Lungomare në Vlorë ka përfunduar, por “thith” edhe 2 milionë euro

Një nga projektet e Rilindjes Urbane ka qenë “Lungomare” në Vlorë, i cili kushtoi disa milionë euro, dhe u propagandua nga qeveria si një nga arritjet e saj më të mëdha.

Madje, vitin e kaluar, qeveria bëri një miting madhështor duke e përuruar pak para zgjedhjeve elektorale të 25 qershorit. Aktualisht Lungomare ka përfunduar dhe është e aksesueshme për turistët vendas dhe të huaj. Por qeveria shqiptare ka alokuar edhe një tjetër fond, për përfundimin e punimeve.

Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tenderi të ri që po bëhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me objekt “Vazhdimi i Shëtitores se Vlorës – Segmenti jugor nga Fusha e Sportit deri te Tuneli”. Fondi është 199.079.827 lekë pa TVSH (Me TVSH mbi 2 milionë euro).

Sipas dokumenteve, projekti përfshin ndërtimin e një shkallareje buzë detit me beton, që zbret nga shëtitorja në det. Morfologjia e bregut në këtë pjesë merr formën e “breg mesatarisht i lartë” dhe shkallët e bëjnë zbritjen në det më të lehtë. Sipas dokumentit, për përmirësimin e bazës së themelit, vendoset një shtresë gurësh me peshë 10 kg-15 kg.

Mësohet se materiali që do të përdoret për rimbushjen dhe themelin duhet zgjedhur në mënyrë të tillë që të shmangin zhytjet diferenciale. “Pjesa e zhytur e shkallares konfigurohet nga pikëpamja statike si strukturë mbajtëse, prandaj i nënshtrohet presionit të tokës dhe ngarkesave duke përfshirë tërmetet dhe veprimin e valëve. Për sa i përket veprimit të valëve, problemet kryesore lidhen me forcat e ushtruara nga dallgët e pathyera, dallgët e thyera dhe mbivendosjen, dhe si rrjedhojë me mbulimin nga dallgët në periudha më të mëdha kohore. Forcat e transmetuara gjatë kushteve të dallgëve të larta drejtohen në kahun e kundërt të presionit të tokës dhe zakonisht janë më pak të rënda për kushtet e rrëshqitjes dhe kthimit” – thuhet në dokumente.

Projekti, i njohur edhe si “Lungomare”, i financuar nga BE-ja me një fond prej rreth 8.2 milionë euro (pa përfshirë TVSH-në). Investimi parashikonte rehabilitimin e rreth 4 km rrugë aktuale, ndërkohë pjesa kryesore e shëtitores ka një gjatësi prej 3.5 km. Fondet e dhëna nga Bashkimi Europian, duket se nuk kanë mjaftuar për ndërtimin e këtij projekti, të ideuar sipas shijeve të kryeministrit Rama. Tashmë, do të duhen edhe 2 milionë euro për të përfunduar Lungomaren e papërfunduar./TPZ.AL/

Më poshtë dokumenti i shpalljes së tenderit:

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne