evropianët më të lashtë të kontinentit dhe për këtë nuk kanë nevojë për dëshminë e askujt. Janë krenarë për identitetin e tyre Kombetar dhe për gjakun që u rrjedh në vena e i bashkon të gjithë. Janë krenarë për identitetet e tyre religjoze cilatdo qofshin ato dhe nuk do të lejojnë asnjë sharlatan politik që ta përpiqet të përdorë këto karta për llogari të pushtetit të tyre politik dhe ekonomik. Ne Evropë shkohet me reforma, me Shtet të së Drejtës, me luftë kudër organizatave kriminale, kundër krimit, kunder korrupsionit, kundër drogës dhe nëpërmjet reformave radikale që kanë për qëllim të modernizojnë sistemin tonë politik dhe ta bëjnë atë më efiçent. Libanizimi i Shqipërisë, do të thotë fundi i saj! /Puls7

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne