Shqiperia Sociale

Prishja e lulishtes: Si po manipulon Erion Veliaj?

Për dy ditë me radhë protestën e banorëve kundër lejeve të ndërtimit tek ish parku i autobuzëve e fshinë nga lajmet e tyre të gjitha televizionet e mëdha të vendit. Në një mënyrë të turpshme, njësoj si me vdekjen e Ardit Gjoklajt, Erion Veliaj arriti të manipulojë të gjitha mediat e mëdha, që nuk hapën gojën as për protestën, as për ndalimet nga policia të Arlind Qorrit dhe të aktivistëve të tjerë të “Organizatës politike”.

Për këtë problem filloi të flitej vetëm pasi Lulzim Basha e prishi përkohësisht ngrirjen e tij dhe denoncoi kthimin në shesh të një toke ndërtimi që ai e kishte inaguruar si park.

Pikërisht në këtë moment, pra jo kur problemi ishte mes pushtetit dhe qytetarëve por kur ai banalizua në sherrin e zakonshëm PS- PD, bashkia filloi të flasë. Fillimisht ata vunë në veprim kompaninë së cilës i kanë dhënë lejen, Arlis ShPK, e cila thuhet se i takon një klienti të hershëm të Edi Ramës. Sipas deklaratës së kësaj kompanie ka qenë pikërisht Basha që ka lëshuar lejen e ndërtimit, në vitin 2013, së bashku me Planin Vendor të kryeqytetit, kohë kur ai ishte ende kryebashkiak.

Madje, “Arlis Sh.p.k’ ka shkuar më tej duke pretenduar se “Në 2013, Bashkia e asaj kohe na dërgoi Kunatin për t’i “falur” një pjesë të konsiderueshme të ndërtimit. Ne e refuzuam këtë pasi ishte një “gjobë” për të lejuar dicka që vete Plani 2013 e lejonte. Kur ne refuzuam gjobën e Kunatit, z. Basha bëri një teatër duke e quajtur “lulishte” pronën tonë private si hakmarrje që nuk i falem gjysmën e biznesit”.
Sikur të mos mjaftonte kjo përfshirje e klientëve të Ramës, në lojë u fut edhe propaganda e bashkisë. Përpos faktit tashmë të stërpërdorur se leja ishte dhënë nga Basha (sikur kjo e legjitimon Erion Velinë që ka fituar votat me slloganin “zero ndërtime në Tiranë”), bashkia përhapi në media edhe një sërë argumentash të tjerë në favor të saj. Nga një anë Erion Veliaj pretendon se nuk ka ç’bën pasi ajo është një leje e dhënë nga paraardhësi, dhe nga ana tjetër ai edhe mburret me këtë leje. Ai këmbëngul se me rritjen e taksës për ndërtuesit, ai do të marrë prej këtij ndërtimi 5 milionë euro për buxhetin e bashkisë, se ky subjekt do të ndërtojë më pas një parking dhe një godinë 5 katshe pronë për bashkinë. Dhe për më tepër, pretendon bashkia, i gjithë zhvillimi zë më pak se gjysmën e truallit, pjesa tjetër do të jetë hapësirë e gjelbër dhe do i kalojë pronësia bashkisë, pra do të jetë aset publik.

Pra një gjë nuk kuptohet mirë: Bashkia mbrohet me argumentin se nuk kishte se çfarë t’i bënte një lejeje të dhënë nga Basha, apo ajo mburret se ka dhënë vetë një leje që i bën mirë qytetit. Që këtu mashtrimi është i qartë dhe nevoja për të fashitur me tym të kotë protestën dhe shkeljen e premtimeve elektorale është evidente.

Por ka edhe më.
Po të shihen argumentat që bashkia ka renditur në tekstin e kompanisë ndërtuese Arlis, ato janë qesharake. Nuk po merremi me akuzën se Basha paska dërguar njerëz për të marrë rryshfet, megjithëse për këtë nuk paraqitet asnjë provë. Nuk perben asnjë habi që edhe Basha të ketë vepruar kur ka pasur në dorë, si Rama dje, apo si lali Eri sot. Por problemi është tjetër. Kompania nuk paskësh pranuar të paguajë ryshfet dhe me dinjitet ka duruar ta shohë pronën e vet të shndërrohet në lulishte. Madje ka shkuar edhe më tej, ka pritur aq kohë sa Erion Velisë i duhej për të ngritur taksën që 5 milionishin që do ia jepte si korrupsion kunatit t’a dorëzonte me vullnet në formë taksash për interes publik.
Argumenta të tillë prej Lejfeni që ka shitur fiq, as në kohën më të ndyrë të propagandës komuniste nuk haheshin.

Po më e rënda nga të gjitha është fakti se edhe njëherë akoma Erion Veliaj arriti t’a zhdukë të gjithë këtë aferë nga mediat e mëdha tradicionale. Aty ku raportohet edhe për një makinë që gërvishtet apo për një incest në një fshat të largët, nuk u fol asnjë fjalë për një protestë qytetare dhe për arrestimin e disa aktivistëve. Dhe kulmi i paturpësisë mbërriti kur për këtë ngjarje u fol vetëm pasi në lojë hyri Basha. Për të bërë teatrin e zakonshëm PS- PD, nga i cili dëgjohen vetëm sharje, por pas të cilit nuk kuptohet asnjë problem.

OPINIONE