Milionat e hedhura dëm të Rilindjes Urbane

Top-Channel raportoi për përmbytjen e një piste biçikletash ndërtuar anës liqenit të Belshit në kuadër të asaj që njihet si Rilindja Urbane. Projekti ka marrë qindra milionë euro në 4 vjet dhe ka synuar rigjallërimin urban të qyteteve shqiptare të cilave u është imponuar monotonia e një shëtitoreje me pllaka dhe ndriçim, disa pemë, ndonjë shatërvan dhe kuptohet shiriti i përurimit.

Nga prononcimet e banorëve rezulton se liqeni ka qenë 70 cm më lart se vija aktuale e ujit, gjë që duhet të ishte marrë parasysh nga zbatuesit e projektit.

Por rasti i Lungo-Lagos së Belshit nuk është i vetmi në shakatë e Rilindjes Urbane. Që kushtojnë milionë. Lungomare në Vlorë që zgjati e zgjati me vite është një tjetër kur në dimrin e parë që përballoi shëtitorja e qytetit bregdetar u përmbyt tërësisht nga uji. Vlora është e ekspozuar ndjeshëm ndaj baticës dhe projektimi i një vije të tillë duhet të ishte më i kujdesshëm. Por një pyetje që lind këtu: ku janë projektet e këtyre veprave?

Tjetër rast është investimi për palmat në autostradën Durrës-Tiranë, që kushtuan 3 milionë euro dhe në fund u thanë. Nuk u dha asnjë shpjegim për këtë gjë që u mbulua me heshtje dhe me mbjellje pishash nga Bashkia Tiranë.

Sot e kësaj dite, askush nuk e di se kush i bëri ndryshimet estetike në interierin e kryeministrisë të cilën zoti Rama e trajton sikur ta ketë trashëgimi familjare. Ai dikur tha se “disa miq të mirë kontribuuan”, duke e lënë edhe këtë ndërhyrje pjesë të misterit që lë pagjumë dashamirësit e atij arti që mbush javët e zbehta të kryeministrisë.

Përtej trilleve të njërit apo tjetrit, këto dëme që preken me dorë dhe shihen me sy janë paratë tona. Ato për të cilat timonieri nuk do të flasë e as të dëgjojë sa kohë që nuk ka një përgjegjës për të gjitha këto.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne