New York Times vihet në presion dhe mbyll seksionin e karikaturës politike

Gazeta e njohur New York Times ka njoftuar se do të ndalojë së publikuari karikatura(cartoon) politike pas një situate të krijuar me ironizimin e Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Beniamin Netanyahu. Karikatura është konsideruar si anti-Semite dhe mesa duket kaq ka mjaftuar që gazeta të ndalë çdo karikaturë politike.

Gazeta kërkoi falje për këtë veprim dhe e quajti madje publikimin e saj një gabim në gjykim. Sipas karikaturistit të gazetës, Patrick Chappatte vendimi lidhet drejtpërsëdrejti me karikaturën e Netanyahut. Ai e ka dënuar një akt të tillë duke vënë në dukje se është një moment shumë shqetësues.

Kam frikë se nuk është fjala vetëm për karikaturat, por për gazetarinë dhe opinionin në përgjithësi. Gjatë viteve të fundit, disa nga karikaturistët më të mirë kanë humbur vendet e punës, sepse botuesit e tyre kanë vlerësuar se puna e tyre ka qenë kritike me Trump. Ndoshta duhet të fillojmë të shqetësohemi. Dhe të kundërshtojmë. Karikatura politike lindi me demokracinë. Dhe ato sfidohen kur liria sfidohet, shkruan ai në një opinion që e ilustron me këtë karikaturë:

Situata ka edhe një tjetër dimension që lidhet njëfarësoj me të ashtuquajturat vlera të qytetërimit perëndimor. Kemi parë në këto vite sesi opinionistet dhe mediat mbrojnë në përgjithësi veten kur është fjala për karikatura të Islamit apo profetit Muhamed. Liria e fjalës të përplaset në fytyrë si kryeargument, ndërkohë që një karikaturë e një politikani si Netanyahu, i akuzuar për gjithçka në vendin e vet konsiderohet antisemitizëm. Dikush mund të mendojë madje se edhe nëse bën një reportazh për psikiatrinë në Izrael mund të përfundojë i gjykuar për antisemitizëm dhe kur një gjë të tillë nuk e mbron dot as New York Times, atëherë situata është vërtet shqetësuese. Ose opinioni për këto media thjesht ka qenë i rremë dhe larg së vërtetës./respublica

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne