Pesha: Kryeministri të ulet e të bisedojë. Çdo rikthim i tarifës do të marrë të njëjtën përgjigje si sot

Aktivisti Besjan Pesha në studion e Fax News duke folur për protestën e sotme të banorëve të Kukësit kundër tarifës në Rrugën e Kombit tha se qeveria Rama duhet të tërhiqet dhe të mos i provokojë më shqiptarët sepse do të përballet me kundërpërgjigjen e tyre.

Pesha tha se ata kishin vendosur të protestonin paqësisht duke u ulur para sporteleve të pagesës.

Mirëpo sipas Peshë, Policia i ka provokuar me gaz dhe atëherë protestuesit janë kundërpërgjigjur duke djegur dhe shkatërruar sportelet e pagesës së taksës 5 euro dhe duke liruar rrugën.

Pesha ka thënë se kryeministri ka marrë kot dhe duhet të bëjë mbrapa sepse

“…sigurisht që kjo është një situatë jo e mirë por shkaktari është Edi Rama jo qytetarët, ndaj ai duhet të tërhiqet.”

Në përgjigje të atyre që thonë se ‘shteti mbahet me taksa’, Besjan Pesha tha se shteti mbahet me taksa por ajo tarifë “nuk do t’i shkonte shtetit por privatit, që shteti i ka dhënë një shërbim publik, që të fitojë miliona euro në vit, a thua se po na bën ndonjë nder.”

“Rikthimi i trahut do të jetë një provokim karshi gjithë shqiptarëve. Ajo që njerëzit presin nga kryeministri është që të ulet e të bisedojë. Le të prishë raportet me oligarkët s’është problem, por nuk mundet të prishë raportet me qytetarët.

Nëse do të ketë tentativë për të vendosur terminalin, protestuesit do të jenë sërish aty.” – tha aktivisti Pesha për rastin e mundshëm të rikthimit të tarifës.

“Opozita nuk duhet të ketë frikë të përmendë një nga një emrat e të gjithë oligarkëve dhe t’u thotë haptazi qytetarëve që të bojkotojnë produktet e tyre.

Opozita duhet të ngrihet në lartësinë e popullit të Kukësit sot.” – tha Besjan Pesha.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne