“Politika s’e ka frikë Zotin”, Baba Mondi: Të ulen gjakrat!

Kryegjyshi botëror Shenjtëria e tij, Haxhi Dedë Edmond Brahimaj thotë se komunitetet fetare në vend përballen me vështirësi për të çuar shoqërinë shqiptare atje ku duhet, duke fajësuar komunizmin që iu vu kundër besimit për 40 vjet. Në “Dritare me Rudinën” në Neës24 ai tha se politika nuk e ka frikë Zotin akoma dhe ky është një problem.

“Komunizmi e shkatërroi njeriun. Kjo është situata që jemi ne sot. 40 vjet u bë kundër besimit. Me gjithë përpjekjen që kemi bërë, nuk e kemi sjellë shoqërinë shqiptare atje ku duhet. Ne mundohemi me të gjitha format. Problemi është se politika nuk e ka frikë Zotin akoma. Ne nuk kemi të drejtë t’i gjykojmë”, tha Baba Mondi.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=6JiQ97Fb6KA?feature=oembed]

Ferdinand Samarxhiu, analist i besimeve fetare tha se një gjuhë tjetër është ajo e politikanëve kur shkojnë për festat fetare dhe tjetër ajo që ndodh.

“Kur japin intervista ditët e festave ne themi o Zot ishalla bëjnë 10 % të atyre që përcjellin”, u shpreh Samarxhiu.

Ndërsa Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Hirësia e tij e Naltë Haxhi Bujar Spahiu tha se besimi është personal por se vlerat janë të përbashkëta për gjithsecilin nga ne.
“Një shembull i bukur në lidhje me bashkëjetesën fetare që thuhet në Durrës, përpara komunizmit por edhe tani. Krerët fetarë në çdo mbrëmje kur dilnin për të shëtitur, krah në krah ishin një shembull i gjallë dhe konkret përpara njerëzve duke i parë ata së bashku. Kjo është pasqyra më e bukur në jetën e njeriut. Me të vërtetë që besimi është çështje zemra dhe e ka njeriu për veten e tij por vlerat janë të përbashkëta për gjithsecilin nga ne. Unë shpresoj që me këto shembuj të ndryshëm, të marrin hisen edhe të tjerët në lidhje me zgjidhjen e problematikave që ka vendi ynë. Feja në vetvete është paqe me vetveten, paqe me të tjerët”, tha Spahiu.

Apeli i Baba Mondit për politikën ishte që të ulen gjakrat pasi populli nuk i meriton këto probleme.
“Dashuria dhe dashamirësia i zgjidhin të gjitha problemet. Nuk ka dashuri ashtu siç duhet dhe dashamirësi nuk ka për ta zgjidhur por ne do mundohemi që t’i ulin gjakrat dhe të zgjidhet përfundimisht njëherë e mirë që mos të ketë gjëra të tilla Shqipëria. Nuk i meriton populli shqiptar që ka vuajtur kaq kohë”, tha Baba Mondi./bw

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne