Nisin në Jeruzalem lutjet masive për shi (VIDEO)

Të paktën 2,500 persona i janë drejtuar Murit të Lotëve për një lutje masive pas thirrjeve të ministrit të bujqësisë të Izraelit për të kërkuar ndërhyrje hyjnore për dhënien fund të thatësirës që po e dëmton vendin për të pestin vit me radhë.

Përveç fermerëve, të pranishëm ishin edhe Presidenti i Unionit të Fermerëve të Izraelit, si dhe autoritetet më të larta fetare të vendit të përfaqësuar nga rabinët David Lau dhe Yitzhak Yosef.

Ministri i bujqësisë Uri Ariel, i cili u përshëndet për veprimin nga partia çifute ultra ortodokse, deklaroi javën e shkuar se “së bashku me masat që pritet të merren nga qeveria, do të kryhet edhe një lutje masive pasi deri tani masat e marra kanë rezultuar të kota.

Parashikimet e motit nga Qendra Evropiane për Parashikimet e Mesme thonë se Izraeli duhet të pregatitet për një tjetër dimër të thatë. Pritshmëria e Uri Arielit për dergimin e shiut nga qielli si rezultat i lutjes masive ishte mjaft e madhe, madje ai i bëri thirrje pjesëmarrësve që të merrnin me vete edhe çadra.

“Edhe pas katër vitesh thatësire me sa duket pritet e njëjta situatë, shumë poshtë mesatares shumëvjeçare. Jam i lumtur që publiku iu përgjigj thirrjes dhe i mori çadrat me vete,” tha Ariel reporton Arutz Sheva.

Apeli mjaft i çuditshëm i ministrit ndaj publikut ka hasur në kundërshtime, pasi kritikët e kanë akuzuar atë për një trajtim jo të duhur të problemit. Megjithatë Arieli e mbrojti ministrinë e tij, duke thënë se ishte arritur që të ulej me 20 përqind çmimi i ujit për fermerët, dhe premtoi se sasia e ujit për furnizim do të mbetej e njëjta, ose do tu paguhej kompensimi i duhur. Ndër masat e tjera të ministrisë që synojnë zvogëlimin e varësisë së fermerëve nga kushtet e ndryshueshme të motit, është futja e kulturës së kursimit të ujit dhe promovimi i përdorimit efikas të ujit.

Javën e kaluar, kunati i kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu, tha se thatësira është ndëshkim i zotit për marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve të vitit 2011, në të cilën ushtari izraelit Gilad Shalit u lirua nga Hamasi në këmbim të më shumë se 1,000 të burgosurve palestinezë.

“Pyes veten se çfarë ka ndodhur rreth pesë, gjashtë vite më parë, që me sa duket ka shkaktuar zemërim të madh në qiell. Një skandal i madh dhe një mëkat kolektiv i të gjithë popullit të Izraelit, lirimi i terroristëve sipas marrëveshjës për lirimin e Gilad Shalitit”, tha para lutjes masive Dr. Ben-Artzi për Arutz Sheva./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne