Pandeli Majko shigjeton Ramën si “diaspora franceze” dhe Bashën si “diaspora hollandeze”. Si po e aspiron presidencën kryeministri i “krizave”

Pandeli Majko, ish kryeministri dhe ministri aktual për Diasporën në qeverinë e Ramës, gjithnjë ka artikuluar deklarata të forta, sa herë ka dalë në media apo para publikut.

I cilësuar rëndom dhe si kryeministër i “emergjencave” apo i kohës së krizave, me sa duket nuk është e rastësishme dalja e Majkos në media këto ditët e fundit.

Teksa vendi është në krizë, për shkak se opozita është tërësisht jashtë sistemit, pas djegies së mandateve e bojkotit të zgjedhjeve, me Reformën Zgjedhore në tryezë me kushtin që të bëhet deri në fund të dhjetorit, e me një president në shkarkim, lëvizja e ish kryeministrit është e mirëmenduar.

Gjatë gjithë përballjes me median, Majko i ka bërë thirrje si liderit demokrat Lulzim Basha ashtu dhe kreut të mazhorancës Edi Rama që të lënë debatet e kota mes tyre dhe të ulen në tryezën e dialogut, për zgjidhjen reale të krizës.

Ish kryeministri u kujton shqiptarëve se në kulmin e konfliktit politik në Shqipëri në vitin 1998-1999, ai si kryeministër është ulur në tryezë me ish kreun e PD Sali Berisha, i cili vinte pas një grushti të dështuar shteti ndaj qeverisë së PS të drejtuar nga Fatos Nano.

Teksa thotë se të gjitha partitë kanë blerë vota, Majko u bën thirrje palëve që të realizojnë një Reformë Zgjedhore, e cila të zgjidhë njëherë e mirë këtë situatë që përsëritet sa herë ka zgjedhje dhe sidomos pas zgjedhjeve.

“Tani marrëveshja që e ngacmon PD nuk është kjo që po flasim, por ajo e post-çadrës, ku ekziston një sens autokritik: më gënjeve një herë, fajin e ke ti, dhe po më gënjeve për herë të dytë, fajin e kam unë. Në moshë për t’u gënjyer janë të dy…!

Njëri nga diaspora e Francës dhe tjetri nga diaspora e Holandës. Rastësisht, dy shtetet që na bllokuan negociatat. (Këtë e themi me kolegët. Ngaqë kanë njohur këta të dy, nuk na i hapin negociatat)”, thotë Majko. Ai tenton idenë e një barazlargimi nga palët dhe qëndrimit mbi to.

Teksa flet duke kënaqur të gjithë, edhe opozitën e re që kërkon ndryshimin e sistemit për të cilin është dakord, Majko i bën thirrje dhe Bashës që të hapë PD sikurse bëri Berisha në vitin 2005.

“Përpara se të kemi një dialog mes maxhorancës dhe opozitës, por një dialog mes opozitës. Ka PD raste, kur njeriu më kokëfortë është Berisha, dhe ka thirrur njerëzit që i ka luftuar politikisht dhe ka fituar zgjedhje”, porosit Majko.

Një rast i pazakonte ky, që t’i tregohet rruga kundërshtarit se si mund të vijë në pushtet, për të zhvendosur vetë atë dhe partinë që përfaqëson sikurse është PS, nga qeverisja.

Por Majko po e loz fort rolin e njeriut që duhet për “emergjencat” dhe zgjidhjen e krizave, teksa duket se po aspiron dhe më lart, pikërisht postin e Presidentit të Republikës i cili pritet të mbetet vakant pas shkarkimit të Ilir Metës për shkelje Kushtetute.

Për më tepër që karriera politike e Majkos dhe Metës gjithnjë ka qënë e kryqëzuar mes tyre, duke kondicionuar njëri tjetrin, duke i zënë vendin njëri tjetrit por dhe duke ia ‘futur’ njëri tjetrit.

Ndaj ish kryeministri dhe ministri aktual i Diasporës në qeverinë e Ramës flet si një njeri mbi palët, këshillon, porosit, jep mendime të barazlarguara nga partia e tij dhe kundërshtari politik./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne