MBI 1 MIJË KOSOVARË SHKOJNË NË HAXH KËTË VIT

Për çdo vit, besimtarët myslimanë nga e gjithë bota marrin rrugën për në vendet e shenjta, Meke dhe Medine për të kryer një nga pesë obligimet e fesë islame, Haxhin. Edhe nga Kosova, numri i besimtarëve që kanë nisur këtë rrugëtim nuk është i vogël.

Gjithsej 1 mijë e 80 besimtarë nga vendi janë nisur këtë vit në Haxh, gjersa sipas një llogaritje për këtë rrugëtim ata kanë shpenzuar mbi 4 milionë euro.

Krahasuar me vitin e kaluar, numri i besimtarëve që kanë shkuar në haxh nuk është se ka ndryshuar.

Kështu  ka thënë zëdhënësi për Media në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), Isuf Sadriu.

Sadriu ka thënë se edhe këtë vit, shumica prej besimtarëve që kanë marrë rrugën për në vendet e shenjta janë burra.

Gjersa, shton se edhe vitin e kaluar numri i besimtarëve që kanë marrë rrugën për në Haxh ka qenë i njëjtë.

“Numri i besimtarëve të cilët kanë marre udhën për në vendet e shenjta për ta kryer haxhin këtë vit është 1080.Nga ta, 710 janë të gjinisë mashkullore, kurse 370 janë të gjinisë femërore”, ka thënë Ahmeti.

Por, këtë vit besimtarëve myslimanë u është dashur që të dhënë 400 euro më shumë se sa në vitet e kaluara. Prej 3 mijë e 400 euro sa paguanin vjet për të shkuar në haxh, këtë vit çmimi është rritur për në 3 mijë e 800 euro.

“E gjithë kjo pasi që çmimet e shërbimeve në Arabinë Saudite kanë shënuar ngritje. Koston e aranzhmanit e potencuam më lartë, pse çmimi i aranzhmanit këtë vit është më i  lartë, është shkaku se janë ngritë çmimet e shërbimeve në Arabinë Saudite”, thuhet në përgjigjet e Sadriut.

Edhe në Drejtorinë e Haxhit dhe Umres pranë BIK-ut, kishin njoftuar se këtë vit aranzhmani kushton më shtrenjtë. Nga kjo zyrë kishin thënë se për herë të parë e kanë shtuar edhe TVSH-në dhe taksat në Arabinë Saudite, gjë që nuk ka ekzistuar viteve të kaluara.

Zëdhënësi i BIK-ut thotë se edhe këtë vit, haxhilerët vijnë nga tërë territori i Kosovës. Por, shton se me numër më të madh janë ata nga qytete si Prishtina, Prizreni dhe Ferizaj.

E ndonëse shumë prej besimtarëve marrin rrugën për në këto vende të shenjta, ka të tillë që nuk kthehen. Pothuajse çdo vit, gjatë këtij rrugëtimi vdesin një deri në dy haxhilerë nga Kosova. Ani pse, Sadriu thotë se ka ndodhë që të mos kenë fare raste vdekjeje.

Të gjithë ata që ndërrojnë jetë gjatë këtij rrugëtimi, varrosen në vendet e shenjta.

“Ndodhë qe edhe gjatë këtij rrugëtimi të vdes ndonjë prej haxhilerëve. Ata varrosen si të gjithë haxhilerët tjerë nga e gjithë bota atje, ne Meke ose Medine, varësisht se ku ndërrojnë jete. Ka ndodhë që të mos kemi raste vdekjeje fare, por ndodhë që të vdes një apo dy haxhilerë”, deklaron Sadriu.

Por, jo vetëm myslimanët nga Kosova do të paguajnë kaq shtrenjtë për të kryer Haxhin. Në secilin prej vendeve, ku jetojnë myslimanët çmimi është rritur.

E sipas arsyetimeve të bashkësive fetare të vendeve të rajonit, rritja e çmimit për kryerjen e haxhit ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve në Arabinë Saudite.

Këtë vit shumën më të lartë për shkuarjen në haxh do ta paguajnë besimtarët nga Bosnjë e Hercegovina (4.200 euro) dhe Maqedonia (4.100 euro), ndërsa besimtarët nga Shqipëria do të paguajnë çmimin më të ulët prej 3.500 euro.

Nga Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë (BFI) kanë bërë të ditur se për shkuarjen në haxh, sivjet do të paguajnë nga 4.100 euro, çmim i cili vitin e kaluar ishte 3.900 dollarë (rreth 3.380 euro).

“Kushtet më të avancuara hotelerike, udhëtimet më të sigurta dhe më komode, rritja e çmimit të taksave të ndryshme dhe të qëndrimit në çadrat e Arafatit, diktojnë një çmim paksa më të lartë se sa që ishte në vitin 2017”, theksuan nga BFI-ja.

Sipas të dhënave të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, tarifa për Haxhin për vitin 2018 është 3.500 euro. Ndërsa çmimi në total për kryerjen e Haxhit për besimtarët myslimanë nga Shqipëria për vitin 2017 ishte 3.000 euro, që i bie se këtë vit haxhinjtë do të paguajnë 500 euro më shumë.

Sa i përket çmimit që duhet të paguajnë myslimanët e Bosnjë dhe Hercegovinë për të kryer haxhin, ai është më i larti në rajon. Besimtarët e këtij vendi duhet të paguajnë 8.150 marka konvertibile (4.200 euro) për të shkuar në haxh.

Ndërkaq, haxhinjtë nga Serbia këtë vit kanë paguar 3.600 euro për shkuarjen dhe qëndrimin në haxh, ndërsa nëse dikush nga besimtarët e Serbisë ka shkuar në haxh në tre vitet e fundit, ai në atë shumë duhet të paguajë 500 euro shtesë.

Nga Komuniteti Islam në Mal të Zi bëjnë të ditur se çmimi i aranzhimit të haxhit është më i lartë se çmimi i tanishëm për 300 euro, duke arritur në 3.800 euro për këtë vit.

Ndërsa, nga Bashkësia Islame në Kroaci thonë se këtë vit presin që 15 besimtarë myslimanë të organizuar nga institucioni i tyre do të udhëtojnë për në haxh, që është dyfishi i numrit të haxhinjve, krahasuar me vitin 2017.

Ndryshe, Haxhi është pelegrinazhi i myslimanëve në Mekë. Si një nga pesë shtyllat e fesë islame është një detyrim fetare që duhet të kryhet të paktën një herë në jetën e të gjithë myslimanëve të rritur të cilët janë fizikisht dhe financiarisht të aftë për të ndërmarrë udhëtimin, dhe që mund të mbështesin familjet e tyre gjatë mungesës së tyre.

Burimi: Insajderi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne