MPJ turke: Aktivitetet e anijes së sondimit “Yavuz” në Mesdheun Lindor janë të ligjshme

“Turqia, sikurse mbron të drejtat e saj mbi platformën e saj kontinentale në Mesdheun Lindor, do të vazhdojë të mbrojë gjithashtu të drejtat dhe interesat e popullit turk të Qipros përreth Ishullit derisa pala grekoqipriote të përfshijë turkoqipriotët në mekanizmat vendimmarrëse, përfshi këtu ndarjen e të ardhurave në lidhje me burimet e hidrokarbureve, si dhe të garantojë të drejtat e tyre”, thuhet në një komunikatë me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë për aktivitetet e sondimit në Mesdheun Lindor.

Sipas komunikatës, në këtë kontekst mbështeten plotësisht edhe deklaratat e autoriteteve të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), e cila ka lëshuar licencat që përbëjnë bazën legale dhe të ligjshme të aktiviteteve të anijes së sondimit “Yavuz”.

Në komunikatë theksohet se vlerësohen si të çuditshme edhe deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, për aktivitetet që Turqia po zhvillon në Mesdheun Lindor konform të drejtës ndërkombëtare.

“Titulli ‘fëmija i llastuar i Evropës’ në të vërtetë i përket Greqisë. Ndërsa ‘fëmija i prapë i Evropës’ është Administrata Greke e Qipros së Jugut, e cila u anëtarësua në Bashkimin Evropian në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe, së bashku me Greqinë, destabilizojnë prej vitesh Mesdheun Lindor. Anëtarësimi i Administratës Greke e Qipros së Jugut në BE duke përfaqësuar gjoja të gjithë Ishullin në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, nuk i jep asaj të drejtën për të uzurpuar të drejtat dhe interesat legjitime të turqve qipriotë”, nënvizon MPJ turke.

Me këtë kuptim – vijon komunikata – refuzohen po ashtu deklaratat e lëshuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe nga autoritetet e Bashkimit Evropian, të cilat i cilësojnë këto aktivitete të Turqisë si të jashtëligjshme.

“Kështu, është bërë e qartë se BE-ja nuk mund të marrë rolin e një ndërmjetësi të paanshëm në proceset e negociatave për zgjidhjen e çështjes së Qipros”, shkruan MPJ turke në fund të komunikatës së saj për aktivitetet e sondimit në Mesdheun Lindor./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne