“Policia e Kosovës në mënyrë efikase amortizoi tendencën për përshkallëzim në veri të Kosovës”

Institucionet e Kosovës reaguan mirë në ditën kritike në fshatin Banjskë të Zveçanit, por ende ka tendencë për përshkallëzim të situatës në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë, vlerëson Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Në një intervistë për Anadolu, Vrajolli duke folur për çështjen aktuale të sigurisë në Kosovë, tha se fundjavën e kaluar ka pasur një incident që ka pasur tendencë të përshkallëzojë situatën në veri, por që Policia e Kosovës “efektivisht e ka amortizuar këtë tendencë”.

“Rreth 10 ditë më parë patëm një incident që kishte tendencë për eskalimin e situatës në pjesën veriore. Mënyra se si Policia e Kosovës arriti ta amortizojë këtë tendencë ka qenë mjaft efikase. Për momentin situata në pjesën veriore është alarmante për faktin se edhe më tutje nuk dihet epilogu i gjithë incidentit që ka ndodhur, njerëzit e përfshirë në këtë incident, potencialin që ka pasur incidenti. Institucionet e Kosovës duhet ta mbajnë këtë situatë edhe për një kohë të caktuar derisa të sigurohet që tendencat e tilla për përshkallëzim të situatës së sigurisë në pjesën veriore janë zvogëluar apo eliminuar plotësisht”, tha Vrajolli.

Sipas tij, kërcënime të ngjashme ka pasur edhe më herët nga Qeveria e Serbisë dhe nga aktorë të mbështetur nga Qeveria e Serbisë, sikurse Milan Radoiçiqi, i cili një vit më parë ka kërcënuar hapur përmes një video-njoftimi.

“Po duket qartë që Radoiçiq është person i përkëdhelur nga autoritetet serbe atje. Mbase u inskenua një lloj arresti për të, në fakt ishte ndalje 48 orëshe që si duket përfundoi dhe ai vazhdon të jetë i lirë me të gjitha mundësitë që të kyçet në aktivitetet në të cilat ka qenë i përfshirë, pa ndonjë pasojë”, thekson Vrajolli.

Në një sulm të një grupi të serbëve të armatosur rëndë, më 24 shtator në fshatin Banjska të Zveçanit u vra rreshteri policor i Policisë Kosovës, Afrim Bunjaku dhe dy policë të tjerë u plagosën, ndërsa katër nga pjesëtarët e grupit të armatosur u vranë nga ana e policisë. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit në veri e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe.

Vrajolli përkujton se një sasi e madhe armësh është gjetur në veri të Kosovës dhe kjo, siç vlerëson ai, nuk është vetëm një dështim i Policisë së Kosovës, por edhe i Misionit të NATO-s (KFOR).

“Policia e Kosovës ka nevojë për asistencë për faktin që tashmë një numër i konsiderueshëm i policëve të komunitetit serb janë detyruar të dorëhiqen nga Policia e Kosovës, si pasojë e trysnisë nga Beogradi dhe strukturave që dirigjohen drejtpërdrejtë nga Beogradi dhe kryesisht pjesa veriore mbulohet me policë të pjesëve tjera të Kosovës dhe si rezultat kjo pjesë ka nevojë për mbështetje të KFOR-it”, thotë ai.

KFOR-i nuk e bëri punën e tij si duhet

Vrajolli tha se KFOR-i nuk e ka kryer punën si duhet, sepse nuk është përkushtuar sa duhet ndaj situatës së sigurisë. Një neglizhencë e tillë, sipas tij, ka çuar në incidentet e kohëve të fundit, një prej të cilave ishte sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it në fund të muajit maj në Zveçan, kur u plagosën një numër pjesëtarësh të KFOR-it.

Ai thotë se kërcënimet ekzistuese ndaj sigurisë duhet të eliminohen gradualisht, me një monitorim më të madh të vijës kufitare të Kosovës me Serbinë nga KFOR-i, i cili mund të rrisë praninë e tij në veri.

“Personat që janë përgjegjës për organizim të tillë të një grupi, që duket qartë se ka pasur qartë tendenca terrorizuese, të identifikohen, të izolohen dhe në këtë formë të sigurohet një paqe dhe siguri. Qeverisë së Kosovës duhet t’i jepet më shumë presion sa i përket zhvillimit të dialogut të drejtpërdrejtë me komunitetin serb”, thekson Vrajolli.

Siç tha ai, Lista Serbe nuk kishte vullnet për të mbrojtur interesat e komunitetit serb të Kosovës, por ishte e fokusuar në mbrojtjen e interesave të Beogradit. Ai beson se institucionet e Kosovës duhet të gjejnë mënyra për bashkëpunim më të madh me shoqërinë civile dhe Kishën Ortodokse Serbe në veri të Kosovës në mënyrë që të arrihet integrimi i asaj pjese të Kosovës.

Vrajolli vlerëson se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, formimi i së cilës po i kërkohet Kosovës, duhet të ketë mision integrimin e komunitetit serb në Kosovë, e jo të jetë vetëm një strukturë tjetër që Beogradi zyrtar do ta përdorte për të rritur ndikimin e tij destabilizues në Kosovë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne