Mardini, qyteti historik mes lumenjve Tigër dhe Eufrat

Mardini është një nga qytetet më të larmishme që mund të shihni me strukturën kulturore dhe vendndodhjen gjeografike të tij. Ai pozicionohet në krahinën e Anadollit Juglindor të Turqisë. I ndërtuar në këmbët e një kodre, mbi të cilën qëndron edhe një kala, qyteti shikon fushën e Mesopotamisë. Mardini tërheq vëmendjen me arkitekturën e tij unike dhe i çon vizitorët në të kaluarën sa mistike, aq edhe intriguese të Lindjes.

Duke qenë se gëzon një vendndodhje strategjike midis lumenjve Tigër dhe Eufrat, Mardini është një qytet me histori të lashtë, i cili u ka hapur gjirin civilizimeve dhe besimeve të ndryshme. Banimi i qytetit mendohet të ketë filluar 3.000 vite më parë duke hyrë respektivisht në sovranitetin e asirianëve, hitëve, urartianëve dhe medëve. Ai ka parë gjithashtu dominimin e romakëve në Anadoll. Kurse pas bizantinëve, Mardini është bërë pjesë e territoreve turke në shekullit XI.

I vendosur mbi Rrugën e Mëndafshit, Mardini është një nga vendbanimet më të vjetra në Mesopotaminë e Epërme. Kur shikoni pamjen e përgjithshme të qytetit, vëmendja juaj tërhiqet fillimisht nga shtëpitë e ndërtuara me gurë gëlqerorë të verdhë. Portat e këtyre shtëpive me famë botërore hapen në fushën e begatë të Mesopotamisë. Duke qenë se janë ndërtuar në shpatin e kodrës, ato janë të paktën dykatëshe dhe janë planifikuar në mënyrë të atillë që hija e njërës të mos bjerë mbi tjetrën. Shtëpitë prej guri gëlqeror janë të freskëta në verë dhe të ngrohta në dimër. Kur rrezet e diellit të Mesopotamisë reflektohet në gurin gëlqeror me nuancë të verdhë, qyteti merr ngjyrën e perëndimit dhe një pamje përrallore, e cila ju bën të kuptoni pse Mardini quhet “qyteti i diellit”.

Si një muze i hapur në natyrë, Mardini ofron shumë për të parë dhe shëtitur. Një prej tyre është Qyteti Antik i Darës. Ashtu si dhe Mardini, një nga vendbanimet më të vjetra në Mesopotaminë e lashtë, Dara do t’ju lërë mbresa të jashtëzakonshme sidomos me qytetin nëntokësor 40 m të thellë, ku mund të vizitoni një mulli, një kishë, një pazar dhe disa sterna.

Një prej simboleve të Mardinit është Manastiri i Shën-Ananias. Ky objekt kulti, i cili është ndërtuar fillimisht në shekullin V dhe ka marrë trajtën e sotme me anë të shtesave të ndërtuara gjatë periudhave të mëvonshme, renditet në mesin e qendrave fetare të siriakëve ortodoksë. Ai shërben ende sot e kësaj dite si faltore.

Xhamia e Madhe (Ulucami) është një tjetër vepër e rëndësishme në qendër të Mardinit. Ajo është ndërtuar në shekullin XII dhe konsiderohet si një prej xhamive më të vjetra në Anadoll. Minarja e saj madhështore zbukuron siluetën e qytetit. Objekte të tjera që vlen të shikohen janë gjithashtu Xhamia Shehidije, Xhamia e Melik Mahmutit, Xhamia Latifije dhe Xhamia e Nexhmedinit.

Kurse Medreseja Zinxhirije është ndër veprat më të bukura që kanë mbërritur deri në të sotmen nga shekulli XIV. Madje ka edhe një histori shumë interesante. Personi që ka urdhëruar dhe financuar ndërtimin e saj, Isa Beu, pas humbjes në një luftë, është mbajtur rob dhe burgosur pikërisht në medresenë e ndërtuar nga ai vetë.

Medreseja Kasimije, e cila është ndërtuar në një kohë të mëvonshme, ka qenë një prej qendrave më të rëndësishme arsimore të rajonit në periudhën aktive të saj. Përveç xhamisë dhe tyrbes, kjo medrese me 23 klasa është ndërtuar si një kompleks arsimor dhe shkencor.

Tjetër monument i famshëm dhe madhështor i komunitetit siriak ortodoks është edhe Manastiri i Shën-Gabrielit apo i Gabrielit të Purpurtë, i cili ndodhet në zonën e quajtur Midiat. Ai është manastiri më i vjetër siriak ortodoks që ka mbijetuar në botë. Themelet e tij janë hedhur në vitin 397 dhe objekti është përfunduar brenda në kohe mjaft të shkurtër. Megjithatë ai ka pësuar transformime të shumta me shtesa të brendshme dhe të jashtme në periudha të ndryshme.

Nga shekulli VI në të sotmen ka mbërritur po ashtu Kisha e 40 Shenjtërove ose Mor Benham, e cila spikat me kullën e kambanës dhe dyert e drunjta të punuara me mjeshtëri të rrallë. Në fund të shekullit XIII, kur Mardini ishte Qendra e Patrikanës Siriake, çështjet administrative dhe fetare të popullit qeveriseshin nga kjo kishë.

Me medresetë, xhamitë, kishat dhe manastiret e tij, Mardini ju mirëpret si një qytet ku besimet e ndryshme bashkëjetojnë të gërshetuara dhe në paqe. Rrugicat e ngushta, shtëpitë e gurta, kështjella që dominon qytetin, pazaret historike dhe kafenetë, të cilat ju ngjallin ndjenjën e udhëtimit në të shkuarën, janë në pritje për t’ju çuar juve në një atmosferë magjike.

Nëse vizitoni Mardinin, qytet që sot tërheq turistë nga shumë vende të botës, ne ju rekomandojmë të shihni Muzeun e Mardinit, ku ekspozohen vepra shumë të rëndësishme, si dhe qytezën e Midiatit.

Mardini është i famshëm për filigranin, punim argjendarie në trajtën e një dantelle të thurur me fije të holla e të dredhura argjendi. Kështu, një tjetër sugjerim modest nga ana jonë është të blini nga këto vepra që dalin nga duart e mjeshtërve mardinas.

Po ashtu mos bëni gabim të ktheheni pa provuar shijet tradicionale të kuzhinës së pasur të qytetit, sidomos dollmanë e brinjëve të qengjit dhe petën e mbushur me mish të grirë, e cila quhet sembusek dhe njihet ndryshe si pica e Mardinit.

Mirë u takofshim në destinacionin e radhës!/trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne