Pasi lejoi përdhosjen e Kuranit në Bajram, Suedia hap një hetim për krimet e urrejtjes

Policia suedeze lejon djegien e Kuranit “në përputhje me mbrojtjen e fjalës së lirë”, por pas zemërimit të gjerë të udhëhequr nga turqit, ajo hap një hetim ndaj burrit, me origjinë nga Iraku, për “agjitacion kundër një grupi etnik”.

Salwan Momika, 37 vjeç, i cili u arratis nga Iraku në Suedi disa vite më parë, iu dha leja nga policia suedeze për të djegur librin e shenjtë mysliman në Kurban Bajramin. / Foto: AFP

Një hetim mbi gjuhën e urrejtjes është nisur në Suedi kundër sulmuesit me origjinë nga Iraku, i cili dogji një kopje të Kuranit përpara një xhamie në lagjen Sodermalm të Stokholmit, ndërsa myslimanët në mbarë botën festonin Kurban Bajramin.

Hetimi vjen pasi vendi nordik i dha leje një burri për të grisur dhe djegur një kopje të Kuranit jashtë xhamisë qendrore të Stokholmit të mërkurën, një ngjarje që rrezikon të zemërojë Turqinë teksa Stokholmi kërkon t’i bashkohet NATO-s.

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan e dënoi menjëherë aktin në një postim në Twitter, duke shtuar se ishte e papranueshme të lejoheshin protesta anti-islame në emër të lirisë së shprehjes.

“Të mbyllësh sytë ndaj akteve të tilla mizore do të thotë të jesh bashkëfajtor”, tha Fidan.

Djegia e teksteve fetare është “mosrespektuese dhe lënduese”, u tha gazetarëve në një konferencë ditore zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA.

“Ajo që mund të jetë e ligjshme sigurisht që nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme,” tha Vedant Patel.

Rreth 200 shikues panë një nga dy ekstremistët duke grisur faqet e një kopje të Kuranit dhe duke fshirë këpucët e tij me të përpara se të fuste proshutë në të dhe t’i vinte zjarrin librit, ndërsa tjetri foli me megafon.

Disa nga të pranishmit bërtitën “Allahu është i madh” në arabisht për të protestuar kundër djegies, dhe një burrë u ndalua nga policia pasi u përpoq të hidhte një gur.

Në vendimin e saj me shkrim për dhënien e një leje për përdhosjen e Kuranit, policia e Stokholmit tha se rreziqet e sigurisë që lidhen me djegien “nuk ishin të një natyre që mund të justifikonin, sipas ligjeve aktuale, një vendim për të refuzuar kërkesën”.

Përpjekjet turke kundër përdhosjes së Kuranit

Përfaqësuesit e xhamisë ishin të zhgënjyer nga vendimi i policisë për të dhënë leje për përdhosjen në festën myslimane të Kurban Bajramit, tha drejtori i xhamisë dhe Imam Mahmud Khalfi.

“Xhamia i sugjeroi policisë që të paktën të devijonte demonstratën në një vend tjetër, gjë që është e mundur me ligj, por ata zgjodhën të mos e bënin këtë,” tha Khalfi në një deklaratë.

Deri në 10,000 vizitorë marrin pjesë në xhaminë e Stokholmit për festimet e Bajramit çdo vit, sipas Khalfi.

Ashtu si në incidentet e mëparshme të ngjashme, ambasada turke në Stokholm ndërmori hapat e nevojshëm, duke kërkuar nga autoritetet suedeze të parandalojnë sulmin.

Në këtë kontekst, ambasada kontaktoi anëtarët e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik [OIC], ambasadat e Azerbajxhanit, Arabisë Saudite, Pakistanit, Marokut, Indonezisë, Malajzisë, Bangladeshit dhe Palestinës në Stokholm.

Ambasada turke shprehu gjithashtu zemërimin e saj ndaj ambasadorit Jan Knutsson, sekretarit të shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme Suedeze, shefit të Policisë Kombëtare Anders Thornberg, kryetarit të parlamentit Andreas Norlen dhe Kryekëshilltarit të Jashtëm dhe Sigurisë të Kryeministrit, Henrik Landerholm.

Protestat  e mëparshme në lidhje me djegien e Kuranit para ambasadave të Stokholmit të Turqisë dhe Irakut u ndërprenë nga policia suedeze, por ky vendim u anulua nga gjykata.

‘Mentalitet i sëmurë’

Kreu i Drejtorisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, Ali Erbas, dënoi Suedinë për miratimin.

“E dënoj fuqishëm miratimin e aktit të neveritshëm kundër librit tonë të shenjtë, Kuranit, në Suedi gjatë Kurban Bajramit”, shkroi Erbas në një deklaratë në rrjetet sociale.

“Ftoj Suedinë dhe vendet perëndimore të ndalojnë mbrojtjen e këtij mentaliteti të sëmurë që është armiqësor ndaj muslimanëve, paqes sociale dhe njerëzimit”.

“Ne presim që të zbatohen sanksione konkrete ndaj autorëve të incidenteve”, shtoi ai.

Përveç akteve të djegies së Kuranit, Ankaraja akuzon Stokholmin se strehon anëtarë të grupit terrorist PKK. /GazetaImpakt/TRTWorld

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne