Pas anulimit të tenderit, Gjoka Konstruksion vazhdon betejën ligjore, çon një tjetër ankesë në KPP

Ankesat për rrugën Kardhiq-Delvinë duket se nuk kanë fund dhe pas procedurës së mbikëqyrjes në Komisionin e Prokurimit Publik është ankimuar procedura e ndërtimit të lotit 7 të kësja rruge. Gjoka Konstruksion shpk ka depozituar në datën 23 tetor ankesën e saj për procedurën “Ndertim Rruga Kardhiq-Delvinë Loti 7” duke mos rënë dakord me Autoritetin Rrugor Shqiptar. Javëve të fundit rruga Kardhiq-Delvinë me një historik zvarritjeje më shumë se një dekadë është bërë objekt deklaratash, kundërshtimesh, ankimimesh dhe shtyrjesh të reja.

Më herët në 20 tetor në Komisionin e Prokurimit është paraqitur një ankesë nga “IKN” Instituti i Konsulencës. Në Ndërtim shpk kundër Autoritetit Rrugor Shqiptar. E gjitha kjo amulli vjen në kushtet kur ministrja më herët deklaroi se loti 7 është shtyrë në kohë pasi ARRSH ka të tjera prioritete. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha për mediat pak ditë më parë se ministria ka të drejtë që t’i jap prioritet disa nga çështjeve emergjente që mund të ketë dhe nuk ka lidhje me ka fonde apo nuk ka fonde.

“Këto janë prioritete momentale që ka ministria dhe padyshim . Nuk po flasim për rihapje gare sepse duhet të jemi shumë të kujdesshëm me çfarë themi, po flasim për shtyrje të një procesi. Kjo shtyrje procesi vjen për shkak sepse ka një projekt tjetër i cili është më emergjent ju duhet ta kuptoni që ARRSH nuk bën vetëm rrugë të reja kemi ura, rrugë të cilat mund të kenë emergjenca dhe duhen mbuluar” tha Balluku

Por teksa procedura për Lotin 7 është komplikuar në lotet e tjera të rrugës që janë prokuruar dhe për të cilat ka kontrata në fuqi si loti 4,5 dhe 6 vijon normalisht. Në total sipas ofertave të shpallura fituese rruga pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit pak më shumë se 6.6 miliardë lekë apo rreth 51 milionë euro (1 euro=127 lekë) pa përfshirë këtu edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Rruga Kardhiq-Delvinë ka një historik të gjatë zvarritjeje me punimet që nisën në vitin 2008 por që nuk përfunduan plotësisht aksin. Sot janë vetëm 14 kilometra punime të mbetura të cilat do të ndërtohen në vijim përmes tre kontratave që ARRSH ka lidhur dhe është në proces me kompanitë private të shpallura fituese. Në Lotin 7 është parashikuar edhe ndërtimi i një tuneli por që duket se kjo procedurë do të dojë akoma kohë për t’u finalizuar./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne