Shqiperia

Policia e Turqisë intensifikon trajnimet për Policinë e Shqipërisë, 20 kurse në 2018-n

Drejtoria e Policisë së Republikës së Turqisë vazhdon kurset e aftësimit në fusha të ndryshme për punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë dhe drejtorive rajonale.

Në ceremoninë e organizuar të premten në Tiranë, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë, me rastin e përfundimit të kursit me temë “Trajnimi mbi teknikat e intervistimit dhe marrjes në pyetje”, ishin të pranishëm nënsekretari i Ambasadës turke në Tiranë, Sinan Cem Bas, dekani i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, Ilirjan Mandro, përfaqësues të Policisë së Turqisë, etj.

Duke folur gjatë këtij aktiviteti, Mandro falënderoi përfaqësuesit e Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe theksoi se ky është kursi i parë i një vargu të gjatë kursesh që do të zhvillohen në vazhdimësi.

“Në të njëjtën kohë që ne bëjmë këtë ceremoni, një tjetër ceremoni po bëhet edhe në Ankara, ku po trajnohen dhe certifikohen specialistë në fushën e terrorit. Kjo dëshmon edhe një herë për lidhjen dhe bashkëpunimin që kemi ndërmjet dy policive”, deklaroi ai.

Një fjalim përshëndetës në këtë aktivitet mbajti edhe nënsekretari i Ambasadës turke në Tiranë, Sinan Cem Bas, që u ndal mbi bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mbështetjen e ofruar nga Turqia për Policinë e Shqipërisë.

“Interesi ynë është që të kemi marrëdhënie të mira në të gjitha fushat. Ne i japim rëndësi të posaçme marrëdhënieve në fushën e rendit dhe sigurisë. Është fat që marrëdhëniet mes drejtorit të Policisë së Shtetit të Shqipërisë dhe atij të Policisë së Turqisë janë në nivel të shkëlqyer. Ne ju shohim juve si miq dhe si vëllezër, pra, botëkuptimi ynë është që siguria e Turqisë është njësoj siç është siguria në Shqipëri, nuk mund të jemi njëra palë e sigurt pa qenë edhe tjetra. Krimi i organizuar i kapërcen kufijtë, krimi mund ta ketë fillimin në Shqipëri dhe mbaron në Turqi dhe anasjelltas. Ne kemi pasur edhe rezultatet e këtij bashkëpunimi sa i përket luftës së përbashkët kundër kriminalitetit në fushën e narkotikëve”, deklaroi Cem Bas.

Duke folur për bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e sigurisë, nënsekretari i Ambasadës turke në Tiranë vuri në pah se gjatë vitit 2018 do të realizohen rreth 20 kurse në fushën e sigurisë.

“Jemi dy kombe që kuptohemi me njëri-tjetrin dhe gjatë vitit 2018 do të jenë 20 kurse në fushën e sigurisë. Një pjesë e madhe e tyre do të kryhet edhe në Turqi. Shpresoj që këto kurse të jenë me interes dhe të kenë shërbyer për rritjen në aspektin profesional. Siguria e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan, do të thotë siguri e Ballkanit”, theksoi Cem Bas.

Pjesë e kursit njëjavor me temë “Trajnim mbi teknikat e intervistimit dhe marrjes në pyetje” ishin 20 punonjës të Policisë së Shqipërisë, me trajnues dy punonjës të Departamentit kundër Krimit të Organizuar të Policisë Kombëtare të Turqisë.

Policia e Turqisë ka ofruar vitet e fundit vazhdimisht trajnime me tema të ndryshme për oficerët dhe punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, në lidhje me metodat e luftës antiterrorizëm, teknikat e hetimit kundër krimit të organizuar, konceptet themelore të inteligjencës, etj./ trt