Merkel: Ramë dakord mbi një plan gjithëpërfshirës për Libinë

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, deklaroi të dielën se Konferenca e Berlinit për Libinë dha kontribut për përpjekjet në drejtim të arritjes së paqes në vendin afrikanoverior.

Pas takimit të nivelit të lartë për Libinë në kryeqytetin gjerman, Merkel organizoi një konferencë të përbashkët shtypi me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara – Antonio Guterres, përfaqësuesin special të OKB-së për Libinë – Ghassan Salame dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë – Heiko Maas.

Duke bërë me dije se në Berlin u mbajtën bisedime shumë të ngjeshura dhe serioze, shefja e qeverisë gjermane shprehu dëshirën e palëve për t’i dhënë një shtysë politike të re përpjekjeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Libi.

“Konferenca e Berlinit dha kontribut për përpjekjet e OKB-së në drejtim të arritjes së paqes në Libi”, tha ajo dhe shtoi se të gjithë pjesëmarrësit konvergjojnë mbi nevojë për një rrugë politike në zgjidhjen e konfliktit.

Pasi vuri në pah se fakti që zgjidhja ushtarake nuk ka asnjë shans u kuptua më qartë veçanërisht gjatë ditëve të fundit, Kancelarja Merkel potencoi se zgjidhja ushtarake do të shtojë më shumë vuajtjet e dhimbjet e njerëzve.

Ajo tha gjithashtu se konferenca e paqes për Libinë u pajtua mbi hapat e reja për të mbështetur armëpushimin dhe për të vëzhguar embargon e armëve.

“Ne arritëm një marrëveshje për një plan gjithëpërfshirës”, nënvizoi Merkel duke shtuar se ata gjithashtu ranë dakord për masa të reja për të respektuar rreptësishtë embargon e armëve.

“Të gjithë pjesëmarrësit ranë dakord se dokumentet që kemi miratuar sot (19 janar), duhet gjithashtu të miratohen nga Këshilli i Sigurimit të OKB që ato të kenë një rëndësi ndërkombëtare zyrtare”, precizoi kancelarja gjermane.

Angela Merkel tha se palët ndërluftuese të Libisë ranë dakord të caktojnë anëtarë në një komision ushtarak me 5 anëtarë nga secila anë, siç është paraparë nga Kombet e Bashkuara, për të monitoruar zbatimin e armëpushimit.

Sipas saj, ky ishte një hap i rëndësishëm, i cili i mundëson OKB-së t’i dërgojë ftesa javën e ardhshme “komisionit ushtarak 5+5” për të diskutuar detaje të mëtejshme dhe për të arritur një armëpushim të përhershëm.

Që nga rrëzimi dhe vrasja e ish-liderit libian, Muammar Gaddafi, në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri: një në lindje të Libisë, e cila mbështetet kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe; si dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) në kryeqytetin Tripoli të vendit, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Më 12 janar, palët ndërluftuese në konfliktin libian njoftuan një armëpushim si përgjigje ndaj thirrjes së presidentëve Recep Tayyip Erdogan të Turqisë dhe Vladimir Putin të Rusisë. Megjithatë bisedimet për një armëpushim të përhershëm morën fund pa marrëveshje një ditë më vonë, pasi Khalifa Haftar, kreu i forcave të jashtëligjshme në lindje të Libisë, u largua pa e nënshkruar tekstin e hartuar gjatë negociatave në Moskë./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne