Oksigjen fetar për axhendën tiranike të Ramës

Nga Vehap Kola

Prej disa ditësh Edi Rama poston në rrjetet sociale fjalë të profetit Muhamed dhe dijetarëve myslimanë, gjë që jo pak ka kënaqur sedrën e myslimanëve shqiptarë këtej e andej kufirit.

Një pjesë e shqiptarëve sekularë janë të alarmuar se mos kjo sjellje e Ramës mund të cenojë ndarjen ndërmjet fesë dhe shtetit. Të tjerë janë veçanërisht të shqetësuar që Rama po shfaq disa shenja animi nga Islami dhe, duke mos njohur aspak thelbin e fesë islame, ata i tremben një shndërrimi të beftë të ‘tiranit Rama’ në ‘ajatollahun Rama’.

Këto dyshime i davariti vetë tirani Rama kur nisi të shpërndante edhe urtësi nga fetë politeiste si hinduizmi.

Shqetësimi real që duhet të pushtonte jo vetëm besimtarët myslimanë, por të gjithë shqiptarët duhej të ishte qëllimi për të cilin po i postonte Edi Rama ato urtësi dhe kanalet që po e furnizonin propagandën qeveritare me ‘fjalët e shenjta’. Rama kishte nisur që ditën e tërmetit një fushatë përndjekjeje ndaj mediave dhe gazetarëve, me pasionin e tij të vjetër të ndrydhjes së lirisë së shprehjes. Katastrofa e madhe, ajo moralja, pati oksigjenin, që siç u duk ia ofruan disa përfaqësues të fesë islame për këtë plan djallëzor të tij.

Vënia në shërbim të axhendës tiranike të Edi Ramës shënon edhe kapitullimin e rolit që duhet të luajnë drejtuesit fetarë, e veçanërisht klerikët e fesë së pjesës më të madhe të shqiptarëve në situatat e krizës morale.

Me të gjitha mënyrat, pjesa më e spikatur e tyre u ofrua për të shpëtuar imazhin e kryeministrit dhe pushtetin e tij, qoftë përmes dublimit të rolit të munguar të shtetit në menaxhimin e krizës humanitare, qoftë përmes ofrimit të legjitimitetit për mënyrën se si ai po e maskonte mungesën e shtetit dhe qoftë përmes ofrimit të teksteve fetare për t’i përdorur si argumenta për shkeljen e lirisë së shprehjes dhe informimit.

Për këtë duhej të ishin shqetësuar edhe zërat shekullarë të shoqërisë shqiptare; pra për rënien e një prej shtyllave të kontrollit moral të pushtetit dhe përkuljen e saj përpara regjimit Rama-Veliaj.

Ky dorëzim i shërbeu Ramës për ta përforcuar pushtetin e tij pikërisht atëherë kur kishte më shumë nevojë. Në momentin që çdo institucion shoqëror duhej të kërkonte llogari për mungesën e plotë të menaxhimit të krizës humanitare, klerikë të fesë islame u bënë patericë e regjimit dhe nuk ngurruan as të ofrojnë përligje fetare për projektin faraonik të Ramës.

Ndërsa Rama u shfaq më prometean se ç’do të kishte guxuar cilido udhëheqës politik në botë, duke ia hedhur fajin natyrës, e prej andej tërthorazi Zotit, për tërmetin që ai e quajti pabesi, detyra më e natyrshme e çdo kleriku do të ishte t’i kërkonte atij të tërhiqte fjalët blasfemike si kryeministër i një vendi me popullsi shumë të madhe besimtare.

Jo vetëm që kjo nuk ngjau, por klerikët dështuan edhe t’i kërkojnë qeverisë dhe prokurorisë të nisnin hetimet për përgjegjësitë që kanë drejtuesit qendrorë e lokalë, ndërtuesit dhe një sërë aktorësh të industrisë së ndërtimit në humbjen e jetëve dhe në dëmet materiale.

Pra, klerikët nuk ia dolën as kësaj here të sillen si qytetarë të lirë dhe të përgjegjshëm, lëre më që të silleshin si barinj të grigjave të Zotit dhe të orientonin opinionin publik të hutuar nga bombardimi me propagandën qeveritare.

Kështu, u provua se feja nuk ka asnjë mundësi për të kaluar kufijtë që i ka vendosur sekularizmi. Kjo nuk do të ishte gjëja më fatale që i ndodh kësaj gjymtyre themelore të shoqërisë shqiptare, sikur përfaqësuesit e fesë të mos ofronin edhe ndihmën e tyre me oksigjen teologjik për djallëzinë e Ramës.

Praktikisht, ka shumë mundësi që Rama të ketë kërkuar vetë nga imamët që njeh personalisht, që t’i ofrojnë vargje kuranore, tradita profetike dhe urti fetare që përligjin masat e tij për gjoja pengimin e përhapjes së panikut në situatë të jashtëzakonshme. Sigurisht, nuk është e vështirë të gjesh në secilën fe abrahamike porosi hyjnore e profetike që besimtarët të mos veprojnë pa u siguruar që lajmi është i vërtetë. Pikërisht këto porosi janë shkulur nga konteksti, ku ato kanë vlerë juridike e morale për besimtarët, dhe janë mbjellë në kontekstin propagandistik të qeverisë.

Trishtues është fakti që Edi Rama ka zgjedhur klerikët myslimanë dhe fenë islame si trupën e dijeve dhe moralit që përligjin shkeljen nga ana e tij të lirisë së shprehjes dhe informimit. Ai ka publikuar citate edhe nga fe të tjera, por jo për këtë mision antidemokratik. Për shembull, ai ka cituar Biblën, pikërisht Librin e Jovit, vargu 33:7 si formë shpirtërore e ngushëllimit për familjet e prekura nga tërmeti, ndërsa burimet hinduse i ka përmendur për të nxitur dhurimet për rindërtimin.

Burimet islame, Rama i ka përdorur tri herë: një herë për të nxitur bamirësinë dhe dy herë për të krijuar mbështetje fetare për luftën e tij ndaj medias së lirë dhe të drejtës së informimit. Myslimanët shqiptarë duhet të ishin ndierë të fyer nga abuzimi i Ramës me trashëgiminë e tyre intelektuale dhe komunitare. Çfarë ai ka cituar nga burimet islame jo vetëm nuk kanë si qëllim të mbyllin gojën e njerëzve, por kanë si qëllim t’i ruajnë besimtarët që të mos bien pre e dezinformimit, qoftë ai nga dëshmitarë të rremë, qoftë nga propaganda e sunduesve.

Akoma më e kobshme është nëse përfytyrojmë që përfaqësues të fesë islame ndër shqiptarë t’ia kenë ofruar me iniciativën e tyre këto shprehje industrisë së rrezikshme të propagandës qeveritare në Shqipëri.

Cilidoqoftë skenari, shqetësimi i përbashkët i sekularëve dhe besimtarëve shqiptarë duhet të jetë ky kapitullim pa kushte i përfaqësuesve më të spikatur të fesë islame përpara pushtetit faraonik të Ramës. Marrja nën kontroll të plotë nga Rama edhe e pushtetit shpirtëror nuk është fundi i laicizmit, por fundi i rolit të fesë në ruajtjen e balancave në shoqërinë shqiptare. Ashtu siç ishin fetë kështjellat e fundit që ranë pas 23 vitesh diktaturë komuniste, nënshtrimi i klerikëve ndaj Ramës është këmbanë alarmi për kontrollin e plotë të çdo burimi fuqie nga regjimi i tij.

Pas rënies së njëpasnjëshme të pushtetit gjyqësor, pushtetit legjislativ dhe pushtetit mediatik, rënia e pushtetit shpirtëror e fronëson Ramën në krye të një mbretërie të zymtë, të cilën e kemi provuar një herë. Për dallim, kësaj here ajo do të jetë edhe më e turpshme, pasi do të ketë marrë bekimin e atyre që duhet të ishin rezistenca e fundit./exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne