Lejuan ndërtime pa leje në Tiranë, shkarkime e pranga policëve

Rreth orës 23:30 të së mërkurës nga Sektori për Krimin Ekonomiko Financiar në D.V.P.Tiranë në bashkëpunim me  Shërbimin  e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SH.Ç.B.A), dhe Drejtorinë e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit, si dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit “NDËRTIMI-3”, u arrestuan shtetasit, Roland Skënderi, me detyrë oficer policie  për Krimet, në Komisariatin nr.2 dhe Shyqyri Gega, 50 vjeç, Inspektor i lartë në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës.

Arrestimi i këtyre dy shtetasve u bë për veprën penale “Ndërtim pa leje”, dhe “shpërdorim detyre”, pasi më datë 23.08.2017, në rrugën Muhamet Gjollesha, Roland Skënderi ka kryer ndërtim pa leje.

Ndërsa arrestimi i inspektorit u bë për shkak se Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës kishte dijeni për këtë ndërtim pa leje dhe nuk nxorri vendim për prishjen e tij, por e kanë lejuar duke u mjaftuar me pezullim të punimeve.

Gjithashtu në lidhje me këtë çështje janë marrë masa administrative për disa oficerë policie të Komisariatit nr.2, i cili mbulon zonën ku u krye ndërtimi pa leje.

U shkarkua nga detyra dhe ka filluar hetimi disiplinor për shefin e Komisariatit të Policisë nr.2 Tiranë, e njëjta masë dhe për Shefin e policimit në komunitet, për Specialistin e policisë kriminale dhe për Specialistin e policisë së rendit, të cilët mbulonin zonë ku u krye ndërtimi pa leje.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne