Kur më 1919 e keqja vinte nga Parisi, nga vjen e mira më 2019?

Qeveritë shqiptare të pasluftës që u përballën me problemin e shtetndërtimit dhe mungesës së stabilitetit politik, nuk mundën që të bëjë asgjë me shumë për çamët, përpos kërkesave dhe protestave para Lidhjes së Kombeve. Lidhja e Kombeve asnjëherë nuk e shqyrtoi me seriozitetin e duhur çështjen çame. Si zakonisht, ajo formonte komisione hetimore, të cilat jo gjithnjë raportonin paanshëm për të gjitha episodet e golgotës çame dhe, si përfundim, Lidhja e Kombeve mjaftohej duke ia tërhequr vërejtjen Greqisë

Shkruan: Zejni MAZLLAMI, Tetovë

Manipulimi i historisë për qëllime politike është një traditë e hershme, e cila mund të gjendet pothuaj kudo në botë. Përshkrimi i qëllimshëm që i bëri totalitarizmi së shkuarës nuk është dhe aq ndryshe në thelb nga çdo përshkrim tjetër historiografik. Historishkrimi është një ligjërim i lidhur thellësisht me politikën. Faktet historike asnjëherë nuk arrijnë te ne “të pastra”. Ato çdoherë thyhen nga ndërgjegjja e shkruesit. Prandaj duhet t’i kushtojmë vëmendje sa faktit, po aq edhe transmetuesit të tij.

Për Shqipërinë dhe shqiptarët Parisi ishte i ftohtë sa Londra dhe Berlini

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Shqipërinë jo vetëm të ndarë në katër zona pushtimi, por edhe të dëmtuar rendë ekonomikisht. Veprimet ushtarake disavjeçare, që u zhvilluan mbi truallin shqiptar, i sollën Shqipërisë dëme të mëdha. Mbarimi i luftës shtroi para fitimtarëve vendosjen e paqes, kurse para shqiptarëve problemin e rifitimit të pavarësisë e të mbrojtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë nga rreziku i ri i copëtimit.

Atdhetarët shqiptarë, pavarësisht se kishin pikëpamje të ndryshme për zgjidhjen e problemeve, ishin të bashkuar në formimin e një qeverie kombëtare. Kongresi i Durrësit, që i zhvilloi punimet në javën e fundit të vitit 1918, e zgjodhi qeverinë e përkohshme nga 14 anëtarë, të udhëhequr nga Turhan pashë Përmeti, kryeministër, në kohën e princ Vidit.

Konferenca e Paqes në Paris u hap në janar të vitit 1919. Selegacioni shqiptar arriti atje thuajse me një muaj vonesë. Delegacioni shqiptar i paraqiti atje dy memorandume me dy kërkesa kryesore: 1) ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë sipas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve (1913) dhe 2) rishikimin e padrejtësive që ua kishin bërë shqiptarëve me vendimet e padrejta dhe arbitrare të viteve 1878 dhe 1913. Konferenca e Paqes në Paris jo vetëm që e refuzoi kërkesën e shqiptarëve për rishikimin e kufijve, por përkundrazi i shqyrtoi pretendimet e Greqisë për aneksimin e Korçës dhe të Gjirokastrës. Përfaqësuesit e Beogradit e pranonin ruajtjen e kufijve të Shqipërisë, por me kusht që Greqia dhe Italia të mos aneksonin asnjë pëllëmbë të Shqipërisë. Në të kundërtën, ata kërkonin të ishin pjesë e marrëveshjes për copëtimin e Shqipërisë. Edhe Italia kërkonte Vlorën dhe kërkonte protektorat mbi gjithë Shqipërinë.

Tre vendet fituese (Franca, Britania e Madhe dhe SHBA) nuk kishin qëndrim të njëjtë për te ardhmen politike e territoriale të Shqipërisë. Fuqitë e Mëdha edhe këtë herë dëshironin ta flijojnë Shqipërinë për plotësimin e apetiteve të vendeve fqinje, pavarësisht se Shqipëria nuk ishte as fajtore, as humbëse, por viktimë e Luftës së Parë Botërore. Përfaqësuesit e Francës dhe Britanisë së Madhe, me veprimet dhe pazaret para dhe gjatë punimeve të Konferencës së Paqes, jo vetëm që i konfirmuan vendimet e padrejta të paraardhësve të tyre në vitin 1913, por krijuan mundësi për copëtim të ri dhe zhdukje të Shqipërisë nga harta politike.

Që fati i Shqipërisë t’i përngjajë një tragjedie klasike greke u përkujdesen vetë delegatët shqiptarë, të cilët u përçanë në dy grupe. Në prill të vitit 1919 dy fraksionet e delegacionit shqiptar i paraqitën memorandumet e tyre, thelbi i të cilave ishte i ndryshëm nga dy memorandumet e përbashkëta te paraqitura dy muaj më parë. Delegacioni shqiptar u bashkua në gusht të vitit 1919 nën udhëheqjen e klerikut Luigj Bumçi. Në janar të vitit 1920 dy anëtarë te delegacionit shqiptar e takuan Papën, nga i cili kërkuan ndihmë, por ashtu si zakonisht, ky takim nuk dha rezultat.

Fundi i Luftës së Parë Botërore për shqiptarët jashtë kufijve vetëm e ripërtëriu dhunën dhe pushtimin e Serbisë dhe Greqisë. Ripushtimi i Kosovës u shoqërua me rivendosjen e administratës ushtarake, që ushtronte vrasje, masakra dhe dhunë të vazhdueshme, qëllimi i të cilave ishte shpërngulja në masë e popullatës shqiptare. Përmasat e terrorit te çetnikëve serbë ishin të frikshme. Ato fillonin nga vrasja e atdhetarëve shqiptarë, që e organizonin rezistencën dhe përfundonin deri te gratë, pleqtë dhe fëmijët. Menjëherë pas ripushtimit filluan të hapen shkolla në gjuhën serbo-kroate, që kishin për synim shkombëtarizimin e fëmijëve shqiptarë. Kjo dokumentohet nga planprogramet mësimore dhe tekstet shkollore. Edhe shumica e xhamive dhe institucione arsimore fetare islame ishin jashtë funksionit, kjo si pasojë e dëmtimit të godinave dhe persekutimit e burgosjes së nëpunësve fetarë. Po ashtu edhe veprimtaria fetare dhe arsimore-kulturore e institucioneve të kishës katolike në viset shqiptare zhvillohej në mbikëqyrjen e pushtetit ushtarako-policor serb.

Gjatë Luftës së Parë Botërore shqiptarët e Çamerisë dhe të krahinave tjera shqiptare në Greqi e mbështetën programin e lëvizjes kombëtare për krijimin e një Shqipërie me kufijtë e saj etnikë. Pavarësisht injorimit dhe vështirësive që kishin për t’i bindur Fuqitë e Mëdha, ato dërguan peticione dhe memorandume përmes të cilave kërkonin mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe kombëtare, të shkelura nga autoritetet greke. Vendimi i Konferencës së Paqes për ta lënë Çamërinë jashtë kufijve të Shqipërisë, ndoshta ka qenë episodi më i zymtë dhe fytyra më e errët e Fuqive të Mëdha.

Brenda pak viteve, Greqia – duke e shfrytëzuar Traktatin e Lozanës dhe Traktatin e Sevrës – i shpërnguli dhe e shpronësoi shumicën e popullatës çame, kryesisht muslimane. Mijëra shqiptarë, që e kundërshtuan shpërnguljen dhe shpronësimin, u vranë dhe masakruan nga forcat e rregullta ushtarako-policore dhe çetat andarte greke.

Qeveritë shqiptare të pasluftës që u përballën me problemin e shtetndërtimit dhe mungesës së stabilitetit politik, nuk mundën që të bëjë asgjë me shumë për çamët, përpos kërkesave dhe protestave para Lidhjes së Kombeve. Lidhja e Kombeve asnjëherë nuk e shqyrtoi me seriozitetin e duhur çështjen çame. Si zakonisht, ajo formonte komisione hetimore, të cilat jo gjithnjë raportonin paanshëm për të gjitha episodet e golgotës çame dhe, si përfundim, Lidhja e Kombeve mjaftohej duke ia tërhequr vërejtjen Greqisë.

Shqipëria dhe shqiptarët 100 vjet pas Konferencës së Paqes

Arritja më e madhe e shqiptarëve pas pavarësisë së Shqipërisë është pavarësia e Kosovës. Për herë të parë gjatë historisë, Fuqitë e Mëdha (pa Rusinë) ishin në anën e shqiptarëve, duke e korrigjuar një pjesë të padrejtësisë ndaj shqiptarëve. Por, Republika e Kosovës sot përballet me dy probleme madhore: kërcënimin e vazhdueshëm të Serbisë dhe shtetndërtimin e saj.

Në anën tjetër, Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka çështje të hapura me Maqedoninë e Veriut. Ndonëse Greqia nuk e ka shfuqizuar “ligjin e luftës” dhe i arsyeton e mbështet veprimet e ekstremistëve grekë në Shqipërinë e Jugut, Presidenti i Republikës së Shqipërisë e vlerëson ambasadoren greke në Tiranë me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Kur në Ulqin, Tivar, Plavë dhe Guci shqiptarët janë shndërruar pakicë, politika dhe opinioni shqiptar ngazëllehen me fitoren e kandidatit shqiptar në Komunën e Tuzit të Malit të Zi.

E kur Serbia e vazhdon luftën e gjithanshme me të gjitha mjetet e mundshme kundër gjithë shqiptarëve, shumica e politikanëve dhe opinionistëve shqiptarë kërkojnë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ky qëndrim kaq miqësor, madje zemërgjerë, është vazhdimësi e politikës që e ka ndjekur Tirana zyrtare në marrëdhëniet me vendet fqinje që nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore.

E përkundër përkrahjes politike dhe mbështetjes ekonomike që Ankara-ja zyrtare ia ofron Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Republika e Turqisë dhe Presidenti Erdoğan janë objekt sulmi i politikanëve, gazetarëve dhe opinionistëve të ndryshëm.

Ky standard i dyfishtë mund të mbështetet në agjenda të ndryshme, por asnjëherë në logjikë./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne