Partitë politike shqiptare e gjejnë veten në shterpësi premtimesh elektorale

Gjergj Erebara

Partitë politike kryesore në vend përsëritën gjatë ditëve të fundit ato që në thelb kanë qenë premtime të dhëna edhe në vitin 2013 dhe që sot askush nuk merr përsipër të gënjejë duke i raportuar si premtime të mbajtura.

Partia Socialiste, e cila e qeveris vendin që prej katër vjetësh, premtoi 220 mijë vende të reja pune për katër vitet e ardhshme, ndërsa pati premtuar 300 mijë të tilla më 2013. PS premtoi gjithashtu “shërbim shëndetësor falas”, njësoj siç e pati premtuar më 2013, por pa marrë mundimin të sqarojë se çfarë do të thotë “shëndetësi falas”, pas katër vitesh ku politika e shëndetësisë është përqendruar gjithsej në dhënien e mbi 300 milionë eurove kontrata koncesionare me vlerë shumë të dyshimtë publike, ndërkohë që nëpër spitalet publike familjarët e të sëmurëve detyrohen shpesh të furnizojnë spitalin me mjete të tilla elementare si ujë të pijshëm dhe shiringa.

Partia Demokratike në opozitë deri tani është mbështetur në një fushatë kritikash ndaj qeverisë me vetëm disa elementë premtimesh, të tilla si “drekë falas për nxënësit e shkollave” apo “taksë të sheshtë në masën 9 për qind”.

Fushata për zgjedhjet parlamentare të 26 Qershorit u hap javës që shkoi pas marrëveshjes politike midis kryeministrit Edi Rama dhe opozitës së udhëhequr nga Lulzim Basha – e cila pati protestuar për tre muaj në një çadër të vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, duke kërkuar një qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Edhe pse PD nuk e arriti qëllimin e vetëshpallur që ta rrëzonte Edi Ramën nga pushteti me protestë, ajo pranoi të hyjë në zgjedhje në shkëmbim të shkarkimit të gjashtë ministrave dhe të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, zyrtarë që u zëvendësuan nga ‘ministra teknikë’, të propozuar nga opozita.

Vende pune pa rritje ekonomike

Edi Rama dhe Ilir Meta në Kuvend. Foto: LSA

Partia Socialiste pati premtuar 300 mijë vende të reja pune më 2013 ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, 250 mijë. Partia Demokratike premtoi në atë kohë, 220 mijë vende të reja pune. Në atë kohë qe e qartë për këdo që ka njohuritë më elementare të ekonomiksit, se një vend që ka rritje ekonomike prej 2, 3 apo 5 për qind, nuk mund të rrisë punësimin me 10, 20 apo 30 për qind. Megjithatë, të gjitha palët deklaronin se premtimet e tyre qenë tërësisht realiste dhe se ata kishin “plane konkrete” për zbatimin e një premtimi të tillë në realitet.

Pas katër vjetësh në qeverisje, kryeministri Edi Rama pranoi në një emision televiziv se ai nuk e besonte se vendi kishte krijuar 300 mijë vende pune gjatë mandatit të tij qeverisës, ndërsa edhe LSI, e cila tashmë është ndarë nga PS, pranoi se ky është një premtim i pambajtur. Gjithsesi, kjo nuk i ndaloi të dyja këto parti të japin premtime po aq bombastike dhe praktikisht po aq të parealizueshme sa edhe më 2013.

Statistikat zyrtare të Institutit të Statistikave tregon se numri i atyre nominalisht të punësuar në fund të vitit të kaluar qe afro 1.17 milionë shqiptarë, me rritje 171 mijë vetë në krahasim me shtatorin 2013, kur qeveria aktuale mori mandatin. Numri i të papunëve që po kërkojnë punë dhjetorin e kaluar qe 192 mijë vetë, afro 6 mijë më pak se sa në shtator 2013.

Instituti i Statistikave përfshin te grupimi “të punësuar” efektivisht çdokënd që është i “zënë me punë” pavarësisht nëse merr të ardhura të qenësishme nga kjo punë apo jo. Të gjithë ata që jetojnë në fshat klasifikohen si “të zënë me punë”, rrjedhimisht të punësuar. Të gjithë ata që ndihmojnë një anëtar të familjes pa pagë në biznesin e tij quhen “të zënë me punë”. Këto të dhëna ekstrapolohen nga INSTAT nga një anketë tremujore, në të cilën disa mijëra shqiptarë pyeten nëse janë të zënë me punë, janë të punësuar me rrogë apo janë të papunë. [Link INSTAT]

Vendet e reja të punës në çdo ekonomi mund të krijohen kur kjo ekonomi pëson rritje. Ritmi i rritjes ekonomike është përcaktuesi i rritjes së numrit të të punësuarve. Kur ekonomia rritet, me fjala vjen, 3 për qind, numri i të punësuarve detyrimisht rritet me më pak se 3 për qind, zakonisht rritet me gjysmën e ritmit të rritjes së ekonomisë. Në ekonominë shqiptare, për shkak të informalitetit të lartë, statistikat e punësimit formal mund të reflektojnë jo vetëm rritjen e vendeve të punës por edhe formalizimin në sistemin fiskal të njerëzve që më herët punonin në të zezë. Pavarësisht të gjitha këtyre, që nga shtatori i vitit 2013 deri në dhjetor 2016, numri i të punësuarve me pagë në Shqipëri është rritur me 134 mijë vetë, shumë larg premtimit për 300 mijë vende pune.

Rritje pagash pa rritje ekonomike

Kreu i PD-së Lulzim Basha gjatë protestës së PD-së | Foto nga : Gjergj Erebara

Përveç rritjes së punësimit, Partia Socialiste njoftoi se premtimi tjetër elektoral për katër vitet e ardhshme do të jetë rritja e pagave me 40 për qind për administratën publike si dhe rritja ekonomike në masën 5.5 për qind në fund të katërvjeçarit. Të dyja premtimet duken të pabazuara në ekonomiks.

Lëvizja Socialiste për Integrim e trashi më tej kur deklaroi se synimi i saj politik është “rritja ekonomike dyshifrore” prej mbi 10 për qind në vitin 2021. Rritja ekonomike dyshifrore është një mani e vjetër e politikës shqiptare, në veçanti ish-kryetarit të PD Sali Berisha, i cili në mënyrë të përsëritur deklaronte këtë parullë e cila nuk ka lidhje me realitetin.

Fondi Monetar Ndërkombëtar beson se ritmi i rritjes së ekonomisë shqiptare do të përshpejtohet disi gjatë viteve të ardhshme, por nuk do të kalojë kufirin prej 4.1 për qind deri në vitin 2022 [Link FMN], ndërsa premtimi për rritje ekonomike prej 5.5 për qind rezulton thjeshtë fantazi. “Rritja dyshifrore” nuk është e nevojshme të komentohet.

Por është premtimi tjetër, rritja e pagave të sektorit publik me 40 për qind, ajo që bie më shumë erë gënjeshtër. Paratë nuk mbillen nëpër ara dhe as nuk vilen nga pemët dhe rritja e pagave nuk mund të realizohet për sa kohë rritja ekonomike nuk është, ose është e pamjaftueshme. Kur ekonomia rritet me 4 për qind, kjo shtesë në ekonomi normalisht duhet të ndahet një pjesë për investime dhe një pjesë për konsum, d.m.th., rritje pagash. Dhe për sa kohë ekonomia rritet me 4 për qind, qeveria, kushdo qoftë ajo, nuk mund të rrisë pagat me 10 për qind.

LSI duket se ka kopjuar gjithashtu partinë G99 të Erion Veliajt, i cili, në zgjedhjet e vitit 2009 deklaroi se “i kishte vënë kusht Edi Ramës” për koalicionin parazgjedhor të atij viti “rritjen e buxhetit për arsim në 5 për qind të PBB-së”. LSI premtoi në programin e saj elektoral gjithashtu “rritje në 5 për qind të PBB-së të buxhetit për arsimin”. Aktualisht arsimi zë 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në buxhetin e shtetit. Në vitin 2013, arsimi konsumoi 3.2 për qind të PBB-së dhe në vitin 2009 konsumoi 3.4 për qind. LSI nuk shpjegon se nga do t’i gjejë afro 200 milionë euro shtesë që nevojiten për të rritur buxhetin e arsimit në 5 për qind të PBB-së, por premton se do të rrisë pagat e mësuesve me 50 për qind.

Muzikë e vjetër te politika e taksave

Ashtu si edhe në vitin 2013, edhe këtë vit, partitë kryesore politike po përpiqen të krijojnë përshtypjen e një dallimi të fortë ideologjik me njëta-tjetrën duke premtuar ato që i quajnë “politika taksash”, por që në thelb i përkasin vetëm tatimit mbi të ardhurat personale (TAP).

Partia Socialiste, e cila vendosi sistemin aktual të TAP me tre nivele, zero, 13 dhe 23 për qind në varësi të pagave, ka deklaruar se ka ndër mend ta pakësojë progresivitetin duke ulur brezin e sipërm nga 23 në 18 për qind ndërsa Partia Demokratike ka përsëritur premtimin e vitit 2013 për “taksë të sheshtë” në masën 9 për qind.

Aktualisht shqiptarët paguajnë 2.9 miliardë euro taksa e tatime në vit, nga të cilat, shumica dërrmuese janë taksa pa lidhje me të ardhurat personale. Nga çdo 100 lekë taksa, 44 lekë janë në formën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, 10 lekë janë akciza dhe 20 lekë janë sigurime shoqërore e shëndetësore. Tatimi mbi të ardhurat personale, për të cilin partitë aktualisht ofrojnë formula të ndryshme taksimi, përbëjnë vetëm 8.6 për qind të të gjitha të ardhurave të shtetit. Nga kjo, shqiptarët duhet të zgjedhin mes premtimeve të ndryshme politike, të cilat ofrojnë varietete të ndryshme taksimi mbi TAP, ku disa premtojnë një ulje prej disa qindarkash nga shuma e përgjithshme e taksave të paguara.

Përsëritja e premtimeve elektorale të vitit 2013, e me raste, riciklimi i premtimeve të vitit 2009, ka gjasa që sugjeron shterpësinë e përgjithshme të politikës klienteliste që ka triumfuar në Shqipëri përgjatë dekadave të fundit, ku suksesi elektoral varet nga aftësia për të krijuar klientelë përmes keqpërdorimit të vendeve të punës, aseteve dhe punëve publike më shumë se sa nga aftësia për të konceptuar programe më bindëse për votuesit mbi qeverisjen e vendit./ reporter.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne