Me çfarë perspektive duhet parë Kina? (Pjesa 1.)

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Sa herë që bëhet fjalë për një vizitë të nivelit të lartë, nuk di të flas për median në Kinë, por në Turqi krijohet një agjendë antikineze që në qendër të saj ka kryesisht çështjen ujgure.

Realisht s’di të them as se deri në çfarë mase janë të sakta informacionet e paraqitura nga media për çështjen ujgure, sa prej tyre përpunohen nën ndikimin e organeve transmetuese perëndimore dhe cilat nga ato kanë për qëllim të errësojnë marrëdhëniet Turqi-Kinë. Ajo çfarë di të them me siguri është se të gjitha këto informacione, qofshin të shkruara apo audio-vizuale, tregojnë dhe shkaktojnë konfuzion serioz në lidhje me Kinën. Në këtë artikull, edhe pse mund të jetë një përpjekje e rrezikshme dhe e vështirë, unë do të ndalem mbi atë se si duhet parë Kina nga një perspektivë më e gjerë. Sepse konfuzioni në fjalë nuk ofron kontribut as për Turqinë, as për Kinën dhe as për ujgurët. Ai vetëm se shton dyshimet e të gjitha palëve.

Më 12-20 qershor 2019, me ftesë të Ambasadës kineze në Ankara dhe organizim të Qendrës për Studime Iraniane (IRAM), unë realizova një vizitë pune në Kinë si pjesë e një delegacioni prej 7 personash, mes të cilëve kishte drejtues të institucioneve të mendimit, akademikë dhe përfaqësues të medias. Në këtë kontekst, unë do të ndaj përshtypjet e mia personale nga bisedimet me institutet kryesore të mendimit, intervistat me zyrtarë publikë në Kinë dhe programet sociale të organizuara në Pekin, Shangai dhe Hangxhou.

Vështrim i përgjithshëm: Kina, me rreth 1,4 miliardë banorë, përbën e vetme mbi 20 për qind të popullsisë botërore. Gjeografikisht ka një sipërfaqe më të madhe sesa disa kontinente.

Gjëja e parë që spikat në Kinë është se ajo ka arritur një shkallë të caktuar të shpërndarjes së të ardhurave dhe ka zgjidhur në masë të madhe problemet bazë të infrastrukturës. Niveli i të ardhurave prej 10 mijë dollarësh për person vërehet qartë në vendet që vizituam. Ju mund ta shihni këtë në rrugë, infrastrukturë, makina, dyqane dhe marka.

Kur mbërrini në Pekin apo Shangai, ju nuk ndiheni sikur të jeni në Kinë. Ata s’kanë ndonjë ndryshim të madh nga ndonjë qytet japonez apo perëndimor. Ndoshta kjo mund të hetohet më shumë në zonat rurale.

Urbanizimi i paplanifikuar, të cilin e hasim shpesh në disa shtete, nuk është fort i zakonshëm vendet që pamë në Kinë. Ndërtesat e larta që ngulen si kamë në zemër të qytetit dhe prishin identitetin historik dhe klimën në këto vende, nuk të vrasin syrin në Kinë. Rrugët e gjera, hapësirat dhe parqet e mëdha, pemët e larta, zonat e gjelbra dhe arkitektura e projektuar mirë eliminon efektin e ankthit që ndërtesat e larta shkaktojnë mbi njerëzit. Ndërkohë që fenomeni i qiellgërvishtësve zhduk identitetin e qyteteve në shumë vende, në Pekin dhe Shangai kjo dukuri i jep identitet qytetit, sepse është e projektuar në harmoni me arkitekturën, natyrën dhe mjedisin.

Për shkak të popullsisë së saj, njerëzit presin një turmë të madhe njerëzish në Kinë, sikurse ndodh në Indi. Por ju nuk shihni edhe aq shumë njerëz. Raporti i njerëzve që hasni në rrugë është më i ulët sesa në Stamboll. Dallimi midis Shangait me 25 milionë dhe Pekinit me 22 milionë banorë është si ai mes Stambollit dhe Ankarasë. Njëri është një qytet shumë më global, i integruar në komunikimin dhe kulturën globale, tjetri në guaskën, rendin, ftohtësinë dhe skepticizmin e tij…

Në Kinë ka gjithashtu mungesë të standardizimit për shkak të përparimit të shpejtë. Veçanërisht në sektorin e shërbimeve, krahas shumë praktikave mjaft të mira, mund të hasen edhe praktika shumë të këqija.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë, e cila avancon me shpejtësi për t’u bërë e para: Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pjesa e saj në ekonominë botërore u rrit nga 1,8 për qind që ishte në vitin 1978, në 18,7 për qind në vitin 2017. Aktualisht është vendi me rezervat më të mëdha botërore në valutë, me 3,12 trilionë dollarë. Kina, e cila shënoi një rritje me 6,6 për qind në 2018-n, pritet që në vitin 2050 të zotërojë e vetme 20 për qind të PBB-së botërore. Ajo pritet të ndiqet nga India, ndërkohë që SHBA-ja parashikohet të bjerë në vendin e tretë. Raporti i Bashkimit Evropian pritet të mbetet në 9 për qind.

Thuhet që ky zhvillim ekonomik reflektohet edhe në jetën shoqërore. Nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949 e deri në liberalizimin e udhëtimeve jashtë shtetit në vitin 1978, udhëtime ndërkombëtare kishin realizuar vetëm 200 mijë kinezë, ndërkohë që vetëm gjatë vitit të kaluar nga Kina janë zhvilluar 130 milionë udhëtime jashtë vendit.

Një qytetërim material/teknologjik i avancuar: Mund të thuhet pa ekzagjerim se Kina është një vend shumë i zhvilluar në aspektin material/teknologjik. Kjo mund të vërehet lehtësisht në jetën e përditshme kineze. Në Qendrën Kërkimore Huawei që ne vizituam, autoritetet e atjeshme na bënë prezantime të kirurgjisë robotike, bujqësisë së automatizuar, përdorimit të mjeteve/makinave autonome dhe të tjerë dizajnë të ngjashëm.

A është i mundshëm identiteti, kultura, përkatësia e humbur apo modernizmi i stilit kinez?: Qytetërimi material/teknologjik nuk është i paarritshëm, përvoja e Turqisë tregon se aspekti material i një vendi mund të ndryshojë tërësisht në hapësirën e 10-15 viteve. I rëndësishëm është thelbi nga i cili prodhoni këtë qytetërim material, sa e reflekton ai identitetin dhe kulturën tuaj. Përpara se të shkoja atje, unë isha kureshtar nëse Kina do të kishte sukses në sfidën e ruajtjes së identitetit të saj në rrugën për t’u bërë një superfuqi, nëse do të prodhonte një modernizëm origjinal të sajin apo do t’i dorëzohej modernizmit perëndimor siç shihet në shembujt e shumë vendeve. Por kurioziteti im u shua në masë të madhe kur pash se kultura perëndimore, biznesi, moda dhe stili perëndimor nxirreshin vazhdimisht në plan të parë në vendet që pasqyrojnë fytyrën moderne të Kinës. S’ka pothuajse asnjë fotografi të modeleve kineze nëpër dyqane. Kina mund të jetë një superfuqi, por nga pikëpamja e fazës kulturore në të cilën ndodhen aktualisht identiteti dhe qytetërimi i saj, Kina nuk duket të jetë në gjendje të prodhojë një modernizëm autentik. Nga ky këndvështrim, ndikimi i saj në botë mund të jetë vetëm sa ai i një Japonie të re!

Lufta tregtare me SHBA-në? Deficiti tregtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kinës ishte 419 miliardë dollarë në vitin 2018. Ky deficit, i cilësuar si vjedhje nga Trumpi, është shkaku kryesor i luftës tregtare SHBA-Kinë. Suficiti i Kinës vetëm në raport me ekonominë amerikane është më i lartë sesa gjysma e ekonomisë turke.

Teksa e gjithë bota po flet për luftën tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Kinës, kinezët që ne patëm rastin të takojmë, i shmangen emërtimit të kësaj situate si një luftë dhe preferojnë ta përcaktojnë atë me terma më të moderuara, të një profili më të ulët. Ata mendojnë se ishin përballë një konkurrence parandaluese gjatë mandatit të Obamës dhe se tani, në kohën e Trumpit, po ballafaqohen me një rrethim. Kinezët janë të shqetësuar për dimensionet që mund të marrë kjo luftë. Ata shprehen të gatshëm për konkurrencë të ndershme. Sipas tyre, vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve është 800 miliardë dollarë, prandaj është e vështirë të ndërmerren hapa që do t’i jepnin fund këtyre marrëdhënieve. Në këtë kontekst, ata theksojnë se marrëdhëniet SHBA-Kinë nuk do të jenë si ato SHBA-Iran.

A është Kina një superfuqi? Autoritetet kineze i shmangen me këmbëngulje përkufizimit të vendit të tyre me termin superfuqi. A është kjo për shkak të modestisë së aziatikëve apo mos vallë një strategji? Kësaj nuk di t’i përgjigjem. Ata jo vetëm që nuk e përdorin këtë term për të përkufizuar vetveten, por nuk preferojnë as shumë terma të tjerë përshkrues. Kur i shprehin botës perspektivën e tyre, ata theksojnë se kanë partnerë dhe jo aleatë, përfshi këtu edhe Rusinë./trt

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne