Nga Armando Subashi te Gledian Llatja. Trembëdhjetë kryebashkiakët që nuk kanë deklaruar shpenzimet e fushatës

Trembëdhjetë krybashkiakë të Partisë Socialiste nuk kanë deklaruar shpenzimet që kanë bërë si kandidatë në fushatë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Në raportin financiar të Partisë Socialistë të Shqipërisë, të dorëzuar në Komisionin Qendror të zgjedhjeve për zgjedhjet e 30 qershorit, në fund ndodhet tabela 4/b me titull “Raportet e Kandidatëve”.

Në këtë tabelë vërehet se kandidatët e PS-së, të cilët aktualisht janë kryetarë të bashkive Durrës, Elbasan, Finiq, Has, Këlcyrë, Malësisë e Madhe, Memaliaj, Pogradec, Poliçan, Përrenjas, Pukë, Shkodër dhe Skrapar nuk kanë deklaruar asnjë shpenzim për fushatën zgjedhore ku nuk merrte pjesë opozita e bashkuar.

Ndërkohë, po në këtë tabelë tregohen edhe kandidatët të cilët kanë shpenzuar më shumë.

Sipas raportit të depozituar nga PS-ja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kandidati që ka shpenzuar më shumë është kryebashkiaku aktual i Vlorës, Dritan Leli, 3.190.641 lekë.

Kandidati i dytë që ka shpenzuar më shumë në fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit është Safet Gjici në Bashkinë e Kukësit me 2.844.180 lekë.

Dhe në vend të tretë renditët Kandidati i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, i cili ka më shumë se dy mandate me 1.940.000.

Ajo që bie në sy është shuma e shpenzuar nga kryebashkiaku aktual i Tiranës, Veliaj, i cili ka deklaruar se ka shpenzuar shumë herë më pak se kolegët e tij në bashki më të vogla. Sipas raportit financiar të PS-së, Veliaj ka shpenzuar vetëm 255.000 lekë.

MONITORIMI I KQZ

Aktualisht, KQZ është në pritje të përfundimit të dorëzimit të raporteve të monitorimit financiar të fushatës dhe raporteve të auditimit financiar, të cilat do të krahasohen me fondet e përfituara dhe të shpenzuara, të deklaruara nga vetë partitë politike.

Mësohet se brenda muajit nëntor, KQZ do të publikojë edhe raportet e monitorimit të fushatës zgjedhore të ekspertëve financiarë dhe raportet e auditivit.

Kjo do të bëjë të mundur edhe krahasimin e shpenzimeve reale dhe atyre të deklaruara nga subjektet politike, të cilat morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Ndërkohë, do të ketë edhe mundësi animimi për partitë politike që nuk do të jenë dakord.

/Panorama

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne