Presidenti Erdogan prononcohet para nisjes për në Algjeri

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka mbajtur një konferencë për shtyp në aeroportin Ataturk të Stambollit para nisjes për në Algjeri.

Erdogan deklaroi se me ftesën e homologëve të tij ai do të realizojë vizita në Algjeri, Gambia dhe Senegal më datat 26-28 janar 2020 dhe do të shoqërohet nga ministra, deputetë dhe përfaqësues të sektorit privat nga kompani të ndryshme.

Duke e bërë të ditur se Algjeria, që është ndalesa e parë e turneut në Afrikë, ka kapërcyer me sukses një vit të vështirë që la pas, Erdogan theksoi se kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë pasi është vizita e parë në Algjeri në nivel presidenti pas marrjes së detyrës si president nga Abdulmexhid Tebbun.

“Ne u takuam me zotin Tebbun në Samitin e Berlinit, ku zhvilluam takime dypalëshe. Gjithashtu gjatë vizitë do të kemi mundësinë për të diskutuar në hollësi marrëdhëniet tona bilaterale gjatë takimeve tona me Z. President dhe zyrtarë të tjerë. Do të organizojmë një forum biznesi në Algjeri, ku jemi në vendin e parë midis investitorëve të huaj me një shumë prej 3,5 miliardë dollarësh. Gjithashtu do të shkëmbejmë ide mbi zhvillimet aktuale në rajonin tonë, veçanërisht në Libi”, bëri të ditur Presidenti Erdogan.

Duke vënë në dukje se pas Algjerisë ata do të kalojnë në Gambi, Erdogan tha: “I kushtoj rëndësi të veçantë kësaj vizite pasi është vizita e parë zyrtare nga vendi ynë në Gambia në nivelin e presidentit. Gambia ka një pozitë të veçantë për ne, pasi është vendi i parë që mbylli shkollat e organizatës terroriste gyleniste (FETÖ) në Afrikë. Ne dëshirojmë të përmirësojmë marrëdhëniet tona me Gambianë në çdo fushë, veçanërisht tregtinë dhe turizmin”.

Ai bëri të ditur se do të kalojë në Senegal në mbrëmjen e së njëjtës ditë pas Gambiasë, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Ne synojmë të forcojmë më tej marrëdhëniet tona me Senegalin, që është një monument i stabilitetit në rajonin e tij. Kemi një miqësi shumë të ngushtë me Presidentin e Senegalit Macky Sall. Në këtë vizitë do të kemi mundësinë për të diskutuar si për investimet, ashtu edhe për çështjet e tjera në agjendën tonë”.

Erdogan theksoi se Turqia ka marrëdhënie të mira me kontinentin e Afrikës që datojnë deri në shekullin e 10-të, ndërsa tha se “Me përpjekjet tona vëllimi tregtar midis Turqisë dhe vendet e Afrikës gjatë 17 viteve të fundit, shënoi rritje me 381 për qind dhe arriti në 26 miliardë dollarë”.

Presidenti Erdogan sqaroi se ata kanë zhvilluar politikën e nismës afrikane që ata ndjekin që nga viti 2003 në një mënyrë shumëdimensionale dhe shtoi: “Duam që në prill në vendin tonë ta organizojmë edicionin e tretë të Samitit Turqi-Afrikë. Ne vazhdojmë kontaktet tona me Bashkimin Afrikan në lidhje me përcaktimin e datës së samitit. Shpresojmë që një vendim përfundimtar të jetë marrë në javën e dytë të shkurtit”.

Duke iu referuar situatës në Libi në fjalën e tij Presidenti tha se bashkësia ndërkombëtare “përkëdhelë” gjeneralin puçist Haftar në Libi.

Ai deklaroi se nuk presin rezultate nga këshilli ushtarak, themelimi i të cilit u vendos në Samitin e mbajtur në Berlin, kryeqytetin e Gjermanisë./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne