OBI thirrje Mianmarit të respektojë të drejtën ndërkombëtare

Në kuadër të Samitit të Shkencës dhe Teknologjisë OBI që u zhvillua në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, u mbajt një mbledhje me iniciativë të Turqisë në të cilën u diskutua për gjendjen humanitare dhe dhunën ndaj myslimanëve të Arakanit në Mianmar.

Në deklaratë përfundimtare prej 19 pikash liderët kërkuan nga qeveria e Mianmarit t’i japë fund politikës për dëbimin e myslimanëve të Arakanit dhe përpjekjeve për të fshirë kulturën islame dhe identitetin e pakicës myslimane në vend.

Sipas deklaratës, burim i tensioneve në Arakan është fshirja e pronave dhe shtëpive të pakicës myslimane nga kadastra dhe asgjësimi i ndërtesave, faltoreve dhe objekteve të organizatave të tyre.

Aty po ashtu rikujtohet se myslimanëve të Arakanit në vitin 1982 iu mor e drejta për shtetësi dhe përmes Ligjit për Shtetësi, ndërsa myslimanët në këtë mënyrë u privuan nga e drejta e tyre themelore.

Liderët e vendeve të OBI-së po ashtu theksuan se është e nevojshme që kriza të zgjidhet përmes rrugëve paqësore dhe dialogut dhe të synohet një zgjidhje gjithëpërfshirëse e cila sjell harmoni mes grupeve shoqërore.

Deklarata i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë masat e nevojshme në mënyrë që të sigurojë një mjedis në të njerëzit mund të jetojnë pa frikë nga ndëshkimi për shkak të përkatësisë etnike ose fetare dhe të pengohet përkeqësimi i mëtejshëm i gjendjes humanitare në Arakan.

Në deklaratë, liderët i bënë thirrje qeverisa së Mianmarit të respektojnë edhe rekomandimet e Komisionit Këshillimor për Arakanin të kryesuar nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Kofi Anan.

Më tej, liderët kanë kërkuar të merren masat e nevojshme për kthimin e sigurt të refugjatëve arakanezë të cilët kanë ikur nga dhuna dhe janë strehuar në Bangladesh.

Një numër i madh i myslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.

Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur.

Dhjetëra mijëra myslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur të kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.

OKB-ja njofton se mbi 290 mijë muslimanë të Arakanit deri më tani kanë kaluar në Bangladesh./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne