Bota

Londra emëron peshkopen e parë femër

Sarah Mullally u emërua të shtunën si Peshkopja e parë femër e Londrës, duke u pozicionuar si personi i tretë më i lartë për nga pozita në Kishën e Anglisë. Mullally u emërua si peshkopja e 133-të e Londrës në Katedralen e Shën Palit në ditën ndërkombëtare të Infermiereve – ditëlindja e Florence Nightingale – duke i bërë jehonë ish-karrierës së peshkopes si infermiere.

Ajo ndoqi traditën duke trokitur tri herë në portën e Madhe Perëndimore të katedrales bashkë me stafin e saj të pastorëve. Ajo tani është klerikja e tretë më e lartë i kishës së shtetit, pas kryepeshkopëve të Canterburyit dhe Yorkut. Në predikimin e saj, ajo foli për sfidat me të cilat ballafaqohet Londra, veçanërisht përshkallëzimin e krimeve me mjete të ftohta si dhe përmendi abuzimet seksuale historike brenda kishës. “Ne duhet të flasim për të gjithë Londrën, duhet të punojmë për sfidat ndaj dhunës dhe krimit që i kanë bërë nënat të pastrojnë gjakun e fëmijëve të tyre nëpër trotuaret tona”, tha ajo.

“A mund të ketë një imazh më solid apo një thirrje më urgjente për të gjithë ata që e duan këtë qytet, të cilët besojnë se mund të ketë një të ardhme edhe më të mirë?”

Sinodi i përgjithshëm i Kishës së Anglisë dha miratimin përfundimtar në vitin 2014 për një reformë historike që lejonte emërimet për peshkopet femra, pas vitesh të tëra grindjesh midis fraksioneve që e kundërshtonin dhe atyre që e mbështesnin.

Kisha e Anglisë e emëroi peshkopen e parë femër në janar 2015. Gratë kanë qenë në gjendje të zgjidhen si priftëresha në Angli që nga viti 1992 dhe tani përbëjnë një të tretën e klerit.

Kisha e Anglisë u nda nga Kisha Katolike Romake në vitin 1534. Ajo pretendon se më shumë se 40 përqind e njerëzve në Angli e konsiderojnë veten si anëtarë të saj. Ajo është kisha kryesore e Bashkimit Anglican botëror, i cili ka rreth 85 milionë pasues në më shumë se 165 vende.

Kisha të tjera anglikane në mbarë botën kanë emëruar peshkope femra për vite me rradhë. E para u emërua në Shtetet e Bashkuara në vitin 1989./AFP/Gazeta Impakt

OPINIONE