Historia Opinion

ME RASTIN E 65 VJETORIT NGA FILLIMI I EKSODIT TË TURQVE TË MAQEDONISË, NË TURQI (2)

 Nga: Salim Kadri Kerimi, Shkup

Në Mbledhjen Plenare të Këshillit Krahinor të Bashkimit socijalist të popullit punues të Kosovës dhe Metohis, të mbajtur më 20 mars të vitit 1957, Fadil Hoxha, antar i Kryesisë të KK i BSPP të KM, Enver Hoxhës, sekretar i parë i PPSH, mes tjerash, ju përgjigj edhe për akuzat e tij, në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve nga Jugosllavija në Turqi. Ja se çfar aso kohe kishte deklaruar Fadil Hoxha rreth kësaj çështjeje:

Enver Hoxha thot në deklaratën e tij: Me dhjeta mij banorë të Kosovës e Metohis janë të detyruem me braktisë vendin dhe shtëpijat e tyne dhe me u shpërngulë në Turqi’. Si kjo, ashtu edhe çdo gja tjetër për të cilën flet Enver Hoxha në referatin e vet, nuk asht gja tjetër veçse një trillim lakuriq dhe i pakrypë. Prej çlirimit e këndej prej teritorit të Kosovës-Metpohis janë çregjistrue prej nënshtetsis jugosllave 3.208 Turq  dhe 209 Shqiptarë. Simbas shënimeve të Seksionit të punëve të mbrendshme prej të 524.559 Shqiptarëve sa janë gjithsejt në Krahinën tonë, në Turqi janë shpërngulë deri më tash vetëm 291. Vallë, a smund të shifet prej kësaj që argumentet’ e Enver Hoxhës se me dheta mijë Shqiptarë të Kosovës e Metohis po i braktisin votrat e tyne, nuk janë tjetër veçse rrenë me bisht?

Cilët janë ata njerëz që u shpërngulën ose kërkojnë me u shpërngulë në Turqi? Këta janë vetëm disa pjesëtarë të pakicës kombëtare turke, të cilët dëshirojnë me jetue në Turqi për arsye familjare, e mundej disa Shqiptarë që kanë në Turqi ose kujdestarët e familjeve ose vetë familjet e tyne,  ose bejlerët, agallarët dhe tregëtarët, ata njerëz të cilëve i asht rëmbye pushteti nga duert.

Na jemi të bindun se prej Shqipnije do të shpërnguleshin edhe ma shumë njerëz, nëqoftëse Qeverija e Shqipnis do ta lejonte një gja të këtillë. Ma në fund, për kët gja flasin ma mirë faktet kur prej Shqipnis, tue vu edhe kryet në rrezik, dhe tue kalue kufinin e rrujtun me reptësin ma të madhe u aratisën e erdhën në vendin tonë me disa mija njerëz prej Shqipnije, gjatë këtyne viteve të fundit.

Të gjithë ju e mbarë njerzit e Krahinës sonë e dijnë shum mirë qëndrimin e qeveris sonë në lidhje me çashtjen e të shpërngulunit për Turqi. Ky qëndron në faktin se pjesëtarëve të minoritetit kombëtar turk i asht mundësue – nëqoftëse shpreh dëshirë për këtë gja – me u çregjistrue prej nënshtetsis dhe me u shpërngulë për Turqi. Çregjistrimi prej nënshtetsisë mundet me iu pranue edhe atyne Shqiptarëve që kanë në Turqi familjet ose dikend si kujdestar të familjes së tyne. Na konsiderojmë se ky qendrim asht i drejtë dhe humanitar e se nuk ka kurrfarë lidhje me persekutimet e pakicave kombëtare, njashtu si dëshiron me e paraqitë kët gja Enver Hoxha. Fundi i fundit, sistemi i ynë shoqnuer asht aq i fortë, sa që skemi kurrfarë nevojë me pengue emigrimin natyral me masa administrative. Na e kemi të qartë se pse usdhëheqsija e Shqipnis po zhvillon këso fushatë shpifëse kundër Jugosllavis. Kjo sasht tjetër, porse një manevër e paramendueme mirë për shkatërimin e vllaznimit e të bashkimit të popujve të Jugosllavis[1].

Nga fjalimi i Fadil Hoxhës, të mbajtur në mbledhjen e lartpërmendur të KK të BSPP të Kosovës e Metohisë, mes tjerash mund të konkludohet se:

– kritikat e Fadil Hoxhës të drejtuara ndaj Enver Hoxhës, në çdo gjë tjetër ishin me vend dhe të merituara, por ama jo edhe ato rreth shpërnguljes të shqiptarëve nga Jugosllavija në Turqi. Sot, dhe bile atëherë shumëkush e ka/ e kishte të qartë se Enver Hoxha kishte plot të drejtë kur deklaronte se me dhjetra mijë shqiptarë po e braktisin atëdhenë dhe po shpërngulen në Turqi, por jo vetëm nga Kosova dhe jo vetëm shqiptarë, siç pretendonte/ pretendojnë ai dhe autorë të tjerë shqiptar;

– kjo, për vet faktin se në momentin kur Fadil Hoxha e lexonte referatin e tij duhej ti ishte e qartë se vetëm mes viteve 1951 dhe 1956, nga Kosova në Maqedoni[2], përkohësisht ishin të vendosur 11.526 persona, me qëllim të shpërnguljes të tyre në Turqi;

– Ai, gjith ashtu, duhej ta kishte të qartë se në periudhën nga viti 1953 e deri në vitin 1957, dhjetëra mijëra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe vise të tjera të Jugosllavisë në fakt ishin të shpërngulur dhe më tej vazhdonin të shpërngulen për në Turqi;

– vlerësimet e Fadil Hoxhës se braktisja e nështetësisë jugosllave, me qëllim të shpërnguljes në Turqi, u qenka e lejuarë vetëm një numri të vogël të pjesëtarëve të pakicave turke dhe shqiptare, nuk ishin të vërteta, meqenëse  rezultati përfundimtar i ekzodit masiv i popullatës në fjalë, shumë shpejt i demantoi pretendimet e tij dhe të zyrtarëve të tjerë jugosllav/ maqedonas/ kosovar;

– se qëndrimi i lartpërmendur i udhëheqësve jugosllavë, të cilëve si duket Fadil Hoxha u besonte verbërisht, nuk ishte i drejtë dhe human, mes tjerash, shumë shpejt u vërtetua edhe në Plenumin e Brionit të KQ të PKJ, të mbajtur më 1 korrik të vitit 1966. Në kët mbledhje të udhëheqësve më të lartë partiak të Jugosllavisë, në të cilën ndoshta ka marë pjesë edhe vetë F.Hoxha, ndër të tjera, ashpër ishte e kritikuarë dhe e dënuarë sjellja ndaj popullatës shqiptare, posaçërisht gjatë të ashtu quajturit “Aksion për mbledhjen e armëve“, që u realizua gjatë dimrit të vitit 1955/1956, kur si pasojë e sjelljes brutale të personave të caktuarë të sigurimit shtetrore, të udhëhequra nga Aleksandar Rankoviqi (Александар Ранковиќ), humbën jetën, u burgosën, ose u keqtrajtuanë një numër i madh qytetarësh të Kosovës.

Edhe pse kaluan plot 65 vjet nga rifillimi i shpërnguljes masive të turqve dhe popullatës tjetër myslimane të Maqedonisë në Turqi, deri më tani asnjë prej udhëheqësve dhe institucionevе relevante ish-јugosllave dhe maqedonase nuk morën guxim dhe nuk e panë të arsyeshme të sqarojnë se çfarë në të vërtetë ndodhi në vitet ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar – me fjalë të tjera, pse rreth 400.000 Myslimanë të Jugosllavisë, nga të cilët rreth 250.000 ishin nga Maqedonia, në kushte të paqës dhe pa ndonjë arsye objektive, u detyruan të largohen nga vatrat e tyre shekullore dhe të niseshin për në Turqi, ku i prisnin shumë gjëra të pa njohura/ të pa pritura? Me përjashtim të autorëve shqiptarë dhe boshnjak, hulumtuesit e tjerë nga hapsira ish-Jugosllave gjer më tani nuk patën guxim për ta zbuluar tërësisht të vërtetën në lidhje me këtë çështje. Në 65 vitet e kaluara në institucionet relevante jugosllave/ maqedonase bile ka dominiuarë tendenca për ta minimizuarë dhe haruarë këtë çështje. Por ama siç ka deklaruarë filozofi i njohur anglez Oldos Haksli (Aldous Leonard Huxley), “faktet nuk pushojnë të egzistojnë me anashkalimin/ injorimin e tyre[3].

Pas hulumtimit disa vjeçar që unë e realizova në arkivat të ndryshme të Maqedonisë, Serbisë, Shqipërisë dhe Turqisë, për të zbuluar të vërtetën në lidhje me këtë “enigmë” nga historia e re e Republikës të Maqedonisë, ndër të tjera, erdhа në këtë përfundim:

– shpërnguljet që ndodhën gjatë periudhës mes dy luftave botërore, si dhe gjatë dhe pas Luftës së dytë botërore, ishin kryesisht rezultat i politikës të autoriteteve të atëhershme, të cilët në një mënyrë të planifikuar, sistematike dhe të qëllimshme punuan për të inkurajuar dhe zbatuar shpërnguljen e popullatës myslimane nga krahinat të Serbisë Jugore, Maqedonisë, Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinnës, Malit të Zi dhe Sanxhakut, me qëllim të pastrimit të këtyre zonave nga popullata në fjalë, e posaçërisht nga ajo shqiptare;

– për dallim nga periudha midis dy luftave botërore, kur autoritetet e atëhershme të Mbretërisë të Serbëve, Kroatëve dhe Slovenëve/ Jugosllave punonin në mënyrë të planifikuar, sistematike dhe të qëllimshme për të inkurajuar dhe realizuar shpërnguljen e popullatës në fjalë, pa përdorur masa të tejskajshme dhunsuese, gjatë Luftës të dytë botrore, veprimet sidomos të çetnikëve të Drazha Mihailoviqit (Дража Михајловиќ), për çfarosjen e popullatës myslimane dhe për frikësimin e të mbijetuarve, ishin një praktikë e përhershme, me dijeni dhe lejë nga autoritetet në mërgim të Mbretërisë Jugosllave, përfshirë edhe nga vetë Mbreti Petar Karagjorgjeviq II (Петар Караѓорѓевиќ II), dhe autoriteteve pushtuese.

Gjatë Luftës të dytë botrore, sipas historianit turk Altan Deliorman[4], në vise të ndryshme të Jugosllavisë dhe sidomos në Bosnjë dhe Hercegovinë, rreth 250.000 Myslimanë u likuiduan dhe masakruan. Aktet për çfarosjen e popullatës myslimane gjatë Luftës të dytë botrore, por jo në përmasa të këtilla, i konfirmojnë edhe një numër autorësh të tjerë, përfshirë edhe Vladimir Dedijer (Владимир Дедијер), Milovan Gjillas (Милован Ѓилас), Misha Gleni (Misha Glenny), dhe të tjerë. Për hir të së vërtetës, akte të ngjajshme, nga ana e njësive ustashe, me pjesëmarjen edhe të një formacioni boshnjak, gjatë luftës u bënë edhe ndaj popujve të tjerë jugosllav, përfshirë edhe ndaj popullit serb.

Siç u tha edhe më parë, vitet e para pas Luftës të dytë botrore në planin e shpërnguljes të popullatës myslimane dominoi një heshtje e përkohshme, por për fat të keq kjo nuk zgjati shumë gjatë. Më 1 korik të vitit 1949 Ambasada e Republikës të Turqisë në Beograd me një note i ishte drejtuar Sekretarijatit shtetror të punëve të jashtme të Jugosllavisë, me kërkesë për lejim të shpërnguljes, me qëllim të bashkimit familjar, të 274 personave – turq me nënshtetsi jugosllave. Përgjigjja kishte qenë negative. Mirpo, qëndrimi i këtillë i organeve jugosllave shumë shpejt kishte ndryshuarë, dhe në 5 janar të vitit 1950, Jugosllavija dhe Turqija, fillimisht e arijtën/ nënshkruanë “Protokolin për dëmshpërblimin[5] e pasurive të pa tundshme të qytetarëve turk“, që nga Jugosllavija në Turqi ishin shpërngulur në periudhën nga viti 1934 e deri më 6 prill të vitit 1941. Menjëherë pas kësaj, në fillimit të vitit 1953, udhëheqja më e lartë partijake dhe shtetrore e Jugosllavisë merr vendim për të arritur të ashtuquajturën “Marrëveshje xhentlimene“, ndërsa në prill të të njëjtit vit, përsëri në Beograd, nënshkruhet “Marëveshja mes Sekretarijatit shtetror për punë të jashtme të Jugosllavisë dhe Ambasadës të Turqisë në Beograd, për shpërnguljen e turqve“. Gjatë vitit 1954, Jugosllavija bën edhe një hap më tej, duke shkelur në mënyrë flagrante marëveshjen e arijtur, dhe në vend se të lejonte shpërnguljen vetëm të një pjese të vogël të turqve, ajo i hap portat për të shpërngulur çdo myslimani që e “dëshironte“ një gjë të tillë. Në ndërkohë autoritetet përkatëse të Maqedonisë ndërmorën ca masa gjoja për ta kufizuarë shpërnguljen, por së shpejti u pa/ zbulua se ato ishin të natyrës formale, dhe nuk kishin për qëllim për ta kufizuarë proçesin e shpërnguljes, meqenëse në praktikë e bënin të kundërtën.  (Vijon)

 

salimsblog.worpress.com

 

[1] “Mbledhja Plenare të Këshillit Krahinor të Bashkimit socijalist të popullit punues të Kosovës dhe Metohis-

Fyemje e randë për shqiptarët e Jugosllavis – Enver Hoxha përpiqet me përça vllaznimin dhe bashkimin e

popujve të Jugosllavis – E vërteta mbi shpërnguljen në Turqi – Fushata antijugosllave e udhëheqnis së

Shqipnis – Pasoja e dobsive të saj të mbrendshme“, “Flaka e vllaznimit“, 26 mars 1957, f.3-6, 8;

 

[2] Meqenëse shpërngulja për në Turqi më lehtë bëhesh nga Maqedonija, një numër i madh myslimanësh,

përfshirë edhe shqiptarë, nga Kosova, Mali i Zi, Serbija Jugore, Bosnja dhe Hercegovina dhe Sanxhaku

fillimisht vendoseshin në Maqedoni, dhe pas një qëndrimi më duket njëvjeçar, fillonin me procedurat për

shpërngulje. Për shkaqe të ndryshme, përafërsisht gjysma e “ardhacakëve“ (reth 10.000 frymë), nuk mundën të

shpërngulen në Turqi dhe jetën e tyre e vazhduan në Maqedoni;

[3]  “Дипломатски летопис“, Год.I, бр.1, Скопје 2016, стр.4;

[4] Altan Deliorman: “Yugoslavya’da Müslüman Türk’e BÜYÜK  DARBE”, Boğaziçi Yayınları, İstanbul

1973;

[5] Dëmshpërblimi i qytetarëve turq të cilët nga Jugosllavija në Turqi ishin të shpërngulur deri në vitin 1934 u

“dëmshpërblyenë“ me të ashtu quajturën “Marëveshje Jevtiq-Aras“, të vitit 1934;

OPINIONE