Maqedoni – Zaev: Athina dhe Shkupi më pranë se kurrë një zgjidhjeje të konfliktit

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, u shpreh i bindur se vendi i tij nuk kishte qenë kurrë kaq pranë një zgjidhjeje të konfliktit me Greqinë duke shtuar se një dështim nuk do të ishte fundi i botës.

“Mendoj se ne s’kemi qenë kurrë në rrethana kaq të mira për të arritur në një zgjidhje të plotë, që do të zgjasë gjithmonë”, deklaroi Zoran Zaev në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve, “AFP”.

“Por, nëse kjo mosmarrëveshje nuk do të zgjidhet, nuk do të jetë fundi i botës, ne do të vazhdojmë programin tonë evropian në një mënyrë apo tjetrën”, shtoi Zaev.

Kandidate që prej vitit 2005, Maqedonia ka marrë këtë javë një rekomandim nga Komisioni Evropian për një hapje të pakushtëzuar të negociatave të anëtarësimit në BE.

Ashtu si integrimi në NATO, kjo e fundit po përballet me mosmarrëveshje të vjetra prej një çerekshekulli me Greqinë, vend që i mohon fqinjit të drejtën për t’u quajtur “Maqedoni”.

Ajo gjithashtu ka mosmarrëveshje për trashëgiminë historike, veçanërisht për mbretërit antikë Aleksandri i Madh dhe Filipi i Maqedonisë, që dy vendet pretendojnë.

Me mbërritjen në pushtet në Shkup të Zoran Zaevit në vend të nacionalistit Nikola Gruevski, Athina dhe Shkupi kanë rifilluar diskutimet e tyre.

Dy palët po bisedojnë për një emër të ri si “Maqedonia e Epërme” (Gorna Makedonija).

Duke konfirmuar se një pjesë e madhe e çështjeve janë zgjidhur tashmë, Zoran Zaev ka refuzuar të japë më shumë detaje për negociatat duke theksuar se kjo mund të shkatërronte plotësisht procesin.

“Rekomandimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE është një portë e hapur”, theksoi Zaev duke shtuar se kjo është shumë e rëndësishme për Maqedoninë.

“Një integrim evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor është gjithashtu një premtim stabiliteti për kontinentin”, theksoi kreu i Shkupit zyrtar. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne