Murad, figura kryesore prapa procesit të paqes së muslimanëve Moro

Teksa muslimanët Moro arritën një marrëveshje paqeje me qeverinë e Filipineve për t’i dhënë fund një konflikti të armatosur në jug të vendit, kreu i Frontit Çlirimar Islam Moro (MILF) ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e paqes.

Al-Hajj Murad Ebrahim, një nga themeluesit e MILF, e ka udhëhequr këtë grup që nga viti 2003. Ai është figura më e rëndësishme prapa Ligjit Organik Bangsamoro, me të cilën muslimanët Moro fituan autonomi gjithëpërfshirëse.

I lindur më 2 maj 1948 në krahinën Maguindanao të Rajonit Autonom në Mindanaon Muslimane (ARMM) në Filipinet jugore, Ebrahim filloi arsimin në një medrese në fshatin Katanga të komunës Kabacan në krahinën Cotabato.

Ndërsa vazhdonte studimet e Kuranit në medrese, Ebrahim ndjekte mësimet në një shkollë të rregullt në rajon.

Në moshën 13-vjeçare, Ebrahim humbi babanë dhe nënën e tij, por vazhdoi arsimimin me ndihmën e disa të afërmve.

Ai u regjistrua në Universitetin katolik Notre Dame në Cotabato për të studiuar inxhinierinë e ndërtimit.

Largimi nga studimet universitare dhe bashkangjitja në MNLF

Në universitet, Ebrahim u përfshi në lëvizjen për pavarësinë e muslimanëve Moro dhe u takua me Nur Misuari dhe Hashim Salamat, udhëheqësit e Frontit Çlirimtar Nacional Moro (MNLF).

Në moshën 22-vjeçare, ai u largua nga universiteti një semestër para diplomimit dhe u përfshi aktivisht në MNLF.

Menjëherë pas kësaj, Ebrahim u caktua si komandant zonal i MNLF-së dhe u bë i njohur si Murad.

Ai fitoi disa pozita të rëndësishme në MNLF para se të formonte një grup të shkëputur me Salamat në vitin 1977.

Salamat u bë udhëheqës i formacionit të ri të MNLF-së që u themelua me motivimin për pavarësi të rajonit Bangsamoro.

Formimi i MILF-së dhe kryesimi i grupit

Në vitin 1984, grupi zyrtarisht e ndryshoi emrin e vet në Fronti Çlirimtar Islam Moro (MILF) në mënyrë që të dallohej plotësisht nga MNLF.

Pas vdekjes së Salamat në vitin 2003 për shkaqe të natyrshme, Al-Hajj Murad Ebrahim u bë udhëheqësi i MILF-së.

Ebrahim shihet si një figurë më e moderuar sesa Salamat dhe nën udhëheqjen e tij, negociatat e paqes në rajon përparuan dukshëm.

Pas negociatave të gjata, MILF dhe qeveria nënshkruan Memorandumin e Marrëveshjes për Domenin Ancestral (MOA-AD), i cili do t’i zgjeronte kufijtë ARMM-së të vitit 1996 dhe përfundimisht do të zëvendësonte ARMM-në.

MILF zyrtarisht tërhoqi kërkesën e saj për pavarësi të plotë në vitin 2010, duke kërkuar autonomi rajonale në vend të saj.

Në vitin 2012, presidenti i atëhershëm Benigno Aquino III dhe udhëheqësi i MILF Ebrahim nënshkruan Marrëveshjen Kornizë për Bangsamoro (FAB) duke hartuar një udhërrëfyes për zgjidhje përfundimtare e cila do të mundësonte një rajon autonom të administruar nga muslimanët pakicë në jug të këtij vendi në të cilin mbizotërojnë katolikët.

MILF nën udhëheqjen e Ebrahim dhe qeveria e Manilas gjithashtu nënshkruan Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Bangsamoro (CAB) në vitin 2014.

Marrëveshja e vitit 2014 i dha fund negociatave 17-vjeçare dhe konfliktit të armatosur në jug të vendit.

Më 26 korrik 2018, presidenti Rodrigo Duterte nënshkroi Ligjin Organik Bangsamoro, përpjekjen e fundit të rëndësishme të udhëheqësit të MILF Ebrahim dhe qeverisë së Filipineve për t’i dhënë fund konfliktit të gjatë dhe që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 120.000 njerëzve dhe ka penguar zhvillimin në rajon.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne