Shqiperia

Paratë tona për median e kazanit?

Skerdilajd Zaimi
Sot është zhvilluar në mjediset e Autoritetit të Medias Audiovizive një takim konsultativ mes drejtorit të këtij instiutucioni, Gent Sala dhe përfaqësuesve të disa televizoneve private në Shqipëri. Qysh në fillm duhet thënë se është jo pa domethënie se z. Sala është në këtë mbledhje personi më pak i rëndësishëm, edhe pse çështja e diskutuar është në interes të të gjithë qytetarëve. Drejtuesit e televizoneve kanë kërkuar krijimin e Fondit të Transmetimit, si një amendim në ligjin ekzistues “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Fondi që propozohet të përdoret për mbështetjen e TV private, mendohet propozohet të përftohet prej tarifës së shërbimit për përdorimin e aparatit marrës televiziv. Aplikimi i teknologjive të avancuara në tregun audioviziv ka rritur kostot dhe ka reduktuar të ardhurat nga reklamat, dhe ky fond pritet të japë impakt në balancimin e tregut

thuhet ndër të tjera në njoftimin e AMA-s, e cila bëhet këtu avokate e operatorëve privatë.

Duhet thënë se tarifa në fjalë aplikohet aktualisht për transmetimet e Radiotelevizonit Publik Shqiptar, i cili trajtohet me dispozita të veçanta në ligjin në fjalë, Ai konsiderohet që në përkufizimet e para si një “person juridik publik, jo me qëllim fitimi… i përkushtuar ndaj idealeve më të larta të transmetimit të shërbimit publik kombëtar… për të informuar, edukuar dhe argëtuar publikun, duke i shërbyer kombit, të gjitha grupeve të shoqërisë, përfshirë dhe pakicat kombëtare…realizon programe, të cilat duhet të pasqyrojnë te dëgjuesit dhe shikuesit e të gjitha moshave larminë e jetës shqiptare. RTSH-ja përgatit programe cilësore e me vlera për pasurimin e botës mendore dhe shpirtërore të njerëzve”(neni 90-91).

Nisur nga ky përkufizim dhe përcaktim ligjor në misionin e tij mund të mirëkuptohet dhe legjitimohet vjelja e një takse nga të gjithë qytetarët që kanë në këtë rast të drejtën teorike të krijimit dhe mbajtjes së një institucioni që kultivon vlera dhe i përçon ato.

Ky është parim që udhëheq tarifimin një një treg ky qytetari ka të drejtën dhe mundësinë të zgjedhë që edhe që të mos e shohë asnjëherë këtë përmbajtje, pra të mos përfitojë asnjëherë prej saj. Transferimi i taksës në fjalë drejt operatorëve, qëllimi i të cilëve është fitimi dhe axhenda e të cilëve është jashtë çdo kontrolli publik, është e pabazuar dhe nuk ka asnjë referencë në frymën e ligjit në fjalë. Në rastin e TVSH-së, drejtimi i tij kontrollohet nga Parlamenti, ka madje edhe një Këshill Drejtues, çka në fund të fundit e bën atë pronë publike të administrueshme, teksa tek operatorët privatë, kjo gjë është edhe teorikisht edhe praktikisht e pamundur. Ligji përcakton vetëm detyrimin për informim të paanshëm dhe objektiv, që nuk ka karakter subversive etj., por kjo nuk përligj financimin e tyre prej parave tona.

Nga ana tjetër ka një aspekt spekulativ në këtë rast edhe brenda logjikës së financimit. Çdo të thotë “televizione kryesore në vend” dhe për cilën arsye do të financohen kjo kategori televizionesh?

Për shërbime të posaçme dhe të shumëndjekura si ndeshjet sportive apo filmat e fundit, qytetarët paguajnë tarifat që vijnë nga trasmetimet me dekoder, pra zgjedhin të japin para për atë që dëshirojnë të shikojnë. Edhe pse është një treg i parregulluar kjo gjë ndjek së paku parimin e kërkesë – ofertës, teksa në rastin e financimit apriori, kemi thjesht një donacion nga paratë tona benefitin e të cilit e shikon vetëm qeveria, e cila miqësohet kështu me të gjithë operatorët televizivë që i sheh me frikë. Duhet theksuar mirë kjo gjë: nuk mund të marrësh para nga xhepat e qyteatërev pa rregulluar kontrollin mbi përfituesin e shërbimit. AMA është një autoritet pa autoritet dhe ne po ashtu duhet të mbajmë parasysh se me sa lehtësi dy operatorë televizivë në vend fituan në Gjykatën Kushtetuese në kërkesën e tyre për të shfuqizuar pikën 3 të nenit 62 të ligjit të mësipërm që përcaktonte se:

Asnjë person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, nuk mund të ketë më shumë se 40 përqind të kapitalit të përgjithshëm të shoqërisë aksionare, që zotëron një licencë kombëtare për transmetimet audio ose një licencë kombëtare të transmetimit audioviziv

Për shfuqizimin e tij loboi në fillim deputeti shumëpërdorimësh Taulant Balla, ai u bllokua për ca kohë dhe pas lobimit të Aleksandër Frangajt, u shfuqizua nga Gjykata edhe pse ambasadorja e BE-së në Tiranë, shprehu shqetësime.

Si do të pranojmë ne të adminstrohen paratë tona nga ente që janë lodra në duar të pronarëve të mediave kryesore? Si do të kushtëzohet lëvrimi i kësaj paraje? Këto janë pyetje që nuk lidhen ngushtësisht me një nen apo një fond iks, por me vetë hapësirën publike ku gjen shprehje liria e të gjitëve ne. Të bën përshtypje sesi në këtë takim konsultativ mban qëndrim pro tranferimit të fondeve edhe Ben Blushi, ish-radikali i majtë, tribuni i popullit në kohën kur drejtonte LIBRA, sot një sekser i interesave të kompanisë ku punon.

Bën përshtypje po ashtu edhe ironia e një situate që e vendos kryeministrin aktual në pozitat e dikujt që as fuqia politike nuk i jep ndonjë fije autoriteti, por vetëm sa ja shton dozën e dikujt që bën gjithçka për të mos patur kundërshtarë. Kurse sot pranon, të paktën vartësi i tij në AMA, që të japë para për Mediat e Kazanit. Ndoshta kryeministri ndryshon mendje, ndoshta urdhëron refuzimin e projektligjit. Mbetet për t’u parë kjo gjë, por në çdo rast, nisma në fjalë e vendos qytetarin përpara një agresioni të pacipë ku për momentin duket se ai është vetëm dhe ka kundër edhe institucionet që prezupozohet se duhet të mbrojnë interesin e tij.

OPINIONE