Pheniani kërkon të prodhojë raketa bërthamore në masë, por i zgjat dorën Seulit

Kreu koreanoverior, Kim Jong-Un, paralajmëroi Uashingtonin të hënën se ka butonin bërthamor shumë pranë, por nga ana tjetër i ka zgjatur dorën Seulit duke përmendur mundësinë e dialogut dhe të pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike të Koresë së Jugut.

Në fjalimin e tij për Vitin e Ri, numri një koreanoverior mbajti një qëndrim sfidues pas një viti me tensione në rritje të shkaktuara nga shtimi i testeve balistike dhe të testit të gjashtë bërthamor nga ana e Koresë së Veriut.

“Ne duhet të prodhojmë në masë koka bërthamore dhe raketa, si dhe të përshpejtojmë montimin e tyre”, deklaroi Kim.

Ai përsëriti se Veriu e ka arritur qëllimin e tij që të marrë statusin e shtetit bërthamor dhe theksoi se programet e armatimit ishin të një natyre mbrojtëse.

Pheniani mbështet idenë se ka nevojë për armë bërthamore për t’u mbrojtur nga armiqësia e Uashingtonit dhe kërkon të jetë në gjendje të prodhojë një raketë bërthamore në gjendje të godasë territorin kontinental të SHBA-së.

Nga ana tjetër, Presidenti amerikan, Donald Trump, i është përgjigjur me kërcënime operacioneve ushtarake të Koresë së Veriut duke deklaruar nga tribuna e OKB-së se do të shkatërrojë krejtësisht Korenë e Veriut në rast sulmi të lëshuar nga Pheniani.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne