Maqedoni e Veriut, fillon votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Në Maqedoninë e Veriut ka filluar votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Votimi filloi në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 21:00, në gjithsej 3.390 vendvotime në gjashtë njësitë zgjedhore të vendit. Sipas Listës Zgjedhore të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kanë 1.814.263 qytetarë.

Procesi i votimit në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të parë po zhvillohet tre ditë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19)

Të hënën, më13 korrik, votuan personat e infektuar me COVID-19 dhe personat në vetizolim. Sipas informatave të KSHZ-së, të drejtën e votës e shfrytëzuan 723 qytetarë që janë të infektuar me COVID-19 ose janë në vetizolim.

Këto votime i zbatuan këshilla të veçanta zgjedhorë të përbëra nga tre përfaqësues të stafit mjekësor dhe përfaqësues të partive politike.

Dje, më 14 korrik, të drejtën e tyre të votës patën mundësinë ta shfrytëzojnë 8.855 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, 357 persona që gjenden në 17 shtëpi pleqsh, 1.657 të burgosur në 13 burgje dhe 6 persona të zhvendosur në Qendrën e Personave të Zhvendosur.

Për 120 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut garojnë 15 koalicione dhe parti politike me gjithsej 1.560 kandidatë.

Pas prezantimit të pluralizmit politik, vendi ka mbajtur pesë herë zgjedhje të rregullta parlamentare dhe katër herë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e para parlamentare u mbajtën kur vendi ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, ndërsa zgjedhjet tjera u mbajtën pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1991./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne