Me shkas

Me shkas
Z. Latifi:

Zoti i botëve – ALLAHU, që nuk ka zot tjetër përveç Tij, është Absolut në Qenien e Tij dhe cilësitë e Tij të përkryera. Ai është i Pa fillim, i Pambarim dhe i Pavarur absolutisht. Ai ka krijuar çdo gjë nga asgjëja (duke mos qenë fare), dhe gjithçka është e varur prej Tij. Ai i jep shpirt gjallërie materies, krijoi krijesat e gjalla, pra, edhe njeriun e parë e krijoi nga dheu materie e i dhuroi shpirtin, e pastaj të tjerët nga një pikë fare – materie embrion, duke u dhënë shpirtrat në vazhdimësi.

Për t’u argumentuar njerëzve refuzues se Ai ekziston dhe është Absolut, i ka sfiduar ata nëse mund të krijojnë diç nga asgjëja, apo nëse mund t’i japin shpirt gjallërie materies?! Por, ata kurrë nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë! Le të provoj dikush të jetoj pa shpirt, ose ta parandalojë largimin e shpirtit nga trupi (vdekjen)?! Ose, dikush të jetoj pa ushqim, pa ujë apo pa gjumë?! Jo, kurrsesi nuk mundet! Pra, çdonjëri është në varësi të plotë prej Atij që nuk fle, e as nuk kotet kurrë, e as nuk i nënshtrohet asgjëje absolutisht.
Në të kaluarën, njerëzit përjetonin gravitacionin pa e menduar dhe pa e imagjinuar fare, e pasi e zbuluan atë, e mendojnë dhe meditojnë, por, pa e parë me sy. Në këtë kuadër, hyjnë edhe shumë të vërteta tjera shkencore të paralajmëruara nga Kurani qysh para 14 shekujve e më shumë. Prandaj, edhe filozofi Kant, nuk e ka menduar dhe besuar ekzistimin e botës së përtejme edhe pse pati plotë argumente për të, por pasi që ka kaluar andej, përveç që e mendon, edhe e përjeton, sepse e sheh me sytë e tij. Kanti, nuk e ka menduar as ekzistimin e Zotit të botëve – Allahut, me arsyen se nuk e ka parë me sytë e tij, edhe pse i ka parë argumentet dëshmuese mbi ekzistimin e Tij, por nuk i ka medituar arsyeshëm ato, ndonëse, në të amshueshmen e ka kuptuar ekzistencën e Tij.
Nëse njerëzit nuk i logjikojnë arsyeshëm argumentet në vetvete, krijesa dhe horizontet tokësore e qiellore, nuk arrijnë ta besojnë Zotin e vërtetë të botëve. Pra, derisa ata nuk i meditojnë vëmendshëm faktet e tilla, atëherë refuzojnë, por jo nga mungesa e argumenteve, por nga kryeneçësia dhe fanatizmi i tyre.

Zoti i Madhërishëm, në vazhdimësi ka sqaruar këtë duke dëshmuar:

“Pa dyshim, në këto ka argumente për njerëzit që mendojnë logjikshëm (meditojnë arsyeshëm)” (Kuran, Er-R’ad: 3)
“Ata janë të shurdhër, memecë dhe të verbër e nuk kuptojnë (nuk logjikojnë arsyeshëm)” (Kuran, El-Bekare: 171)
Në anën tjetër, hoxhallarët, tash e shtatë shekuj, në këto troje sqarojnë argumentet kuranore dhe shumica dërmuese e popullit tonë fisnik pranoi udhëzimin e Zotit, prandaj, ju ftojmë ju dhe të gjithë refuzuesit t’i bashkëngjiten karavanit të së vërtetës, e cila nuk ka të ndalur. Ky udhëzim, iu mundëson të gjithë atyre që e pranojnë atë dhe i përmbahen programit hyjnor, që në Xhenet ta mendojnë, ta përjetojnë dhe ta shohin Zotin e tyre të vërtetë dhe t’i shijojnë shpërblimet e Tij.
Sa i Mirë, Bujar, i Dashur, i Butë, i Mëshirshëm dhe Falës është Zoti i botëve, ia vlen ta besoni dhe t’i përkushtoheni Atij.
Faleminderit për mirëkuptim!

Autor: Adnan Simnica

Profesor i filozofisë

 

/ekuiliber

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne