Pagesat vjetore për shkarkimet nga puna në ministrinë e Bujqësisë janë sa 15% të fondeve për subvencionet

Taksapaguesit shqiptare janë duke paguar kosto të larta për paaftësinë dhe papërgjeshmërinë e administratës publike sidomos me shkarkimet politike nga puna.

Përveç vendimeve të Gjykatave Ndërkombëtare, vendimet e brendshme të gjykatave janë shndërruar në një barrë të rëndë buxhetin e shtetit, ku vetëm Ministria e Bujqësisë ka likuiduar nga viti 2015 deri në korrik 2020 mbi 485 milionë lekë, rreth 4 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, që janë pasqyruar në grafikun bashkëngjitur, pagesat vjetore që kanë shkuar për likuidimin e vendimeve gjykatave janë kryesisht për kompensimin e të larguarve nga puna.

Shumat e dhëna për një person shpesh janë të larta, me rreth 20 milionë lekë. Pagesat për vendimet e gjykatave në harkun e 5 viteve e gjysmë janë të barabarta me shumën vjetore që akordohet ne një vit për subvencionet në bujqësi.

Në harkun e një vit pagesat për vendimet e gjykatave kanë zënë gati 15% të fondit vjetor që jepet si mbështetje për fermerët.

Si në Ministrinë e Bujqësisë edhe dikasteret e tjera kanë fatura të ngjashme gjykatash, ndërsa vetë Qeveria aktualisht i depozituar në thesar gati 150 milionë euro të tjera që duhen paguar nga vendimet e gjykatave ndërkombëtarë dhe të arbitrazhit.

Në vendimet e tyre gjykatat kanë bërë me faj qeverinë për çështjet e gjykuara, por nga ana tjetër mungojnë dënimet për zyrtarët që i kanë krijuar këto dëme kolosalë financave të vendit.

Ministria e Financave njoftoi në treguesit e Kuadrit Makroekonomik 2020-2023 se, borxhi publik jashtë treguesve fiskalë (detyrimet e prapambetura) do të arrijë gjatë këtij viti në 70 miliardë lekë, ose 560 milionë euro.

Si rrjedhoje e vendimeve të gjykatave dhe faturave të tjera që nuk janë paguar në kohë, të tilla si rimbursimi i TVSH-së dhe investimeve publike, borxhi publik jashtë llogarive fiskale është rritur dukshëm këtë vit.

Shkak për zgjerimin e detyrimeve të prapambetura këtë vit në rekorde, veç të tjerash është bërë edhe pandemia Covid -19. Pandemia u bë shkak për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore në disa zëra, edhe pse kontratat e qeverisë me privatët për punime dhe shërbime ishin tashmë të lidhura.

Gjithashtu shkak tjetër për rritjen e stokut të detyrimeve jashtë bilancit fiskal janë duke u bërë edhe parashikimet optimiste në të ardhura buxhetore. Vitin e kaluar, qeveria parashikoi fillimisht të arkëtonte 486 miliardë lekë, por në të vërtetë u arkëtuan 6% më pak se plani. Duke qenë se buxhetimi bëhet me planin, qeveria lidh kontrata për shuma që nuk i siguron nga të ardhurat e programuara, duke krijuar kështu një stok të pashmangshëm për detyrime./Monitor/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne