Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë: Nga katastrofa në Greqi, duhet të nxjerrim mësime!

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë: Nga katastrofa në Greqi, duhet të nxjerrim mësime!

Forcat e Armatosura treguan se mbeten në gatishmëri për t’u përballur me çdo situatë emergjence.
Në bazën detare të Kepit të Palit në Durrës, një pjesë e efektivëve të Forcave të Armatosura, që angazhohen në rastet e fatkeqësive, ekspozuan mjetet dhe pajisjet që ata kanë në dispozicion.
Në këtë paraqitje, e cila shërbeu edhe si provë mobilizimi për forcat dhe mjetet në rast fatkeqësie, ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku dhe drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako.

Ministrja Xhaçka e nisi fjalën e saj duke ngushëlluar popullin grek për katastrofën e shkaktuar ditët e fundit nga zjarret, dhe njoftoi për ndihmën e ofruar nga Forcat e Armatosura shqiptare për autoritetet greke, kryesisht për kërkim – shpëtimin.
Katastrofën në Greqi, ministrja Xhaçka e konsideroi ngjarje, nga e cila, duhet të nxjerrim mësime nga ku gjithësecili duhet të kuptojë përgjegjësitë e veta, personale apo institucionale.

Gjithashtu, ministrja Xhaçka përmendi gjithë angazhimet e Forcave të Armatosura gjatë muajve të fundit, si dhe siguroi se ato janë të përgatitura dhe mbeten në gatishmëri për t’u gjendur pranë qytetarëve në çdo situatë.

“…Duhet të sigurojmë qeverinë e Shqipërisë, qoftë çdo qytetar shqiptar se edhe Ministria e Mbrojtjes edhe Forcat tona të Armatosura që kanë sot mbi vete përgjegjësinë për përballjen me Emergjencat Civile, do të vijojnë të angazhohen edhe do të jenë pranë komunitetit për çdo lloj kërcënimi ndaj sigurisë së tyre.
Jam sot këtu për t’ju ofruar siguri dhe garanci se Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura janë në çdo kohë të gatshme për të vepruar. Edhe kur të tjerët dorëzohen, edhe kur të tjerët pushojnë siç është muaji i gushtit, Forcat tona të Armatosura janë në gatishmëri dhe në krye të detyrës. Dhe ky është mesazhi që desha të përcillnim sot.”

Emergjencat Civile ministrja Xhaçka i konsideroi si frontin e ri të luftës dhe për këtë kërkoi angazhimin e pushtetit lokal, por sidomos qytetarëve. “Është një luftë e paparashikueshme, si të gjitha luftërat, një luftë që në çdo moment është e gatshme të marrë jetë njerëzish, të shkatërrojë prona publike dhe private që janë vënë me aq shumë mund dhe aq shumë djersë. Por, këtë luftë edhe Ministria e Mbrojtjes edhe Forcat e Armatosura nuk mund ta përballojnë të vetme. Ne, të gjithë bashkë: Forcat e Armatosura, strukturat e tjera të pushtetit, prefekturat, organet e qeverisjes vendore, por edhe qytetarët, edhe qytetarët dua ta theksoj, duhet të bashkojmë forcat jo vetëm që të shmangim pasojat që mund të sjellin fatkeqësi të ndryshme. U bëj thirrje qytetarëve, gjithë bizneseve dhe pushtetit vendor, që veçanërisht në këto muaj të nxehtë, të rrisin kujdesin por edhe përgjegjësinë e tyre individuale, pasi një pakujdesi e vogël mund të sjellë pasoja shumë të mëdha…”- u shpreh ministrja Xhaçka, e cila paralajmëroi edhe ndëshkime për shkaktarët.

“…Çdo veprim abuziv, i kryer nga pakujdesia, apo më keq akoma, me paramendim apo nga keqdashja, do të marrë ndëshkimin e duhur nga organet përkatëse. Dhe kemi marrë të gjitha masat që çdo rast i evidentuar si i tillë, çdo rast, çdo zjarrvënie e qëllimshme për të folur më troç, do të marrë përgjigjen e merituar dhe çdonjëri do të përballet me drejtësinë…

Krahas gatishmërisë dhe marrjes së masave, Forcat e Armatosura kanë rritur edhe kapacitetet për shuarjen e zjarreve gjatë këtij sezoni veror.

Helikopterët Cougar të Forcës Ajrore janë pajisur me kova të posaçme për shuarjen e zjarreve, me kapacitet 2500 litër secila.

***

-Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koodinim, TIKA do të ndërtojë këndin e lodrave në Tiranë 

Kanë filluar punimet për ndërtimin e këndit të dytë më të madh të lodrave në Tiranë, pas atij te Parku i Liqenit, që do të ndërtohet me mbështetjen financiare të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Me realizimin e këtij projekti do të ndërtohet kënd lodrash për fëmijë dhe mjedis çlodhës për të rriturit, thuhet në njoftimin e bashkisë së Tiranës.

Gjatë nisjes së punimeve, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se Tirana do të vazhdojë të ndryshojë.

Bashkë me miqtë tanë nga TIKA, sot po fillojmë një kantier të ri, që është në zonën jugore të liqenit. Sot është pastruar, është mbjellë, është krijuar një minipyll dhe kemi ruajtur këtë oaz në mes për ta kthyer në kënd lodrash, që do të jetë këndi i dytë më i madh i lodrave në Tiranë pas atij te liqeni”, ka theksuar kryebashkiaku i Tiranës.

Të pranishëm në fillimin e punimeve ishin edhekoordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, përfaqësues të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të bashkisë së Tiranës dhe zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie.

Sipas bashkisë së Tiranës, sheshi i ri rekreativ po ndërtohet në një nga hapësirat e papërdorura të Parkut të Madh të Liqenit, në zonën jugore të tij me një sipërfaqe 5500 metra katrorë.

***

-Artistët nga Turqia interpretojnë në Festivalin Ndërkombëtar të Xhazit në Tiranë 

Artistët nga Turqia, Mehmet Çelik dhe Atilla Altunkeser, interpretuan në Festivalin Ndërkombëtar të Xhazit, për artdashësit shqiptarë.

Performanca e tyre u ndoq nga artdashësit e kryeqytetit, ndërsa ishin të pranishëm edhe përfaqësues të bashkisë së Stambollit, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, si dhe artistë e personalitete të ndryshme.

Dy artistët nga Turqia, pjesëtarë të Grupit të Xhazit të bashkisë së Stambollit, kanë marrë pjesë në festival me mbështetjen e institutit turk “Yunus Emre” në Tiranë, ndërsa ata kanë interpretuar edhe në qytetin e Fierit.

Drejtori i Orkestrave të bashkisë së Stambollit, Celal Sevencan, tha se si festivalin e xhazit ashtu edhe festivale të tjera i shikojmë si një bashkëpunim dhe njohje mes shteteve.

Muzika pranohet që është gjuha e përbashkët e botës dhe ne këtë e shikojmë si një mjet komunikimi kulturor. Kultura shqiptare dhe turke nuk është një kulturë e lidhur sot, por është një kulturë e lidhur shumë kohë më përpara, që nga periudha osmane. Brezat e rinj duhet që këtë kulturë, këtë marrëdhënie kulturore duke e avancuar nëpërmjet muzikës ta shpërndajnë në shoqëritë tona“, tha Sevencan.

Edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar i Xhazit që filloi më 24 korrik, zgjati deri më 28 korrik në Tiranë dhe Fier, ndërsa morën pjesë artistë dhe grupe të xhazit nga Shqipëria, Turqia, Bosnje dhe Hercegovina, Austria, Belgjika, Kina, Greqia, Italia, Izraeli, Holanda, Serbia, Spanja, Suedia dhe SHBA.

Festivali u organizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, të disa institucioneve lokale dhe të disa ambasadave në Shqipëri.

***

-Kultura Turke përmes “Karvanit të Ballkanit” vjen në Shqipëri

Instituti turk “Yunus Emre” në Tiranë në bashkëpunim me bashkinë Küçükçekmece të Stambollit organizuan aktivitetin kulturor dhe artistik me temë “Karvani i Ballkanit”, më qëllim të promovimit të kulturës dhe arteve tradicionale turke.

Në aktivitetin e organizuar në Bulevardin e Ri të Tiranës në mbështetjen e Fondit Promovues të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisënë bashkëpunim me Universitetin Trakya,merrnin pjesë qytetarë, studentë, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, të cilët në stendat promovuese u njohën nga afër me aktivitetet e organizuara në kuadër të “Karvanit të Ballkanit”.

Pjesë e aktivitetit ishin punimet e kaligrafisë, vallet dhe muzika popullore, punimet në qeramikë, arti i ebrusë shfaqja e dervishëve rrotullues, haxhivat dhe karagjoz dhe disa aktivitete të tjera kulturore.

Özgür Oran, përfaqësues i drejtorisë së zhvillimeve strategjike dhe mardhënieve me jashtë në bashkinë Küçükçekmece, tha se këtë projekt e kanë filluar që në vitin 2015 dhe është hera e dytë që vijnë në Tiranë, me synimin për të zhvilluar sa më shumë bashkëpunimin kulturor mes dy shteteve.

Qëllimi ynë me këtë projekt është promovimi i kulturës turke dhe zhvillimin e lidhjeve miqësore dhe vëllazërore që vijnë nga e kaluara. Artistët tanë të Turqisë nga anët e ndryshme të vendit tonë më 18 korrik u nisën për në Ballkan. Programi jonë organizohet në 8 qytete të 5 shteteve të Ballkanit. Pas Sarajevës, Mostarit dhe Budvës sot për programin e katërt jemi në Tiranë”, theksoi Oran.

Për disa orë qytetarët e kryeqytetit janë argëtuar me aktivitetet e zhvilluara në stendat e vendosura në Bulevardin e Ri, nën kujdesin e institutit turk “Yunus Emre” në Tiranë.

***

-Akordohet kësti i dytë i bursave për studentët e ekselencës

Fondacioni ALSAR, në vijimësi të zhvillimit të projekteve të tij arsimore në bashkëpunim me partnerët turq ka realizuar ceremoninë e akordimit të këstit të dytë të bursave inkurajuese për periudhën prill-qershor 2018, për 150 studentët e ekselencës të universiteteve publike, që ndjekin programet e studimit bachelor dhe master. Një program që ka nisur para 4 vitesh, dhe tashmë i shndërruar në një traditë vlerash që ndiqet e pasurohet ndër vite.

Fondacioni ALSAR jo vetëm interesohet, për këta studentë në vijimësi, por me programe aftësimi dhe projekte të tillë si “Nise tani karrierën tënde”, “Në horizontin e vullnetarizmit”, “Takim me personalitete”, etj, synon të kontribuojë sadopak në orientimin e vëmendjes së studentëve drejt vullnetarizmit, punës në grup, dhe mendimit kritik si mekanizmat më të mirë të aftësimit kulturor e profesional të rritjes së potencialeve të tyre intelektuale e aktivizimit shoqëror.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne