Shqiperia

Kush nga dy liderët do japë dorëheqjen në 26 qershor?!

Na ndajnë vetëm pak ditë para ditës së zgjedhjeve dhe shikojmë një situatë që për hir të së vërtetës nuk është përsëritur kurrë më parë.
Partitë politike kanë nisur fushatën për të marrë sa më shumë vota në mënyrë që të kenë sa më shumë vend në tepsinë e pushtetit.
Çdo prag zgjedhjesh ne ndeshemi me premtime, me akuza, me qortime, me mburrje nga kampet e ndryshme politike. Edhe kjo herë s’mund të bënte përjashtim. Ama ndryshe nga zgjedhjet e viteve të kaluara kemi një klimë politike shumë të tensionuar dhe pse në dukje na serviret si më e paqta.
Ndryshe nga vitet tjera këtë vit kemi një mungesë të figurës së liderit që ngjall shpresë dhe besim tek populli, në vend të tyre kemi disa drejtues partish që janë përballur me humbje të njëpasnjëshme ose me premtime të pambajtura.

Nga njëra anë kemi kreun e partisë demokratike zotin Basha, i cili që kur ka marrë postin e kryetarit të PD-së ka pësuar humbje pas humbje në të gjitha zgjedhjet si vendore apo qendrore ku partia demokratike ka marrë pjesë nën drejtimin e tij.
Ai drejtoi për tre vite e gjysëm me radhë një opozitë të fjetur, në paqe dhe harmoni me gjithçka që e quajti në fund si republika e vjetër.
Vetëm disa muaj para zgjedhjesh ngrihet në protestë për zgjedhje të lira e të ndershme, por sërish tregohet dhe më i dobët, braktis kauzat për të cilat së bashku me opozitën e bashkuar luftoi për plot 90 ditë.
Diçka që në fillim ringjalli shpresë dhe u pa vërtetë si ndryshim, pas marrëveshjes me Ramën dhe pasi nuk siguroi asgjë nga ato parime për të cilat luftoi, por vetëm disa ministra në tavolinë dhe një marrëveshje të fshehtë që ende nuk e dimë se për çfarë bëhet fjalë, nxori dhe një herë tjetër në pah paqëndrueshmërinë dhe mungesën e nuhatjes së një lideri .
Basha pavarësisht se tani trumpeton për një Republikë të Re, ai është akoma më i zhytur në Republikën e vjetër sesa vetë ata që ai i konsideron të tillë.
Një tjetër arsye që dobëson figurë e tij është dhe fakti se ai nuk arriti kurrë të shkëputet nga berishizmi, pavarësisht se pretendon se e ka bërë këtë duke eliminuar nga lista dhe figurat qendrore të PD-së për dekada me radhë.
Kjo ngjan më shumë si një nevojshmëri personale sesa si një nevojshmëri për Republikë të Re.
Nevojshmëri personale për të mbijetuar në politikë pas 25 qershorit.

Nga kampi tjetër kemi kreun e socialistëve, Edi Ramën.
Edhe Rama ashtu si Basha, nga 2005 deri në 2013 është përballur me humbje të mëdha, por në ndryshim nga Basha arriti ta tjetërsojë partinë socialiste dhe shkëpusë nga ndikimi Nano. Këtë e bëri duke eliminuar dhe zërat kritikë por mbajti pranë vetes figurat me të cilat identifikohen socialistët, bëri një miksim mes të vjetrës që përfaqësonte Nano, me të renë që përfaqësonte ai vetë .
Deri këtu gjithcka duket në rregull, ama në katër vite qeverisje Rama tregoi se e reja që ai solli në partinë socialiste ishte pikërisht ajo që do ishte goditja më fatale për të. Rama ndryshe nga çdo lider tjetër në historinë demokratike të popullit tonë, bëri njësh politikën me krimin e mirëfilltë. Kanabizmi pushtoi anë e mbanë vendin. Arroganca dhe deliri zëvendësuan progresin që ai iu premtoi popullit kur i besuan pushtetin.
Rama me qeverisjen e tij i dha jetë vargjeve të Migjenit, skaliti në çdo familje damkën e zezë të mjerimit.
Gjatë qeverisjes tij Rama u përball me kriza e disfata të njëpasnjëshme, me skandale korrupsioni brenda radhëve të qeverisë, me kriminelë droge e prostitucioni në organet që ai drejtonte.
Rama pretendon se është një lider global, ama si mund të jetë një lider global kur ka humbur besueshmërinë dhe legjitimitetin brenda vendit që ai drejton. Po është global emigrimi i popullsisë, sidomos rinisë gjatë këtij 4 vjeçari.
Kryeministri i cili privatizoi çdo media dhe vrau zërin e së vërtetës, pretendon të arrijë sërish një fitore duke përdorur drogën, krimin e hajdutërinë.

Kemi dy humbës kronik Ramën dhe Bashën, dy kryetarë partish që e kanë gjetur gjithçka gati, e nuk iu është dashur kurrë të luftojnë për ta ngritur partinë që drejtojnë.
Kemi dy pasardhës njëri më i dështuar se tjetri. Të dy kanë ardhur në pushtet pasi liderët e mëparshëm dhanë dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme, Nano në 2005, ndërsa Berisha në 2013.
Gjasat që njëri nga ata pas humbjes të japë dorëheqjen janë të mëdha ashtu siç janë dhe arsyet.
Por a kanë dinjitet dhe kulturë të nevojshme demokratike Rama dhe Basha e të japin dorëheqjen pas daljes së rezultatit të 25 qershorit. Apo do presin që t’i largojë vetë partia përkatëse? Sepse për një gjë jemi të gjithë dakort, si Rama ashtu edhe Basha vetëm sa kanë dobësuar partitë dhe ideologjinë e partive që drejtojnë.

OPINIONE