Myftiu i Libisë thirrje popullit: Mbështesni bashkëpunimin me Turqinë

Myftiu i Libisë, Sheik Sadiq Al-Ghariani, duke theksuar se e vlerëson faktin që Turqia ndodhet pranë vendit të tij, ai bëri thirrje për zhvillimin e protestave për të kontribuar për këtë bashkëpunim.

Në një deklaratë me shkrim nga Myftinia e Libisë, thuhet se Ghariani ka shprehur lëvdata për mbështetjen e Turqisë për Libinë dhe se mirëpret deklaratat për qëndrim pranë qeverisë së Libisë të bëra nga delegacioni i nivelit të lartë të ardhur nga Turqia.

“Qeveria e Libisë duhet të vlerësojë qëndrimin e Turqisë kundër koalicionit që i ka dalë përballë për shkak të ndihmës për Libinë”, tha Ghariani.

Në të njëjtën mënyrë duke folur në një program televiziv lokal në Libi, Ghariani bëri thirrjen se të gjithë elementët e shoqërisë civile dhe komunitetet brenda Libisë duhet të zhvillojnë protesta masive që mbështesin bashkëpunimin e Turqisë me Libinë dhe se të gjithë këto elementë duhet të kontribuojnë për këtë bashkëpunim me deklaratat që do të publikojnë.

“Të gjithë e dinë se çfarë ka përjetuar populli i Tripolit 2-3 muaj më parë, ku çdo ditë mbi ta lëshoheshin raketa dhe se gjithmonë ishin nën frikë. Të gjithë e dinë se kush ndihmoi për të dalë nga kjo situatë. Për këtë arsye duhet të zhvillohen protesta masive dhe duhet t’i jepet e drejta atij që i takon” tha Ghariani.

Pasi nënvizoi se aleanca e Turqisë me Libinë është legjitime dhe e drejtë, Ghariani theksoi që ndërhyrja jolegjitime në vend vjen nga vendet si Franca dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe se këto vende janë ato të cilat duhet të dënohen.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjeneralin Yaşar Güler javën e kaluar vizituan kryeqytetin Tripoli dhe u takuan me zyrtarë të qeverisë libiane.

Akar gjatë vizitës së tij ishte shprehur se “Do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje në mënyrë që vëllezërit tanë libianë të jetojnë më të qetë, më të lumtur dhe më të sigurt”.

Gjithashtu ai theksoi se “Dua që ta dini se ashtu si sot edhe nesër në kuadër të udhëzimeve të presidentit tonë do të qëndrojmë pranë jush dhe do të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme për vëllezërit tanë libianë. Ne besojmë se ju keni të drejtë dhe do të fitoni. Të tjerët me siguri do të marrin ekuivalentin e padrejtësive të tyre. Ata dhe mbështetësit e tyre do të humbin, do të mposhten”.

Lideri i forcave të armatosura jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftar më 4 prill 2019 i dha urdhër për sulm milicëve të tij për të marrë nën kontroll kryeqytetin Tripoli dhe e futi vendin në një spirale të dhunës. Gjatë kësaj periudhe ushtria e Libisë në një periudhë 14 mujore pastroi nga milicët e Haftarit plotësisht kryeqytetin dhe territoret e rëndësishme ekonomike dhe demografike në perëndim të vendit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne