Pakistan – Turqia do të rindërtojë xhaminë e shembur të ndërtuar prej turqve 118 vjet më parë

Gjysmëhëna e Kuqe Turke (Kızılay) hodhi themelin për të ndërtuar përsëri xhaminë 118-vjeçare “Hazreti Ibrahim” që është rrënuar në Pakistan.

Në ceremoninë e hedhjes së themelit të xhamisë së ndërtuar në vitin 1901 dhe që është gati të shembet në fshatin Horan Çak në qytetin Jhang të provincës Penxhap të Pakistanit, morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Hysejin Xhan (Hüseyin Can), Drejtori i Programeve dhe Operacioneve Ndërkombëtare, Alper Unxha (Unca), Kryetari i Delegacionit të Pakistanit, Ibrahim Carlos Camilo dhe shumë persona të tjerë.

Xhan bëri të ditur se xhamia e ndërtuar në vitin 1901 nga ana e një grupi muhaxhirësh, që erdhën në Jhang, ishte bërë e papërdorshme për shkak të tërmeteve që kanë goditur këtë rajon dhe shtoi: “Mësuam se kjo xhami ishte bërë e papërdorshme dhe u angazhuam për ta ndërtuar përsëri. Shpresojmë që kur të përfundojë ndërtimi të mblidhemi këtu dhe të kryejmë obligimet”.

Kryeinxhinieri i projektit, Muhammed Ahmed bëri të ditur se xhamia e vjetër ishte ndërtuar nga materiale të dobëta dhe themeli i saj nuk ishte aq i thellë sa të mbarte ndërtesën. “Duhej që xhamia të shembej dhe të rindërtohej. Shpresojmë që pas një viti, kur të ketë përfunduar ndërtimi, të mund të kryejnë obligimin fetar përnjëherësh 750 vetë. Kjo xhami do të ketë një kupolë rreth 20 metra të lartë. Të gjitha zbukurimet dhe materialet e ndërtimit të xhamisë do të jenë vendase dhe do të përdoren elemente teknike dhe kulturore vendore në ndërtimin e saj”, tha Ahmed.

Delegacioni i Gjysmëhënës së Kuqe Turke shpërndau ushqime, pajisje shkollore dhe lodra për 100 fëmijë që shkojnë në shkollën e fshatit Hokran Çak.

Delegacioni shpërndau ndihma ushqimore edhe për 100 familje që jetojnë në këtë fshat./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne