Bota

Ndërpriten bisedimet bërthamore mes Koresë së Veriut dhe SHBA-ve

Janë ndërprerë bisedimet të cilat filluan dje në nivel pune mes delegacioneve të SHBA-ve dhe Koresë së Veriut me qëllimin për të parandaluar aktivitetet e testimeve të armëve bërthamore të Phenianin.

Sipas lajmit të televizionit shtetëror suedez SVT, kryenegociatori koreanoverior Kim Myong Gil ka thënë se “Bisedimet nuk i plotësuan pritshmëritë tona dhe u ndërprenë”.

“SHBA-të nuk sollën ndonjë gjë të re në tryezën e bisedimeve. Kjo situatë është e mërzitshme”, tha Kim Myong Gil.

“Ata na zhgënjyen dhe na shuajtën entuziazmin tonë duke mos sjellë asgjë në tryezën e bisedimeve”, tha diplomati Kim Myong Gil duke vënë në dukje se delegacioni negociator i SHBA-ve nuk ka treguar fleksibilitet dhe ka këmbëngulur në idetë dhe qëndrimet e vjetra.

Bisedimet bërthamore filluan dje nën masa të larta sigurie në rezidencën Villa Elfvik Strand në lagjen Lidingö të kryeqytetit suedez Stockholm.

Koreja e Veriut kërkon heqjen e sanksioneve ndaj saj, ndërsa SHBA-të kërkojnë nga Koreja e Veriut që t’i japë fund përpjekjeve për prodhim dhe testimin e armëve bërthamore.

Samitet Trump-Kim Jong-un

Presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri koreanoverior Kim Jong-un për herë të parë u takuan më 12 qershor 2018 në samitin historik në Singapor dhe arritën një dakordësim për çmilitarizimin e Gadishullit Korean nga armët bërthamore dhe paqen e përhershme.

Dy liderët u takuan edhe një herë në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi, më 26-27 shkurt 2019 por samiti përfundoi në mënyrë të shpejtë dhe pa marrëveshje.

Lidhur me takimin me Kim, presidenti Trump tha se “Ata kërkuan heqjen e plotë të sanksioneve. Ndërsa ne nuk kishim qëllimin për të bërë këtë. Për këtë arsye nuk mundëm të arrinim një dakordësim”.

Pas samitit të dytë në Vietnam bisedimet arritën në pikën e ndaljes.

Dy liderët së fundmi u takuan më 30 qershor 2019 në zonën e demilitarizuar ushtarake mes Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut, ku dhe vendosën të vazhdojnë procesin e bisedimeve /AA

OPINIONE