Administrata shqiptare do të ketë më shumë punonjës në vitin 2020. Projektbuxheti i vitit të ardhshëm parashikon rreth 257 persona më shumë të cilët do të shtohen në strukturën e  ministrive por shtesën kryesore e zënë institucionet e reja të  drejtësisë si SPAK, byroja kombëtare e hetimit, KLP dhe KLGJ. Ministria e Ekonomisë dhe Financave është institucioni me shtesën më të madhe të numrit të punonjësve për vitin që vjen.

Numri i punonjësve në administratën shqiptare do të pësojë rritje në vitin që vjen. Në draft buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohen që në total në administratën shqiptare të jenë 82,377 punonjës duke pësuar një rritje me 257 persona nëse e krahasojmë me stafin e këtij viti.

Duket se shtesa e punonjësve buxhetorë ka ardhur drejtpërdrejt nga ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, si SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Në tabelën e punonjësve buxhetorë për vitin 2020 janë shtuar punonjës për institucionet si SPAK, KLGJ dhe KLP, KPK dhe KPA. Numrin më të lartë të punonjësve duket se e përfiton Këshilli i Lartë Gjyqësor me 1 593 punonjës.

Nga një vështrim i tabelës konstatohet se janë edhe  disa ministri që përfitojnë shtesë të stafit ku përmendim ministrinë e ekonomisë dhe financave  për të cilën parashikohen të kontraktohen 183 punonjës më shumë, për ministrinë e Infrastrukturës  98 persona si për ministrinë  e brendshme 115. Nga ana tjetër për disa ministri vërehet shkurtim i stafit pasi nëse bëjmë një krahasim të numrit të punonjësve të ministrisë së drejtësisë për vitin e ardhshëm parashikohen 321 punonjës më pak dhe për ministrinë e brendshme 115 më pak./oranews