Petrit Vasili: PS dhe PD të mos bëjnë dashuri pas murëve…

A jeni në këtë emision në momentin më të keq të LSI-së?

Më vjen keq t’ju zhgënjej por e konsideroj veten shumë me fat. Besoj se kam ardhur në momentin më të mirë të LSI-së për dy arsye të mëdha. Së pari është shumë e rëndësishme për vendin por edhe për LSI-në që Ilir Meta është Kryetar i Shtetit. Ishte një avantazh i papritur për ne por i mirëpritur në momentin që ndodhi. Dhe së dyti jam sigurisht me fat sepse një aksion politik, tepër i rëndësishëm, i nisur nga LSI për zgjidhjen e krizës, ku të gjithë e dinë që promotorja kryesore ishte pikërisht LSI-ja, e cila kërkoi që në krye të herës në mënyrë shumë të qartë që kriza duhej të zgjidhej, opozita duhej të bëjë gjithçka që të merrte pjesë në zgjedhje dhe LSI vinte në dispozicion të gjitha mandatet e saja për ta zgjidhur këtë krizë.

Kriza u zgjidh pas këtij insistimi të LSI-së, pas një humbje kohe të pajustifikuar e cila krijoi një dëm të madh për vendin, në imazh dhe në ekonomi. Por e rëndësishme është që u zgjidh. U krijua një qeveri, siç e patë ju, që Ilir Meta e përcaktoi në propozimin e tij si një qeveri besimi. Është një qeveri besimi e mirëfilltë, që i krijon besim opozitës që të futet në zgjedhje. Kjo ndodhi. Pra gjithçka që insistuam që nga fillimi deri në fund ndodhi me preçizion të plotë. Tani do shkojmë në zgjedhje të paqta. Pra kemi arritur një aksion madhor për të zgjidhur një krizë, zgjidhjes së cilës i bëmë shërbim deri në natën e fundit dhe për këtë jemi shumë të lumtur.

Por ju u shkarkuat nga pozicioni i Ministrit të Drejtësisë pa u njoftuar aspak.

Kjo ka qenë gjëja më e parëndësishme. I kemi vënë në dispozicion mandatet tona në funksion të zgjidhjes së krizës që në fillim. Vetëm papërgjegjshmëria e këtyre dy partive, PD dhe PS, zgjati zgjidhjen e krizës dhe krijoi këtë dëm të madh për vendin.

A ishte anormalitet që Rama u ul në tryezë më Bashën pa ju dhe i dha 3 drejtorë të përgjithshëm pa ju pyetur fare?

Kjo nuk ka asnjë lloj rëndësie. E rëndësishme për mua është se për herë të parë që u provua se fuqia e faktorit të brendshëm shqiptar ishte shumë e madhe pasi e gjithë këmbëngulja parimore e LSI-së, e mbështetur edhe nga parti të tjera, mbështetur edhe nga faktori ndërkombëtar i cili kishte edhe dyshimet e veta, prevaloi dhe kjo linjë e qartë e LSI-së në fund të fundit ishte ajo që fitoi dhe së bashku më të fituan dhe shqiptarët.

Sot që flasim, jeni ju në një koalicion me PS-në?

Ne jemi në një koalicion qeverisës. Ne tashmë ndodhemi në kushtet e një qeverie besimi, garantuese për zgjedhjet.

A ishte zhgënjyese për ju mënyra se si u bë marrëveshja me PD-në duke iu lënë juve jashtë?

Asnjë lloj zhgënjimi nuk kishte sepse ata ishin përgjegjësit kryesorë dhe në fund fare duhet edhe ta zgjidhnin krizën. Ata që e mbajnë zvarrë për një kohë të gjatë vendin dhe në një mënyrë krejtësisht të pamotivuar, qoftë nga ana parimore apo qoftë nga ana politike, ishin të detyruar t’i jepnin zgjidhje. Të dy palët bënë që në një kohë shumë të gjatë vendi të vuante këtë krizë.

A ishte LSI ajo që stimulojë opozitën dhe çadrën e saj?

Këto janë të gjitha budallallëqe mediatike pasi PD ishte e motivuar që të krijonte një situatë për të karikuar vetveten apo për arsye që i di ajo dhe zgjodhi këtë formë proteste me çadër që ishte një përsëritje e modelit çadër në bulevard. Pra nuk ishte hera e parë. Kjo është çështje çadrash. LSI nuk është e këtij dimensioni, nuk ngre çadra dhe nuk i zgjidh problemet me çadra.

Rama ka thënë që i pritëm për muaj të tëra për koalicion dhe LSI-a nuk donte dhe në fund LSI u lut për koalicion por tani nuk ka më.
Në të gjithë historinë e bashkëpunimit tonë me Partinë Socialiste ka rezultuar e kundërta. Edhe më parë kemi qenë ne ata që kemi qenë të gatshëm, për shkak edhe të përkatësisë sonë të majtë politike por edhe në raport me socialistët, për të bërë aleancë me PS-në. Edhe në 2009-n ka qenë PS ajo që nuk kishte gatishmërinë për të bërë koalicion. Edhe në kohët e sotme ne kemi afirmuar gatishmërinë tonë për të konfirmuar aleancën. Ju e keni deklaratën e Kryesisë së PS-së. Duhet të përfundonim Kodin Zgjedhor, do të bënim një verifikim të kësaj marrëveshjeje, arritjeve dhe atyre që kishin çaluar dhe të ripërtërinim një marrëveshje të re që të ishte edhe reflektuese për gjithçka që nuk kishte shkuar mirë. Dhe do të vendosnim së bashku për rindërtimin e aleancës. Kjo nuk ndodhi. Kodi Zgjedhor nuk u bë. Në mbrëmë kemi bërë disa riparime të këtij kodi. Nuk u ulëm asnjëherë të flisnim dhe të analizonim se si kishte shkuar bashkëqeverisja dhe u mor një vendim, siç e dini, për të hyrë secili në zgjedhje, në mënyrë të pavarur. Ky është një vendim shumë i mirë për mua. Unë jam shumë i lumtur për një vendim të tillë.

Ju tani jeni i lumtur z. Vasili, por thuhet që keni qenë ju që i jeni lutur Partisë Socialiste që t’ju merrte në koalicion…

Asnjëherë. Ne kemi kërkuar vetëm këtë gjë: Kemi afirmuar publikisht gatishmërinë për të vazhduar aleancën me PS-në në momentin kur deklaruam që duhet të mbajmë një qëndrim tjetër për tu futur opozita në zgjedhje. Ky ishte vullneti dhe këtij vullneti duhet ti pasonin dy elemente të rëndësishëm, thelbësorë, të cilat krijojnë stabilitet politik që është përfundimi i Kodit Zgjedhor, të dimë me ç’rregulla loje futemi në farë dhe së dyti, një verifikim, një analizim i plotë i situatës të mbylljes së mandatit 4-vjeçar, sepse bëmë një marrëveshje 4-vjeçare, dhe jo një marrëveshje 2-vjeçare e gjysmë. Të gjithë këto nuk ndodhën, përkundrazi. Perceptoi një krizë, e cila e mbajti Shqipërinë pa një Kod Zgjedhor dhe reformuar, të përmirësuar siç kërkonte OSBE/ODIHR-i dhe njëkohësisht mu mor vendimi përkatës për të mos pasur koalicione dhe secila parti të hyjë më vete, që është një vendim shumë i mirë.

Është një vendim shumë i mirë, por është nj vendim që ju godet maksimalisht z. Vasili, sepse deri më tani fusnit deputet me 1/3-n ose gjysmën e votave që duhet ti fusni në draftin e ri…

Kam parë dhe mjaft kolegë tuaj, që kanë një problem shumë të madhe në matematikën zgjedhore, unë nuk bie dot në këtë nivel. LSI nuk ka fituar asnjë mandat për shkak se ka qenë në koalicion. Ka marrë më pak mandate se ç’i takonin dhe ka kontribuar për minimumin dy mandate plus për Partinë Socialiste. Pra, nga koalicioni nuk ka pasur asnjë përfitim. Ka marrë 180 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2013 dhe ka marrë 16 mandate. Kjo është një matematikë e hekurt. Në rast se do të konkurronim në vitin 2013 secila parti më vete, do të kishim marrë minimalisht 18 mandate.

Ndërkohë që, LSI ka qenë dy mandate rresht në qeverisje, një mandat me PD-në dhe një me PS-në. A dyshoni, a keni frikë që në mandatin e ardhshëm nuk do të jeni në koalicion me asnjë parti fituese, sepse duket sikur midis PS dhe PD do të ketë një marrëveshje për qeverisje të përbashkët?

Unë jam gati që Kodi Zgjedhor me gjithë marrëveshje politike të shkelet dhe ti jepet mundësia që PD e PS ta bëjnë një koalicion, partitë e tjera le të mos ta bëjnë. Meqë e kanë me merak kaq të madh, le ta bëjnë. Vendin e LSI e përcaktojnë vetëm zgjedhësit shqiptarë. Objektivi i LSI është vetëm një, një objektiv publik, i prerë për të cilin e kam kthyer në bindje të jetës sime, që është që LSI do dalë patjetër forcë e parë në zgjedhje dhe pastaj se ç’ndodh me koalicionet është diçka tjetër. Nëse PD dhe PS e kanë me kaq merak të bëjnë koalicion, le ta bëjnë që tani.

Sipas jush, marrëveshja Rama-Basha tentohet të jetë më e gjerë se ajo që është shfaqur me shkrim?

E kam lexuar marrëveshjen në fjalë të shkruar të zezë në të bardhë e cila është një marrëveshje, e cila me sa thotë, garanton zgjedhje të lira e të ndershme dhe vë disa gardianë, të quajtur kështu nga PD për të kënaqur pasiguritë e saj, që këto zgjedhje do të jenë të rregullta dhe të ndershme. Këtë kam lexuar unë në këtë marrëveshje.

Përse nuk u përfshitë edhe ju në këtë marrëveshje, z. Vasili?

Është fare e qartë. Ne ishim dy kahe të kundërta. Ne ishim në kahun e zgjidhjes së krizës, këto dy partitë e tjera ishin për precipitimin e situatës. Ne mbështetëm zgjedhje që përfshinin t gjitha forcat politike dhe ky ishte një qëndrim parimor që nuk ka të bëjë me mbështetje, ka të bëjë me rregullshmërinë e sistemit. Një sistem i deformuar, një sistem që të çon në asgjëkund. Ne kemi thënë që ky duhet të jetë një sistem që duhet të vijë në shina dhe që të bëhet kjo gjë, duhet të marrë pjesë edhe Partia Demokratike patjetër. Por kjo nuk kishte të bënte me Partinë Demokratike por kishte të bënte me një sistem normal demokratik.

Vasili, përse kryeministri dhe kryetari i PS-së mori mandatet e marrëveshjes PS-LSI dhe pa pyetur fare, i bëri pjesë të një pakti tjetër?
Është gjëja më e parëndësishme. Ne e kemi çliruar këtë çështje që në fillim dhe kemi thënë: Mandatet tona të përfaqësimit, cilitdo qofshin, që shërbejnë për zgjidhjen e krizës dhe shpëtimin e vendit nga kaosi dhe nga një qorrsokak me pasoja të paparashikuara, ia vlen ta bëjmë këtë sakrificë dhe i kemi vënë në dispozicion.

A e keni pyetur z. Rama dhe çfarë ju ka thënë për këto mandate tuaja që ishin pjesë e marrëveshjes?

Unë nuk kam shkëmbyer asnjë lloj opinioni me z. Rama për këtë, kam qenë dakord me marrëveshjet, boll që kriza të zgjidhet. Ka pasur një vullnet publik, nuk është i ditës së fundit. Gatishmëria jonë për zgjidhjen e krizës ka qenë e plotë, cilado qoftë ajo që ne duhet të ofronim për këtë gjë, përsa na takonte si LSI. Secili duhet të bënte sakrificat e veta.

Vasili, po aktualisht si janë raportet tuaja me z. Rama?
Raporte korrekte. Raporte të partive politike që marrin pjesë në qeverisjen e vendit.

Cilat janë raportet tuaja me Partinë Demokratike dhe me z. Basha?

Asnjë lloj raporti.

A keni qenë ju të rakorduar me z. Basha, me z. Idrizi dhe partitë e tjera në tryezën e 17 majit?

Absolutisht. Ka pasur një qëndrim sinkron, të kahershëm sepse ka qenë publik. Edhe qëndrimi i partisë së z. Idrizi ka qenë në këtë linjë politike por edhe i disa partive të tjera parlamentare, të cilat kanë qenë të gatshme që të hynin në zgjedhje. Por ishte problem i madh hezitimi, vonesat dhe pasiguritë e lidershipit të Partisë Demokratike për të marrë një vendim.

A keni punuar ju pas shpine z. Rama për ta dobësuar atë, për ta vënën vështirësi politikisht?

Ne kemi bërë gjithçka për të shpëtuar Ramën nga kaosi ku do të hynte vendi e ku do të ishte përgjegjësi kryesor nëse do të bënim zgjedhje pa opozitën.

A jeni ju të LSI-së të humburit më të mëdhenj të marrëveshjes Rama-Basha?

Për fat të keq të gjithëve, jemi të fituarit e mëdhenj, pasi futemi në një garë krejtësisht të barabartë dhe e cila vetëm na favorizon.

Vasili ju jeni një parti e cila është rritur kryesisht në qeverisje, nga 2009 në 2013 dhe nga 2013 në 2015…
Nuk është një fakt i vërtet ky. Po ju them vetëm një shifër nëse doni ta merrni në konsideratë dhe në qoftë se do ta citonit një herë të vetme sepse vazhdimisht citohet me një këmbëngulje të madhe po e njëjta gjë.

120 mijë vota ne i kemi marrë në zgjedhjet e vitit 2011 dhe po 124 mijë vota kemi marrë që në zgjedhjet e vitit 2005. Në 2005 kemi qenë në opozitë. Dhe po të njëjtin rezultat me 122 mijë vota kemi ripërsëritur edhe në vitin 2007 ku kemi qenë përsëri në opozitë. Pra të qenurit në mazhorancë apo në opozitë nuk ka qenë i lidhur fare. Ka qenë progres i pandalshëm i LSI-së si parti shumë e qartë në qëndrimet e saj politike që nuk ka pasur lidhje fare me qeverisjes.

A keni frikë që në datën 26 qershorit, do të mbeteni pari në opozitë?

Nuk më shqetëson absolutisht. Është thënë kaq shumë herë sa nuk është më argument sepse shifrat janë kokëforte. Unë kam një gjë të qartë dhe një bindje, që LSI do të jetë forcë e parë. Pastaj çdo vendosë për të tjerët, zgjedhësi shqiptar është atributi i tij. Nuk është as i imi dhe as i juaji.

Duket se dy të tjerët e kanë vendosur që ju të jeni në opozitë z. Vasili pasi me aq sa supozohet kanë një marrëveshje që mund t’ju lënë juve jashtë?

Ju keni një informacion që ka një koalicion PS-PD?

Kam një analizë që të çon në këtë drejtim. Shqetësimi do të jetë i juaji dhe jo i imi…

Nuk kam asnjë shqetësim por vetëm një, përse nuk e realizojnë. Ne jemi në garë me to.

Si jeni në garë me to? Jeni në garë dhe në bashkëqeverisje njëkohësisht?

Secila parti konkurron për të fituar sepse secila është e pavarur, nuk kemi as koalicionin. Secila parti është në vete.

A do të ishte zgjedhje për vendin një koalicion i gjerë dhe nëse ky koalicion midis PS dhe PD institucionalizohet a do të kërkoni edhe ju të ishit pjesë e tij?

Nuk kam fare asnjë lloj sensibiliteti për asnjë lloj koalicioni. Kam vetëm një sensibilitet shumë të qartë që të udhëheq LSI-në drejt atij objektivi të patjetërsueshëm që të dalë ajo forcë e parë. Jemi të lumtur, jo vetëm për rritjen e jashtëzakonshme të LSI-së që është një rritje eksponenciale, por njëkohësisht edhe mundësia që na u dhurua.

Pra, ishte një dhuratë kjo që të konkurrojmë secila parti më vete, një gjë që e kishim dashur ngaherë, por që nuk kishte ndodhur për shkak të Kodit të mallkuar të 2008. Por të gjitha këto rrethana favorizuese erdhën dhe ky është një moment fatlum për LSI.

Çdo të thotë moment fatlum?

Një moment i mrekullueshëm për LSI. Nuk kam se si ta them më qartë. Pra ka frymën, ka rritjen e jashtëzakonshme dhe ka një Kod…

Ku do të synoni kryesisht votat, majtas apo djathtas?

Tek elektorati shqiptar. Të gjithë ata që duan një parti që mban qëndrime të qarta, një parti që sakrifikon nga vetja për vendin, një parti e cila mban në krye të punëve të saj ka t’u kthejmë përgjigje çështjeve të rinisë. Pasi unë kur kam hapur programin elektoral të partisë kam prezantuar çështje të parë krijimin e 100 mijë vende pune vetëm për të rinjtë që është një nga risitë më të jashtëzakonshme të politikës shqiptare të pashqiptuar ndonjëherë në këto 25 vjet. Dhe meqë është folur shumë për Republikën e re që ka nevojë Shqipëria, e kemi ofruar edhe Republikën e Re: lista për kandidatëve për deputetë të LSI-së për Tiranën e kryesuar nga Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, Kejdi Mehmetaj deputetja më e re e Parlamentit, Floida Kërpaçi kryetarja e LRI-së është mesazhi, mënyra, instrumenti për politikën e re të vërtetë. Njerëzit e rinj mendjet e reja bëjnë politikën e re.

Mendjet e reja apo njerëz që instrumentalizohen kollaj? Sepse mendjet e reja janë njerëz që i thonë edhe “jo” kryetarit kur duhet…

Këto qëndrojnë për partitë e tjera, ndërsa të gjitha këto personazhe që unë përmenda dhe që janë vërtetë një Republikë e re, janë të gjithë njerëz që kanë bërë vite të tëra në politikë dhe mbi të gjitha kanë edhe integritet intelektual të jashtëzakonshëm, pasi janë shkolluar në mënyrë dinjitoze besoj shumë më mirë nga shumë e shumë të tjerë, të cilët do t’ua kishin zili edhe për integritetin politik dhe për atë intelektual.

A e dobëson largimi i Ilir Metës LSI-në? Fakti që Ilir Meta zgjodhi të ishte President, sistemoi veten e tij dhe ta lërë partinë që ka themeluar….

LSI-ja mori edhe në këtë drejtim edhe një favor tjetër plus që të ketë pikërisht kryetarin edhe në kryet shtetit shqiptar. Kështu që është edhe ky një plus tjetër, që nuk e kishim llogaritur ta kishim. Ky ishte një plus, një avantazh tjetër që na erdhi për shkak të rrethanave politike.

A do të marrë pjesë Ilir Meta në fushatë?

Meta nuk merr pjesë në fushatë, fushatën e udhëheq unë. Fushata ka filluar dhe ju e keni parë që z. Meta nuk është përfshirë në fushatë, ka promovuar vetëm nisma që kanë lidhje në mënyrë të veçantë me përfshirjen e të rinjve në politikë, pasi është një mesazh madhor që ai jep në mënyrë që të rinjtë të jenë gjithnjë e më shumë pjesë e politikës, pasi vetëm ata mund ta shëndoshin dhe të ndërtojnë shumë të aspiruarën Republikën e Re që ne duam jashtë republikë së intrigave apo meskiniteteve të bunkerëve. Kështu që besoj se në këtë drejtim ai do të vazhdojë ta kryejë këtë detyrë.
A është Ilir Meta anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim?

Deri më 23 korrik vazhdon të jetë anëtar i LSI-së. Pas datës 23 korrik nuk o të jetë anëtar i LSI-së.

E dëmtoi apo e fuqizoi LSI-në largimi i Metës në drejtim të postit të Presidentit?

Qe një plus politik shumë i favorshëm, i papritur dhe ne jemi të lumtur për këtë vendim.

Si përkthehet kjo lëvizje në vota z. Vasili?

Këtë do ta shikoni më 26 qershor.

Me çfarë kredoje do të shkoni t’i kërkoni votat ju shqiptarëve z. Vasili? Keni qeverisur katër vjet me PD-në, u bashkuat më pas me PS-në në jë bashkëqeverisje që nuk ka shumë për t’u mburrur. A keni ju të drejtë dhe çfarë do u kërkoni qytetarëve shqiptarë?

Kredoja jonë është fare e qartë. Kemi edhe një program shumë të qartë, i cili ka vënë në krye të tij dy elementë thelbësorë, ka vënë një prioritet madhor të rinjtë dhe ka përgjigjet më të qarta që nuk janë dhënë kurrë më parë në politikën shqiptare, pra të targetuara, të vendosura, të orientuara në mënyrë prioritare te rinia, thashë 100.000 vende punë për të rinjtë dhe përgjysmim brenda 4 vjetëve të papunësisë së të rinjve besoj është një përgjigje nga më të fortat

Puna e premtimeve elektorale është bërë qesharake. Nuk mbaj mend ndonjë premtim të mbajtur në këto 27 vjet….

Nuk është problemi im Blendi që ti mban mend vetëm premtimet e partive të vjetra. S’mund ta marr unë dot këtë përgjegjësi.

Ju u bëtë parti e re? Tetë vjet në qeverisje, katër vjet me Partinë Demokratike, katër vjet me Partinë Socialiste.

Në qoftë se 27-a dhe 8-a ju duken numër i barabartë, mua nuk më duken.

Si ka qenë qeverisja e vendit në këto katër vjet?

Më pyete me ç’kredo. Me kredon e këtij programi politik me të cilin ne po qasemi e me të cilin ne po kërkojmë pikërisht të arrijmë rezultatin që ne kemi objektiv.

Si ka qenë qeverisja e vendit në këto katër vjet?

Kjo është një pyetje që, për këtë, për qeverisjen e vendit ju mund të merrni ish-kolegun tuaj gazetar Edi Ramën dhe ta pyesni gjerë e gjatë.

Keni 30 apo 40% të qeverisjes së vendit? Cila është përgjegjësia që ju keni personalisht për qeverisjen e vendit?

Në të gjitha ato drejtime në sytë tuaj kanë qenë të gjitha ato sektorë që janë drejtuar dhe besoj nuk ka pasur as kritika për ta, nuk ka pasur as opinioni publik rezerva për ata.

Ka pasur vazhdimisht ide që administrata ka qenë dhe PS ju ka quajtur, madje jo gjithmonë pjesën publike, si pjesa më e kalbur e qeverisjes, si një pjesë që përfshihej në vjedhje, në marrje ryshfetesh, në korrupsion dhe në mitmarrje në përgjithësi?

Opinioni publik ka qenë shumë i qartë në çdo moment për këtë çështje se dhe po të mos flisnit ju, ka folur opozita. Por nuk ka folur opozita, opozita ka folur për shumë gjëra, ka folur për kanabis, ka folur për koncesione etj. Këto ty nuk t’u kujtuan. Por këto nuk kanë pasur lidhje me LSI-në.

Sepse edhe opozita ka qene kritike me LSI-në në vitet e para, por befas e holloi zërin kur bëhej fjalë për të kritikuar LSI-në, madje pati edhe një ide që ju bashkëpunonit me opozitën…

Do shtrëngohemi të flasim seriozisht. Seriozisht vura në tavolinë disa çështje të mëdha. Jo se ju me kundërshtoni mua, se nuk e keni për detyrë për këtë gjë.

Për kanabisin? Unë e kam bërë gati çdo javë në studio këtë çështje.

Atëherë ka edhe një gjë, kjo ka emër ka edhe përgjegjësi si punë, kanabisi, e cila nuk ka qenë pjesë e LSI-së në asnjë rast.

Përkundrazi, ka qenë më e denoncuara. Por në gjykimin tuaj, meqenëse keni pasur një koalicion të përbashkët, si e gjykoni këtë koalicion, të suksesshëm apo jo?

Koalicioni, dua të jem objektiv në atë që them, ka pasur disa momente që kanë qenë të rëndësishme. Unë i shenjoj koalicionet kryesisht me ato që konsiderohen reforma të rëndësishme, ku reforma territoriale dhe reforma në drejtësi besoj ishin dy arritje të rëndësishme të këtij koalicioni.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne