Leximi mes së shkuarës dhe së ardhmes

(Një meditim i shkurtër mbi shkrimtarët Mark Tuein, F. S. Fixherald dhe Filip Roth)

Mark Tuein-i, Francis Scott Key Fixherald-i dhe Filip Roth-i nuk e kanë të përbashkët vetëm të qenurit shkrimtarë amerikanë. Ata janë shkrimtarë që kanë mundur të thurin plot origjinalitet në të ardhmen brenda të tashmes së tyre, duke krijuar një kohë të brendshme si dhuratë për breza të tërë lexuesish. Krijimi i një kohe të pafundme, përmes personazheve që veç rriten e rriten, si në rastin e Tuein-it, ose parashikimi i pasojave që sjell gërshetimi i pakontrolluar i parasë, ambicies dhe lakmisë te Fixherald-i e, së fundmi, fuqia e pafundme e joshjes dhe loja e pranimit dhe mospranimit të fuqisë së instinktit, përmes konceptit frojdian – ose vetëpërmbahu ose jepu i tëri – tek Filip Roth-i, përbëjnë një mozaik me ndryshime të jashtëzakonshme brenda një shekulli në një vend ku imagjinata dhe realiteti shpesh kanë vallëzuar pa dashur të kenë dallim të dukshëm.

Mark Tuein

Mark Tuein (lindur më 30 nëntor 1835 në Florida, Misuri, me emrin e vërtetë Samuel L. Clemens, dhe ndarë nga jeta më 21 prill 1910) ishte themeluesi i romanit të gjithëkohshëm me Tom Sojerin dhe Aventurat e Hakëlberri Finnit, të cilat nisin leximin në fëmijëri dhe pastaj kthehen në nevojën e përhershme të leximit. Tuein-i arriti të sillte personazhe që rriten së bashku me lexuesin e, njëkohësisht, mbesin atje, në një kohë që veçse e dashurojmë dhe e dashurojmë pa u ndalur, sepse na kujton lirinë e ëndërrimit, lojës, dëshirës, dashurisë, aventurës dhe të gjitha këto pa sytë nga zhgënjimi, por vetëm nga ideja se mundesh, se duhet ta provosh, se ia vlen të jetosh, duke besuar se duhet të ecësh e të ecësh pa u ndalur.

Me të drejtë Tuein-i konsiderohet themeluesi i letërsisë moderne, e njëkohësisht edhe letërsisë ku humori kthehet në shpjeguesin më të mirë të gjithçkaje. Ai njihet edhe për tregimet e jashtëzakonshme të botuara edhe në shqip nën titullin “Është gjallë apo ka vdekur”, për romanet “Princi dhe i varfëri” ose “Një amerikan në oborrin e mbretit Artur”. Por, Tomi dhe Haku do të vijojnë të mbajnë ndoshta në mënyrë të përbotshme flamurin e leximit dhe rileximit të letërsisë së tij.

Po përse duhet t’i lexojmë dy romanet, Tom Sojerin dhe dhe Hakëlberri Finnin? Sepse, përmes tyre, mund të rikrijomë bashkëbisedimin e nevojshëm të gjërave, të cilat ua kemi nevojën gjithë jetën t’i kujtojmë, për të besuar ëndrrën e përbashkët të fëmijërisë, për të besuar se, përmes tyre, mund të kuptojmë veten dhe fëmijët tanë, të cilëve mund t’iu bashkëngjitemi në nevojën e tyre për t’u rritur bashkë me gjithë gabimet dhe mrekullitë e tyre. Gjithçka vjen përmes humorit dhe dashurisë, ndërkohë që aventura veçse lëviz mozaikët që kanë nevojë të krijojnë figura dhe situata që ngjajnë thuajse me çdo mëhallë botërore ku gjallojnë fëmijët dhe dëshirat.

Fundi i pambaruar i romanit të Tom Sojerit është shtegu i një takimi të mundshëm më vonë më Bekin, vajzën të cilën ai e dashuron, përmes së cilës thur ëndrrat e së ardhmes. Haku, nga fëmijëria me Tomin kalon më pas më vete, duke sjellë një rritje tjetër. Haku (shkurtimi i Hakëlberit) është një rritje e përhershme e njeriut dhe ndoshta është përfaqësuesi më i rëndësishëm i dëshirës së Tuein-it për harmoni. Paradoksalisht, shoqërimi i Hakut me skllavin Xhim dhe përmendja e herëpashershme e fjalës “negër”, e ka lënë librin në qendër të debatit lidhur me studimin e tij në shkolla, ndërkohë që ka qenë po kaq e njohur dhe e përsëritur deklarata e Ernest Heminguejit se “E gjithë letërsia moderne amerikane rrjedh nga Haklëberri Finni”.

  1. S. Fixherald

F S. Fixherald (lindur më 24 shtator 1896 dhe është ndarë nga jeta më 21 dhjetor 1940) u bë i njohur me kryeveprën e tij Getsbi i madh, pasi përshkroi si një fluturim ëndrrën amerikane, e njëkohësisht pasojat e gërshetimit të një beteje të pakontrolluar mes parasë, ambicies dhe lakmisë, me një personazh që i bart thuajse të gjitha. Rrëfimi përmes një të treti (gjithçka rrëfehet nga i diplomuari në Jale, Nik Karrauei) i ngjan një paralajmërimi se historinë do ta bëjnë dhe do të na e shkruajnë të tjerët. E në fakt romancierit Fixherald do t’i vërtetohej çdo ditë paralajmërimi i tij mbi krizën që sjell joshja dhe moskontrolli i botës së parasë. Ribotimet dhe rivëniet në skenë të filmit me pesë versione nuk janë veçse riportretizimi i fjalëve të tij me çastet e njëpasnjëshme, që veçse vërtetojnë intuitën e tij.

Por, për Fixheraldin, cilat pyetje na vijnë më shumë ndërmend? Se jemi të rrezikuar më së shumti nga epshi dhe egoja jonë dhe ky rrezik vjen e bëhet edhe më i dukshëm dhe më i rrezikshëm kur kërkojmë të mos ndalemi duke ua rrëfyer të tjerëve. Dejzi Bukanani është një Dylqinjë moderne, së cilës ia dimë fytyrën, ndërkohë që djaloshi Getsbi, një oficer i varfër, ka ëndërrimin e Don Kishotit për dashurinë dhe hapat e Sanço Panços për pasurinë. Është Don Kishot në ndjekjen e ëndrrës, duke sjellë në pah gjithë vrapimet ndaj “Ëndrrës amerikane” të mundësisë, që mund ta arrish duke guxuar me gjithçka. I shkruar më 1925, ai duket sikur i paralajmëroi vitet e Depresionit të Madh, që do të përfshinte vitet 1929 deri në 1933, ku miliona amerikanë, ose edhe miliona në vende të tjera, përfunduan të papunë për shkak të falimentimit nga babëzia. Një libër që u riekranizua edhe në vitin 2013, duke sjellë edhe një herë rikthimin e historisë së krizës që kaploi SHBA-të dhe shumë vendeve në botë pas një krize të re. Gërshetuar mes epshit, ambicies dhe lakmisë, Fixherald-i ka mundur të jetë pjesë e rileximit të madh të letërsisë, si një parashikues i enigmës së madhe të shpirtit njerëzor dhe ashpërsisë së historisë që nuk fal asnjë përsëritje gabimesh.

Filip Roth

Filip Roth (ka lindur në Nju Xhersi, në mars të vitit 1933) është sot ndoshta metafora e meditimit të shoqërisë, sidomos asaj amerikane. Romanet e tij Ankimi i Portonit, Inati ose Del Hija për shumë vite me radhë kanë qenë objekt debatesh, pa shmangur edhe shumë prej romaneve të angazhuara mes 23 romaneve që numëron Roth-i. Ai është vlerësuar dy herë me Çmimin Kombëtar të Kritikëve, tre herë me “PEN/Faulkner Award”, ka marrë çmimin “Pulitzer” në vitin 1997, si dhe çmimin “Princi i Asturias në Letërsi”. Ai ka provokuar debate socio-politike edhe me romanin e tij Martesë me një komunist ose Komplot kundër Amerikës, por romani që e ktheu në qendër të shumë diskutimeve ishte Ankimi i Portonit.

Personazhet e Roth-it nga libri në libër kanë kapërcyer nga optimizmi dhe satira drejt frikës dhe parandjenjave negative për vete dhe për shoqërinë. Megjithatë, shumë prej kritikëve e konsiderojnë Roth-in si shpjegues i revolucionit seksual përmes monologut. Personazhi i tij, me një përshkrim përballë psikologut, ku përfshihen epshi, joshja, lojërat dhe vuajtjet seksuale, ndërton tragjikomedinë prej marrëdhënieve mes kontradiktës, që lind shpesh mes vetëpërmbajtjes dhe dhënies pas epshit, ndërsa në romanin Del Hija duket sikur kërkon të na këshillojë: “Kujdes, e vetmja mënyrë për ta menaxhuar tronditjen nga seksi dhe epshi është kur e pranon… fuqinë e tij”. Për Roth-in nuk ka rëndësi profesioni, përvoja ose mosha. Gjithnjë je i rrezikuar nëse ia lë sigurisë se mund ta kapërcesh lehtësisht joshjen.

Kritika e konsideron romanin Ankimi i Portnoit si një libër i revolucionit seksual, një monolog erotik e njëkohësisht libri më komik për seksin. Aleksandër Portnoi është ulur dhe po rrëfehet përballë psikanalistit të tij për çfarë ka ngjarë me seksin, epshin, obsesionin, joshjen, lojërat dhe vuajtjet e tij seksuale. Në të vërtetë, rrëfimi i tij është një monolog i gjatë i një djaloshi të varur plotësisht nga seksi, të diktuar nga epshi dhe kureshtja ndaj nënës së tij dhe nga një përkujdesje fatale për të mos i cenuar kodet morale të përcaktuara nga brezat e familjes së tij, trysni kjo e dhënë nga Philip Roth-i përmes një rrëfimi sa komik, aq edhe të vërtetë e të dhimbshëm. Një çrregullim trupor, i ndikuar sa nga fiziku, aq edhe nga etika familjare e prejardhjes së Portnoit, si dhe impulset e tij altruiste, përplasen me një dëshirë të skajshme seksuale të tij, shpesh edhe me natyrë perverse, që e bëjnë Aleksandër Portnoin të gjendet shpesh në situata të vështira.

Paradoksalisht, në epokën e komunikimit të gjithanshëm që jeton ende, Filip Roth-i ka preferuar të qëndrojë i heshtur. Intervistat e tij janë të rralla, edhe pse librat e tij vijojnë të jenë shtysë e madhe  debatesh. Roth-it i pëlqen ta drejtojë lexuesin në njohjen e botës përmes pyetjeve që sjell përmes rrëfimit dhe personazheve. Ai nuk beson se janë përgjigjet e tij, si autor, ata që i japin origjinalitetin, por fuqia për të pyetur që lind nga rrëfimet. Ai përdor monologun ose ndërmjetësinë e një shkrimtari që rrëfen për jetën e pazbuluar të një tjetër rrëfimtari. Këtu ai bashkohet me Tuein-in dhe Fixherald-in, që e përfshijnë lexuesin në botën e rrëfimit. Tuein-i e llogarit lexuesin kur i drejtohet si një ndërmjetës për historitë që sjell si rrëfim. Ndërkaq Fixherald-i e përdor Nik Karraueinin për të pasyqruar ngritjen dhe rënien e Getsbit përballë “përrallëzës Dejzi”.

Tuein-i, Fixherald-i dhe Roth-i përbëjnë një mozaik të rëndësishëm të kuptimit të udhës së njeriut, ku fëmijëria, ëndrrat dhe pafuqia e së pathënës – sidomos së pathënës që na ndjek përmes dëshirave dhe instinktit – arrijnë të na japin botën e madhe të pyetjeve, për të cilat kemi nevojë të kërkojmë disa përgjigje. Të paktën përgjigjet që na duhet t’i japim emër jetës sonë.

Agim BAÇI

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne