Lideri iranian dënon revistën Charlie Hebdo për karikaturat fyese ndaj Profetit Muhamed

Udhëheqësi iranian Ali Khamenei dënoi revistën franceze sarkastike Charlie Hebdo për ribotimin e karikaturave fyese ndaj Profetit Muhamed.

Në një deklaratë me shkrim, Khamenei e cilësoi si “mëkat i madh i pafalshëm” publikimin e karikaturave në fjalë nga revista Charlie Hebdo.

“Botimi mbi fytyrën e ndritshme të Profetit ka zbuluar edhe një herë urrejtjen dhe armiqësinë e organeve politike dhe kulturore të botës perëndimore ndaj Islamit dhe myslimanëve”, është shprehur lideri iranian.

Ai theksoi se mosdënimi Charlie Hebdo-s për arsye të tilla si “liria e shprehjes” është “e gabuar dhe synon të mashtrojë opinionin”.

“Politika e thellë e fuqive cioniste dhe imperialiste luan një rol të madh në hapa të tillë. SHBA-ja dhe Izraeli mund të kryejnë veprime të tilla për të larguar vëmendjen e shteteve dhe kombeve në Azinë Perëndimore nga planet që ata zbatojnë. Vendet në Azinë Perëndimore nuk duhet ta harrojnë armiqësinë e Perëndimit ndaj Islamit dhe myslimanëve”, ka thënë Khamenei.

Ndryshe, revista, e cila botoi karikatura fyese ndaj Profetit Muhamed para dhe pas sulmeve në janar të vitit 2015, ribotoi karikaturat më 1 shtator të këtij viti./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne