MPJ turke: Greqia po bën përpjekje të kota në Egje

Pretendimet e Greqisë se Aktiviteti i NATO-s në detin Egje “shfuqizon de facto” pozicionin legjitim të Turqisë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar, janë të kota, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy.

Ministrat e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes së Greqisë tentuan të dielën që të abuzojnë me NATO-n për të justifikuar tezat e tyre mbi detin Egje.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, publikoi gjithashtu të dielën një komunikatë me shkrim në përgjigje të një pyetje në lidhje me pretendimet e ministrave grekë të Mbrojtjes Kombëtare dhe Punëve të Jashtme mbi qëndrimin e NATO-s në lidhje me çështjet e Egjeut.

“Ndërsa mosmarrëveshjet mes Greqisë dhe Turqisë në të vërtetë po trajtohen përmes kanaleve dypalëshe, përpjekjet e Greqisë, fqinj dhe aleat i yni, për të abuzuar me organizatat ndërkombëtare, përfshi NATO-n, si dhe për t’i tërhequr ato në këto mosmarrëveshje me qëllim që të justifikojë pozitat e saj kombëtare, nuk janë diçka e re. Përgjigjet e ministrave grekë të Mbrojtjes Kombëtare dhe të Punëve të Jashtme ndaj një pyetjeje të paraqitur nga një deputet grek përbën një shembull tjetër për përpjekjet e tilla të kota nga ana e Greqisë.

Ishujt e Egjeut Lindor janë vendosur nën statusin e çmilitarizuar sipas disa marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshi këtu Traktatin e Lozanës të vitit 1923 dhe Traktatin e Parisit të vitit 1947. Këto traktate ndalojnë militarizimin e ishujve të Egjeut Lindor. Ato janë në fuqi, prandaj janë ligjërisht të detyrueshme për Greqinë duke imponuar përgjegjësi ligjore për këtë vend.

Autoritetet civile dhe ushtarake të NATO-s janë të detyruara nga politika e Aleancës që të mënjanojnë përfshirjen në mosmarrëveshjet dypalëshe midis aleatëve dhe kanë vepruar me besnikëri mbi këtë bazë. Ky është gjithashtu rasti për Aktivitetin e NATO-s në Egje. Në kohën e fillimit të kësaj veprimtarie, të gjithë aleatët, përfshi edhe Greqinë, u pajtuan që aktiviteti i NATO-s në detin Egje do të kryhej në një mënyrë që nuk paragjykonte politikat kombëtare të Aleancës së NATO-s.

Në përputhje me këtë mirëkuptim kolektiv, u ra dakord që anijet ushtarake, të cilat veprojnë në detin Egje nën Aktivitetin e NATO-s, do të shmangin vizitat në ishujt e Egjeut nën statusin e çmilitarizuar sipas ligjit ndërkombëtar, përfshi këtu edhe ato me qëllim furnizimin me karburant ose vizitat në port. Për më tepër, këto anije mund të veprojnë në detin Egje vetëm mbi bazën e lejeve diplomatike të lëshuara njëkohësisht nga Turqia dhe Greqia për zonat e specifikuara në det.

Duke qenë kështu, pretendimet e Greqisë se Aktiviteti i NATO-s në detin Egje ‘shfuqizon de facto’ pozicionin legjitim të Turqisë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar, janë të kota. Aktiviteti i NATO-s po kryhet për të mbështetur përpjekjet për të frenuar emigracionin e parregullt për shkak të shqetësimeve humanitare, me pëlqimin e Turqisë.

Me këtë rast ne përsërisim edhe një herë thirrjen tonë drejtuar Greqisë për t’u dhënë fund politikave të saj të mosrespektimit të së drejtës ndërkombëtare, fakteve historike dhe të drejtave e interesave legjitime të Turqisë, si dhe për të hequr dorë nga përpjekjet e saj për të krijuar fakte të kryera.

Ne do të dëshironim të përsërisim faktin se çështjet dypalëshe ndërmjet dy vendeve tona mund të zgjidhen vetëm përmes qasjeve të ndërsjella konstruktive dhe përpjekjeve të përbashkëta, por edhe se Turqia ka vullnetin e nevojshëm për këtë qëllim. Ne ruajmë shpresën që Greqia të mund të veprojë gjithashtu në të njëjtën mënyrë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të MPJ turke, Hami Aksoy./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne