Mali i Zi, kallëzim penal për disa deputetë të Frontit Demokratik

Deputetët e Frontit Demokratik (FD) në Parlamentin e Malit të Zi, Milun Zogoviç, Andrija Mandiç dhe Milan Knezeviç, do të sillen para prokurorit kompetent për kallëzime penale për shkak të incidentit në sallën plenare të parlamentit gjatë votimit për Ligjin për liritë fetare.

Drejtoria e Policisë së Malit të Zi tha se do të fillojë procedura kundërvajtëse kundër deputetëve të tjerë të arrestuar të FD-së për shkak të shkeljeve në bazë të Ligjit për rendin publik dhe paqen.

“Policia gjatë natës ka vepruar në përputhje me ligjin dhe ka aplikuar mjete detyruese në përputhje me kompetencat ligjore. Pas incidentit në Kuvend, ndërsa me kërkesë të Kryetarit të Parlamentit për ndërhyrje policore, si pasojë e eskalimit të ndodhive në sallën plenare, në hapësirën zyrtare të Qendrës malazeze të sigurisë janë ndaluar 22 persona, prej të cilëve 17 deputetë të FD-së”, theksuan nga Drejtoria policore.

Ata theksuan se mbi ndodhitë në Parlament është lajmëruar prokurori shtetëror në Prokurorinë Themelore Shtetërore në Podgoricë.

“Pas vlerësimit të provave, ai urdhëroi që Zogoviçi të arrestohet me dyshimin se ka kryer veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, dhe Mandiç dhe Kneževiç me dyshimin se kanë kryer veprën penale të parandalimit të një zyrtari në ushtrimin e detyrës zyrtare”, theksojnë në Drejtorinë e Policisë.

Po ashtu theksohet se policia ka kryer inspektim në ambientet e Kuvendit dhe ka marrë gjurmët nga vendi i ngjarjes dhe ka vërejtur dëme në inventar. Gjithashtu u paralajmërua se policia do të monitorojë ngjarjet aktuale dhe do të veprojë në mënyrë efektive në përputhje me kompetencat ligjore në interes të sigurisë së të gjithë qytetarëve.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë, Veselin Veljoviç, tha se policia malazeze ka treguar shkallë të lartë të tolerancës dhe shqetësimit për sigurinë e qytetarëve gjatë kohëzgjatjes së debatit kuvendor mbi Ligjin për liritë fetare.

“Policia tregoi shkallë të lartë të tolerancës dhe shqetësimit për sigurinë e të gjithë qytetarëve”, bëri të ditur Veljoviç në Twitter./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne