Në dyshim zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, ja çfarë e pengon KLP…

Ngritja dhe konstituimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë cilësohej si një shpëtim për sistemin e drejtësisë në vend, pasi do t’i hapte rrugë përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm me mandat 7 vjeçar, post për të cilin mund të konkurrojnë Arta Marku dhe 4 kolegë të saj meshkuj.

Por as KLP nuk është “ilaçi që ka mbyllur plagët”, pasi institucioni i ri nuk ka infrastrukturën e nevojshme për të bërë thirrjen për garën për Kryeprokuror, ndaj procesi është shtyrë në kohë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ende nuk po funksionon për vendimmarrje, pasi përveç infrastrukturës ka edhe mungesë të stafit mbështetës e ambienteve të punës, të cilat janë ende duke u përgatitur.

Që prej të mërkurës anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të zhvendosen në katin e fundit të Ministrisë së Drejtësisë, në ambientet e ish-Avokaturës së Shtetit por edhe kjo duket se nuk do ta zgjidhë ngërçin e krijuar.

Të tjerë elemente që i mungojnë KLP-së janë vula, por edhe faqja e internetit, ku do të publikohen njoftimet që do të bëhen për hapjen e garës për Prokurorin e Përgjithshëm apo edhe për kandidatët e SPAK.

Pritet që zgjidhja për situatën të vijë pas datës 1 janar, kur do të akordohet edhe fondi nga buxheti për mangësitë në infrastrukturë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne