Moska “e befasuar” nga pretendimet e Haftarit për të sunduar Libinë

Moska është e befasuar nga vetëdeklarimi i komandantit renegat në Libi, Khalifa Haftar, si sundimtar unilateral i Libisë, bëri të ditur një zyrtar në Ministrinë e Jashtme ruse.

Në një video-mesazh të hënën, kryekomandanti, forcat e të cilit luftojnë qeverinë e njohur ndërkombëtarisht në Tripoli, tha se ka “pranuar mandatin popullor” për të qeverisur vendin, duke përdorur si pretekst demonstratat në rrugë në zonat nën kontrollin e tij.

“Kjo është befasuese. Ka vendime të samitit të Berlinit, më e rëndësishmja, Rezoluta 2510 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila duhet të zbatohet para së gjithash nga vetë libianët me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së”, ka thënë diplomati rus në kushte anonimiteti për agjencinë shtetërore të lajmeve RIA.

Moska u ka bërë thirrje palëve në konflikt të rinisin negociatat.

“Ne avokojmë për vazhdimin e dialogut gjithëpërfshirës ndërlibian brenda kornizës së procesit politik dhe nuk ka asnjë zgjidhje ushtarake për konfliktin”, tha zyrtari./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne